
– Esѐ –
Pse byreku bëhet me shumë petë dhe jo me 2 petë, 1 petë lartë, 1 petë poshtë, harxha në mes?
Edison Ypi
Byreku bëhet me shumë petë sepse byreku nuk është Sanduiç, apo, rujna Zot, Hamburger, e aq më pak Sufllaq.
Byreku nuk është mbështjellës i thjeshtë i 1 shije të vetme.
Byreku është arkitekturë e sofistikuar e vetë shijes.
Petët e Byrekut nuk mund të jenë vetëm dysheme dhe tavan. Petët janë ngushticat e këndëshme, kthesat e mrekullueshme, korridoret e ngushta të shijes gjatë ngrënies.
Nëse do të bëhej me vetëm dy petë, pra pa simfoninë e shtresave të ndërmjetme që mban vulën e një amvise pasionante, Byreku nuk do ishte Byrek por kulaç.
Byreku me shumë petë është rezistencë ndaj thjeshtësimit, primitivizimit, banalizimit të botës.
Byreku është Histori e gatuar mbi të cilin petë pas pete, shtresë pas shtrese, lexojmë enigmat e botës.