
Kur Çorovada nisi të bëhej qytet
Muharrem Abazaj
Sot qyteti i Çorovodës nuk na pëlqen vetëm ne skraparllijve, por edhe shumë të tjerëve, përfshi edhe ata që vizitojnë kanionet e rralla të Osumit. Por edhe pak janë ata që e mbajnë mend si ka qenë territorii ku filloi të ngrihej qyteti i Çorovodës.
Ka qënë viti 1947, kur kam vajtur për herë të parë në Çorovodë. Më kish marrë babai për ta ndihmuar se kishte marrë dy kafshë samari për të marrë racionin mujor të drithit që herë ishte grurë dhe herë misër.
Në atë periudhë 99.99% e popullsisë jetonte në fshat dhe nuk arrinte të siguronte më shumë se 3 – 4 muaj bukën.e vitit. Sipas listave që dërgonin krytarët e këshillave popullore të fshatrave, shkonin e furnizoheshin tek depua e grurit, e cila ndodhej përballë spitalit të sotëm.
I gjithë sheshi mbushej nga kafshët dhe njerëzit mbanin radhën. Tek dera delte dhe u thërriste emrin Sali Çerenishti. Një burrë babaxhan dhe i shëndoshë me fytyrën të kuqe. Nuk ia ndaja sytë dhe mëndja ime e lidhte me atë sasi të madhe gruri apo misri që kishte ai në depo..
Në atë periudhë, po të veçoje Zhabanin, Çorovada nuk mund të quhej as fshat. Zonë me ndërtime ishte vetëm ajo përreth Komitetit Ekzekutiv të sotëm. Ishin dy – tri ndërtesa dykatëshe tek është Qendra Dentare ku ishin vendosur Komiteti Ekzekutiv, Gjykata dhe Prokuroria.
Lart, tek Spitali i vjetër ishte ndërtesa e Policisë. Poshtë Komitetit, në anë të lumit ishte mulliri. Ujin mullirit e merrte me një vijë që vinte nga Guhaku, kalonte mbi shkollën – 8-vjeçare, në krah të lokalit te “Rrapet”. Afër me mullirin ishte një kovaçanë. Në mes të sheshit ishte një mën i madh. Një mën me histori.
Po t‘u zije në gojë mënin e Çorovodës, njerëzit trembeshin. Trembeshin se tek ky mën ekzekutoheshin ata që dënoheshin me varje. Një i tillë qe një shitës që kishte përvetësuar një sasi lekësh.
Në zonën përzej lumit kishte akoma më pak.Në cep të urës ishte një kioskë. E kishte Togu, kështu quhej beratasi që e kishte hapuar. Pothajse kinkalerira shiste.
Në Zonën ku është Shtëpia e Kulturës ndodhej sheshi Pazarit të gjësë së gjallë. Në vendin ku është rreshti i pallateve ishin dy objekte: një kovaçanë dhe një berberanë. Berber ishte Shefqet Shkodrani, një humorist i dashur për tërë skraparllinjë.
Dhe ja ku e kemi sot Qytetin tonë të dashur, plot pallate të bukura, shkallë që i gjen rrallë, kudo vetëtin nga pastërtia. Bukuri e hijeshi…
…por, një bukuri, siç thotë Migjeni, që vret!
Çorovoda sot nuk ka njerëz, nuk ka zëra, ajo është zbrazur frikshëm! Fatkeqësisht, është bërë si ajo e dikurshmja!…