I ftuar i veçantë në Edicionin e 82-të të Bienales së Filmit në Venecia, një nga ngjarjet më prestigjioze të kinematografisë botërore

 

Emiliano Biraku, djali nga Barçi i Skraparit, është sot një nga sipërmarrësit më të njohur dhe të suksesshëm në fushën e gastronomisë dhe turizmit në Italinë e Veriut, me një prani të veçantë në qytetin e Venecias.

 

 

Përveçse një figurë aktive në botën e biznesit, Biraku është gjithashtu një personazh i njohur në qytet falë detyrave publike që ka mbajtur ndër vite, të cilat e kanë bërë një zë të dëgjuar në debatin mbi zhvillimin ekonomik e kulturor të Venecias.

 

 

Përveç angazhimit të tij në sipërmarrje, Biraku njihet si një mbështetës dhe dashamirës i artit. Së fundmi, së bashku me vëllain e tij Ermalin, ai ka themeluar kompaninë Veniset, përmes së cilës është përfshirë si bashkëproducent në projekte filmike dhe kulturore.

 

 

Këtë vit, ai mori pjesë si i ftuar i veçantë në edicionin e 82-të të Bienales së Filmit në Venecia, një nga ngjarjet më prestigjioze të kinematografisë botërore.

 

 

Në fjalën e tij, Biraku theksoi rëndësinë që kinematografia dhe arti audioviziv kanë për zhvillimin e qytetit, duke nënvizuar se këto industri gjenerojnë një ndikim ekonomik të gjerë, duke e bërë Venecian të mos mbështetet vetëm te turizmi tradicional.

 

 

“Venecia ka qenë gjithmonë një kryeqytet botëror i artit dhe kulturës. Është detyra jonë të mbështesim talentet e reja, të krijojmë mundësi për të rinjtë dhe të forcojmë rolin e qytetit si qendër prodhimi kulturor, jo vetëm si destinacion turistik”, u shpreh Biraku gjatë takimit.

 

 

Ai vuri në dukje se investimet në sektorët kreativë dhe kulturorë kanë një rëndësi strategjike për të ardhmen, pasi krijojnë vende të reja pune dhe forcojnë strukturën ekonomike e sociale të qytetit. Për Birakun, diversifikimi i ekonomisë lokale përmes kulturës dhe industrive krijuese është rruga më e qëndrueshme për Venecian e së ardhmes.

 

 

Pjesëmarrja e tij në këtë aktivitet përfaqëson një shembull të qartë se si përvoja sipërmarrëse mund të lidhet ngushtë me botën e artit, duke sjellë vlerë të shtuar për komunitetin lokal dhe duke ofruar perspektiva të reja zhvillimi.