
U përvëluam: Shteti bën sehir! Zoti e bëftë më mirë!…
Fatos Muçaj
Ne po digjemi.
Nga kush?
Nga Zoti?
Apo nga dora e maskarenjve që nuk e meritojnë të jetojnë në këtë jetë?
Delvinë, flakët përpijnë çdo gjë, shtëpitë përballen me zjarrin sy më sy.
Syri i Kaltër po bëhet sy i nxirrë dhe i mavijosur.
Poliçan, tymi mbyt ajrin, dhe fshatarët shohin tokën e tyre të kthehet në hi.
Gramsh, pyjet digjen, shtëpitë pëzhgëliten, kafshët e gjora digjen sikur janë në majë të hellit, fshatrat dridhen nga nxehtësia dhe tymi mbulon ajrin, ndërsa njerëzit shikojnë me tmerr!
Në mes të këtij ferri, disa qytetarë “të kujdesshëm” hedhin cigare në barin e thatë, duan të djegin shkurret e komshiut për inat ose ndezin zjarrin me dashje, duke menduar se nuk ka pasoja.
Dhe pasojën të gjithë e shohim me sytë tanë: Katastrofë.
Ushtarët, me lopata, degë dhe mjete rrethanore, luftojnë flakët si në kohët parahistorike, ndërsa qeveria fshihet pas premtimeve boshe, planeve në letër dhe tenderave për rrugë që askush nuk i ndien.
As një hidroplan, as një helikopter, as një avion zjarrfikës nuk shfaqet, sepse blerja e tyre nuk ka kronikë lajmesh, nuk ka inaugurim për fotot, nuk sjell fjalë të bukura për fushatë.
Po digjen edhe komshinjtë tanë – thuhet.
Nuk kam fjalë për këtë.
Lexova se po blihen avionët.
Tepër vonë, si kofini pas të vjelave.
4–5 kilometra rrugë më shumë, një prerje shiritit dhe një fjalim para kamerave janë më të rëndësishme se jeta e fshatarit, pylli që digjet dhe ajri që bëhet i padukshëm nga tymi. Ndërsa shikon ushtarët të luftojnë zjarrin me degë e lopata, kupton se qeveria i ka duart plot, por vetëm me duart e veta, duke numëruar kilometrat e rrugëve dhe duke harruar se pylli nuk sheh taksat, dhe zjarri nuk pyet për protokolle.
Nuk fiken flakët e zjarrit duke u lutur.
Nuk fiken flakët duke i parë nga zyra me kondicioner.
Nuk fiken me ulërima dhe duar bosh.
Nuk fiken me lopata dhe ujë të pakët.
Nuk fiken pa logjistikën e duhur, pa avionët, pa helikopterët, pa hidroplanet, pa mjetet e duhura që t’i japin fund kësaj ferri.
O njerëz, ky nuk është film, nuk është spektakël, ky është vendi ynë që digjet.
Kjo nuk është vetëm nxehtësi vere, kjo është turp kombëtar.
Ky është një vend që digjet, një shtet që sheh, dhe një qeveri që pret që të gjitha të ndodhin vetë, duke menduar se “prej letre” zjarri mund të shuhet. Dhe ndërkohë, politikanët digjen vetëm nga arroganca dhe paaftësia e tyre, ndërsa qytetarët shikojnë si heronj ushtarët të luftojnë me degë, duke u ndjerë se jeta e tyre vlen më pak se një foto inaugurimi.
Në fund, kur tymi ulet dhe pylli është në hi, pyetja nuk është kush shkaktoi zjarret, pyetja është:
Kush do të marrë përgjegjësinë për këtë turp?
Por përgjigja është e thjeshtë: Askush. Dhe kjo është pjesa më e hidhur e gjithë historisë.
Por një gjë është e sigurt:
Respekt dhe falënderim i thellë për të gjithë forcat në terren, ushtarët, zjarrfikësit, policinë dhe vullnetarët, që nuk presin, nuk fshihen, nuk fotografojnë inaugurime.
Ata luftojnë flakët me çdo mjet, çdo mundësi dhe çdo frymë për të shpëtuar njerëzit, pyjet dhe vendin tonë.
Ju jeni heronjtë e vërtetë të kësaj historie.
Dhe për të gjitha ministritë që heshtin, numërojnë kilometra rrugësh dhe shikojnë zjarret nga zyra me kondicioner:
Merrni këtë si një shuplakë morale, çdo ditë që kalon pa mjetet e duhura, pylli digjet, njerëzit vuajnë, dhe faji do të mbetet mbi ju.
Zjarri nuk pret për ligje, tendera e fjalime.
Ai djeg gjithçka që takon dhe që i del përpara edhe prapa madje.
Zoti bëftë më mire!…