Një histori interesante, e panjohur

Një histori interesante, e panjohur

 

-Botohet me rastin e 90-vjetorit të rënies së Heroit të Popullit, Riza Cerova  –

 

Hazis Gjergji

 

Në drekën e 11 qershorit 1924, në Pezë mbërriti nga Peqini nji batalion kryengritësish nga Berati e Skrapari, të komanduem prej kapitenit Riza Cerova. Im vlla njifesh me Rizain. Në fillim Rizai kishte qenë besnik i Zogut, por mbas shtypjes së lëvizjes për mbledhjen e Asamblesë Kushtetuese të marsit 1922, ishte largue prej tij.

 

Shyqyriu i ndau xhandarët nëpër shtëpitë e pezakëve, kurse kapiten Rizai dhe dy a tre shokë të tij të afërt ndenjtën te ne. Mbas drekës, Riza Cerova me forcat e tij u nis për në Tiranë.

 

 

Ne pritëm me shpresë se Fan Noli do të na thërriste për t’i shërbye qeverisë së tij, por askush nuk u kujtue për ne. Asnjenit s’i ra ndër mend se përse kishim durue jetën e malit, burgjet, internimet; përse qemë djegë e ba shkrumb shtëpi e katandi.

 

 

E kundërta, po, ndodhi. Bejlerët që u shpallën të rrëzuem, mbetën po prap në fuqi. Ne na thirrën kur Ahmet Zogu me mercenarët e tij kishin zanë Shkallën e Tujanit. Çfarë të bajshim ne atëherë? Nji ditë përpara se Ahmet Zogu dhe forcat e tij të hynin në Tiranë, nëpër luginën e Pezës u kthyen të mundun, po ato trupa që gjashtë muaj ma parë kishin hangër drekë me ne.

 

 

Unë po merresha me bagëtitë në oborrin e kasolles pranë shtëpisë, kur vuna re se drejt meje po vinte nji oficer nolist, i shkurtën nga shtati, i parruem, me rrobat gjithë baltë.

 

Oficerin e njihja. “Çfarë halli të ka ra?”– i thashë.

 

 

“Lere hallin tim, se unë mirë jam, po atje lart është Riza Cerova, nuk lëviz dot.”

 

–”Riza Cerova?!”

 

Unë nuk mund ta besojshe që Riza Cerova rrinte majë kodrës, kur shtëpia jonë ishte e hapur për të në çdo kohë.

 

Ishte po mbasdite, si gjashtë muej ma parë, por atij, siç dukej, i vinte randë t’u dilte njerëzve përpara; s’kishte ma asnji kuptim ta pyesja oficerin pse Rizai nuk rrinte për drekë. U ngjita me vrap në kodër. Rizai ishte mbështetë në trungun e nji ullini, i dërrmuem si mos ma keq.

 

 

Përpara meje dergjej me kambët e anjtme nji nga burrat e vërtetë të Revolucionit të Qershorit. Ai kishte qenë ndër oficerët e parë që i ishin përgjigjë thirrjes së Revolucionit Demokratik dhe e kishte mbrojtë atë deri në fund. Rizai kishte nevojë për ndihmën tonë të shpejtë.

 

 

Zbrita me vrap në shtëpi, bana gati mjekimin me qepë, alkool e garza. Ai u qetësue dhe filloi me hangër bukë. Në të njejtën kohë, Shyqyriu kishte ba gati katër kuaj dhe caktoi dy shoqnues për ta përcjellë Rizain e shokët e vet deri te vau në breg të Shkumbinit. Dy shokët tonë e shoqnuen Riza Cerovën deri në Shkumbin.

 

 

Shumica e demokratëve morën rrugën e mërgimit, o babë, disa ranë në burgje ose u vranë tradhtisht. Nuk mund të shprehet dëshpërimi që ra në popull nga vendosja e regjimit të Zogut…

 

 

 

Shënim

Kjo pjesë është shkëputur nga libri i Hazis Gjergjit, “Myslim Peza-dëshmitar dhe protagonist 1912-1939”, Tiranë: Princi i Vogel, 2008, f. 175-176