
NË SARANDË DHE…
5 Shtatori, dita e çlirimit të Skraparit është një nga ditët më të shenjta të banorëve të këtij rrethi, një festë tradicionale, popullore dhe familjare, e pangjashme me asnjë festë tjetër.
Në këtë ditë skraparllinjtë bëhen bashkë dhe festojnë bashkë, në mos fizikisht, shpirtërisht dhe emocionalisht.
Ata festojnë në Skrapar po e po, por edhe kudo që janë, brenda apo jashtë vendit. Se Skraparllinjtë nuk e harrojnë vendin ku “u ka rënë koka”, ku kanë lindur dhe janë rritur.
Si kudo, edhe në Sarandë u përkujtua dhe u festua 5 Shtatori. Shumë skraparllinj me banim në këtë qytet të bukur bregdetar u mblodhën gjithë dëshirë, dashuri dhe mall që të mos harrohet kjo ditë e shenjtë, të mos harrohet Skrapari.
Çaste të bukura dhe impresiouese! Muhabet, lezet, dolli e këngë. Një “Skrapar në mes të Sarandës”!…
Ky nuk është aktiviteti i parë që zhvillohet këtu. Takime dhe aktivitete të tilla janë bërë të zakonshme, janë bërë pjesë e jetës dhe e veprimtarisë të komunitetit të skraparllinjve të Sarandës.
Së shpejti do të zhvillohet nëj takim i tillë edhe në Ksamil.
Urojmë të ketë gjithmonë festa dhe gëzime që të gjejmë shkak për t’u mbledhur.
Luftar Hasanllari
…NË DUKAT MAL
“Do ishte mirë të isha atje, në Çorovodë, aty ku 5 Shtatorët kanë vite e vite që janë kthyerë në festë për të gjithë Skraparllinjtë.
Më ka marrë malli për shumëçka, por nuk munda të ndodhesha dot aty këtë vit” – shkruan në Facebook profesor Hysen Binjaku nga “rezidenca” verore e Orkumit.
Dhe për të përshëndetur dhe uruar skraparllinjtë kudo që ndodhen, është ngjitur, pak më lartë, në Dukat Mal!
Ai uron “Gëzuar” nga fotografia!
Faleminderit profesor, gëzuar dhe Ju, familjarisht!