
Janë pesë krahina mbështetur sup më sup me njëra tjetrën, Gramshi, Mokra, Gora, Opari, Tomorrica dhe Kolli i Sipërm i Skraparit me të njëjtat karakteristika gjeografike, natyrore, historike, ekonomike, etno – kulturore që, nëse do të kishin fatin e një infrastrukture rrugësh lidhëse me njëra-tjetrën dhe një qendër në mes të tyre, do të ishin një njësi, një etni e vetme në hartën administrative të Shqipërisë
Tomor Vlusha
Një nga personalitetet e njohura shqiptare, hartues i parë i hartës administrative të Shqipërisë në vitet ’30 të shekullit të kaluar, Mehdi Frashëri, ka thënë se këtyre zonave u mungon vetëm një element për të qenë një njësi e vetme administrative, infrastruktura rrugore.
Kanë kaluar gati 100 vjet që atëhere, por këto zona kanë ngelur të izoluara dhe të ndara nga njëra -tjetra.
Përse?
Për hiçmosgjë, thotë populli!
Një çap e ndan Mokrën dhe Lenien me Gorën; një çap tjetër e ndan Gorën me Oparin dhe Skraparin!… Tomorrica shtrihet në dy rrethe, Gramsh dhe Skrapar, kur është një e vetme, nga Turbohova deri në Nartë pranë Devollit.
Megjithë mungesën infrastrukturës, fizikisht të ndara, këto krahina shpirtërisht, etnikisht, kulturalisht janë të bashkuara. Kanë të njëjtat zakone, të njëjtën gjuhë (akcent), të njëjtin folklor e këngë.
Pa le më tej, me lidhjet martesore dhe familjare, burri është nga njera krahinë, gruaja nga tjetra. Nipi është këtej, dajua nga ana tjetër.
Meqenëse më ka rënë më shumë rasti të jem në krahinën e Mokrës, e njoh më mirë. Ndaj po ndalem më shumë te Mokra dhe Tomorrica që janë dy krahina simotra. Janë afër shumë me njëra-tjetrën. Ato ngjajnë shumë në tradita dhe në jetesë. Jeta në shekuj i ka bërë të marrin e të japin tek njëra-tjetra.
Mokra si luginë fillon prej atje lartë, në Llëngë dhe tek liqenet e Lukovës prej nga përrenjtë e vrullshëm rrjedhin për t’u bashkuar posht Shkumbinit plot ujë e zhurmë.
Tomorrica është matanë, atje përtej Gorës, malit të Lenies dhe Qafës së Gjarperit, nën këmbët e Tomorrit, e cila me ujrat e luginës së saj zbret poshtë dhe shton vrullin e Devollit.
Të dyja krahinat ndahen atje lartë ne male dhe shpejtojnë të takohen përsëri poshtë në Adriatik.
Mokra dhe Tomorrica vuajtën njëlloj këto kohë. Njerëzit kërkuan zgjidhje ekonomike duke shpresuar shumë tek liria e fjalës dhe e lëvizjes. Demokracia e fjalës dhe lëvizjes së lirë i shpërndau nëpër botë si zogjtë shtegtarë.
Ikën , sidomos të rinjtë, me dhe pa shkollë, tokat që rriten brezat shekullore mbetën pa u punuar, pyjet u prenë, rrugët u shkretuan. Vetëm lumenjtë vazhduan të rrjedhin të qetë edhe në Shkumbin edhe në Devoll.
Në Mokër e Tomorricë banorët kanë vuajtur gjithmonë për rrugë. Për Mokrën rruga përfundimisht u bë realitet. Një arritje e madhe, një shpresë për t’i kthyer sytë nga trojet dhe pronat e tyre.
Po simotra e saj, Tomorrica?
Është atje ku e lanë të parët. Ashtu siç ata e gjetën. Të gjithë ikën dhe sot ajo luginë po bëhet gjithnjë e më shumë me shkretë.
Distanca nga Gramshi ne Gjerbes është vetëm 27 km. Dhe po aq e në mos më pak është distanca Gjerbës – Çorovodë. Në këtë luginë kanë jetë 31 fshatra që ende nuk janë braktisur. Është zonë me fshatra, me tradita dhe histori që kanë lënë gjurmët e tyre.
Banorët e ikur kthejnë sytë andej përherë, enderrat i shohim me shtepitë ku u lindën, me arat, lëndinat e burimet e ujit të fshatrave të tyre.
Të bashkosh Gramshin me Çorovodën bashkon tre qarqe (Elbasan, Korçë, Berat) me jo më shumë se 50 km aks rrugor dhe njekohesisht bashkon luginat e Devollit me atë Osumit në rrjedhat e tyre të siperme, pasi në rrjedhat e poshtme ata bashkohen vetë në mënyrë natyrale.
Askush nuk kujtohet për atë luginë e ata njerëz. Askujt nuk i shkon ndër mend, ideja brilante e Mehdi Frashërit, për një rrugë të vetme që do të bashkonte të pesë krahint, në një një zonë unike, që do t’i jepte zhvillim dhe përparim jo vetë këtyre krahinave, por gjithë vendit.