
A kanë ikur vërtetë retë e kohës për legjendën e maleve, Mestanin?!…
Hajri Nuhu
U desh një shkrim studimor për Xhafer Sulejmanin nga intelektuali mendjehollë, Viktor Bakillari, që të fillonin disa reagime që nuk i kuptoj. Një figurë e ndritur që ka shërbyer në Tetovën e hapësirës mbarëshqiptare, pavarësisht kufijve zyrtarë.
Më e keqja, sipas disa “reaguesve” qënka portali “Orakujt e Tomorrit”, që, sipas tyre, promovon figura të tilla.
Unë nuk bëj avokatin e portalit, që është i vetmi zë publik i Skraparit dhe i skrapallinjve, se ai ka në krye një usta të lapsit si Zylyftar Hoxha dhe që e mban me aq shumë sakrifica. Po midis emrave ripërmendet Mestan Ujaniku. Avokatinë e tij e bën historia. Po një pjesë me qamet se binden!
Për ata dhe për një grusht (veteran-pasardhësish) në Skrapar po ofroj këtë pasazh:
Në mbledhjen sekrete e Byrosë Politike më 17 prill 1956 sipas proces-verbalit shkruhet:
“Bashkë me proceset e Xoxes për vrasjen e disa komunistëve, tërheq vëmendjen kreu i Partisë, duhen parë edhe disa të tjerë mbi bazën e të cilëve u ekzekutuan pa të drejtë njerëz si Islam Radovicka, Mestan Ujaniku dhe ndonjë tjetër”.
Dokumenti është bërë i njohur nga historiania Ana Lalaj në librin “ Pranvera e rrejshme e 56-s” dhe për gazetën “Panorama”.
Pra vetë Enver Hoxha 8 vjet pasi Mestan Ujaniku kishte ikur nga kjo botë në mënyrë mizore, bën (aq sa mund të bënte ai) “mea culpa”. Mirëpo ca nga këta tanët edhe atë nuk “e besuakan”!…
Miq reagoni!
Merrni e lexoni dokumentet e Konferencës Shkencore që organizoi Akademia e Shkencave dy vjet me pare, “Veçori të LANC në Skrapar, vitet 1942-1944”. Aty historianë si Paskal Milo, Maringlen Kasmi e të tjerë vunë pikat mbi “i” lidhur me këtë çështje. Se nuk ka luftë në Skrapar pa figurën e Mestan Ujanikut.
- Në vitin 2000, në 5 shtator presidenti i Republikës Alfred Moisiu, që njihet për qëndrimin e vendosur ndaj vlerave të Luftës i dha Mestanit “Medaljen e Artë të Shqiponjës”.
Po ai paska gabuar, sipas jush?! Atij i vuri një dosje përpara këshilltari i tij, vlera e Skraparit dhe jo vetëm, Xhevahir Spahiu. Ishte dosja e Ministrisë së Brendëshme për Mestanin. Një dosje pa akuzë juridike. Dhe ai iku nga kjo botë në mënyrë misterioze.
- Shikoni edhe njëherë dokumentarin “Mestan Ujaniku-legjenda e maleve të Skraparit” dhe dëgjoni Sulo Gradecin dhe luftëtarë të tjerë. Edhe ata nuk e besoni. Puna juaj!…
- Lexoni monografinë me të njëjtin titull të autorit Dule Kalemi që ishte bashkëkohës (edhe pse më i ri) dhe shikoni sa i qartë është Mestan Ujaniku që luftonte bashkë me tre djemtë e tij.
- Në dokumentarin “Tomorrica –fustanella e Tomorrit”, Akademiku Paskal Milo shprehet:
“…në një këndvështrim për rivlerësimin e Mestan Ujanikut ai ka qënë një figurë nacionaliste, partiotike e përmasave kombëtare”.
- Rilexoni edhe njëherë shkrimet e fillimit të viteve 2000 në gazetën “Orakulli i Tomorrit’” që botohej në Berat në variantin e printuar kur shkruan ish-partizani e luftëtari i tij ajram Radëshi.
Ka zëra që paska tradhtuar idealet e luftës(!). Mos e ngatërroni me të tjerë!
Dihet që në një periudhë u shpërndanë fletushka e zëra sikur “Mestani me 500 burra ka tradhtuar dhe është hedhur kundër LANÇ…”
Të vemë në punë logjikën. Ai ishte delegat në Kongresin e Përmetit ku edhe debatoi për gradat me Enver Hoxhën. Gjithësesi mori gradën major.
Pra me këtë logjikë ai kishte tradhtuar dhe emërohej Komandant i Shtabit të Qarkut,shkonte delegate e gradohej!…
Fundi i luftës e gjen anëtar të shtabit të Divizionit të Dytë dhe në Shkodër merrte gradën nënkolonel. Pra “tradhtari” gradohej?!…
Ka zëra pse nuk folët atëherë ju. Dikush shprehet se për trimat këndohen këngë.
Për të parën ajo “ishte barrë e rëndë” për bashkëluftëtarët, për ata që kishte në krah e jo më për ne.
Sa për këngët, kush guxonte të këndonte jashtë “kornizave të kohës”? Fjala e lirë dhe kënga “ishin në pranga”.
Ndaj ndryshuam e po reflektojmë përditë për atë që u bë gabim. Më pas këngë ka, edhe për këtë figurë. Ka poezi, ku ndër më të bukurat është ajo e poetit Mihal Gjergji.
Po meqënëse jemi tek kënga, po iu sjell këto vargje:
Rrëzë Dodonës në Tomorr
Ku i kap yjet me dorë
Lindi dielli, reja iku
Erdhi Mestan Ujaniku…
A kanë ikur vërtetë retë e kohës për legjendën e maleve, Mestanin?!…