10 vjet “Gatime tradicionale të Skraparit”, flet blogerja e njohur, Luljeta (Sulka) Myzyri
Sot ajo ka mbi 24 mijë ndjekës dhe 22 mijë pëlqime në blogun e saj. Një performancë mediatike jo e keqe, përkundrazi, nxitëse dhe frymëzuese, po të kesh parasysh vështirësitë e mëdha që ka hasur: vendin ku ajo banon,Çorovodën, në një zonë e thellë rurale me mundësi të kufizuara komunikimi, me vështirësi ekonomike, pa infrastukturën e duhur dhe pa ambiente ku ajo të ushtrojë pasionin dhe profesionin e saj. Megjithatë ia ka dalë falë punës së saj këmbëngulëse, dashurisë për gastronominë, artin e kuzhinës dhe veçanërisht të kuzhinës tradicionale.
Ja ç’thotë ajo ndër të tjera:
Gatimin e kam patur pasion që e vogël. Ne ishim në fshat, një familje me shumë fëmijë. Angazhimi i fëmijëve në punë atëhere ishte që në moshë të vogël, që 4 -5 vjeç të caktohej puna që do të bëje, që për ne çupat ishte: në mëngjes përcjellja e bagëtive, lopës, viçit, dhive, kecave, pastaj pulat, fshesa, çezma dhe punët e tjera të shtëpisë.
Unë rrija, pas mamasë sime të ndjerë, Hajries që s’ka shumë që është ndarë nga jeta, kur gatuante në zjarr te oxhaku në dimër dhe përjashta në oborr në verë. Që atëhere, shyqyr që ishte i lehtë, ngrihja dhe ulja saçin në se u poq apo jo tepsia, i hidhja prush aq sa duhej mbi të dhe nën të tij. Kur mamaja tërhollte, bëja edhe unë “sikur” në një dërrasë me një shkop të vogël në vend të petësit.
Më vonë e solli jeta të martohesha në një derë të njohur, në një familje të nderuar dhe të respektuar, por edhe në gjendje relativisht të mirë ekonomike. Duke qenë pa punë për një kohë të gjatë, merresha me punët e shtëpisë, kryesisht gatimin. Vjehrra ime, korçare me origjinë, ma pëlqente dorën dhe më thoshte sa herë që mbaronte së ngrëni “të lumshin duart”. Jo vetëm aty, por edhe kur dilte me shoqet jashtë më mburrte aq shumë, sa unë habitesha se si e bënte këtë një korçare dhe një sqimtare si ajo.
Po ja që kjo punë qenkej me krahë. Fillova që në vënd të dy pjatave të ndryshme në vakt, për qejfin dhe dëshirën time të bëja tri, më shumë jo për të ngrënë, por për të ekspirementuar. Nuk më thoshte njeri pse e bëja këtë.
Kisha dëgjuar që kuzhina është art, por nuk arrija të kuptoja se ku ishte arti në një lakror me hithra apo të një buranije me lëpjetë të egra. Megjithatë mendoja se art do të ishte, deri sa vjehrra më thoshte gjithmonë “të lumshin duart, e ke bërë të lëpish gishtat”!
Kjo deri në vitin 2013 kur hapa për herë të parë faqe Facebook-u. Aty pash që hidhnin edhe gatime. E provova edhe unë të hedh. Merrja pjatën, e vëndosja në parmak të ballkonit dhe e fotografoja me celular dhe krijova një album “Gatimet e mija” në profilin tim. Natyrisht aty bëja edhe përshkrimin e recetave. Futesha në grupe gatimesh dhe postoja gatimet e mia.
Reagimet ishin mahnitëse, edhe pse në fillim fotot ishin spontane pa dritë, dhe pa filtra, merrja shumë përgëzime. Kishte raste që postoja gatime gjysmë të ngrëna se nuk besonin që i kisha gatuar unë…Po shihja që mi vidhnin fotot dhe i publikonin si të tyret…
Kështu në vitin 2014 krijova faqen time të gatimeve “Gatime Tradicionale të Skraparit dhe të tjera” dhe blogun tim në Web, i cili, fatmirësisht ka shumë ndjekës, i falenderoj të gjithë me këtë rast!
Veç kësaj, nxora një “botim”, “Aroma e Gatimit” me mbi 100 receta tradicionale.
Kam shfrytëzuar rastet e vepramtarive që organizonte Bashkia, si panaire, konferenca shkencore, shfaqje artistike etj. për të bërë gatime tradicionale ose edhe katering, por me gatime dhe elementë tradicionalë të krahinës.
Tani së fundmi, bashkë me bashkëshortin, Benin, kemi çelur një bujtinë në pronat tona te ish-fabrika e konservimit të frurtave. Jemi në fillim, por shpresojmë që së afërmi të zgjerojmë aktivitetin. Besoj atëhere unë do të jem “si peshku në ujë” dhe do ta realizoj të plotë ëndrrën time.
Në fund do të desha edhe një herë të përmendja dy njerëz që kanë ndikuar në veprimtarinë time: nënën time të ndjerë, nga e cila kam marrë “dorën e parë dhe paqllëkun” dhe vjehrrën time, Myrseten, një nikoqire klasi, që më ka dhënë dhe më jep akoma zemër dhe kurajo në gjërat që bëj. (“Orakujt…”)