Dervish Muhameti nga Zabërzani shkonte fshat më fshat. Një herë në Muzhakë iu afrua një çezme ku ishin grumbulluar disa gra të mbushnin ujë.

 

 

Gratë, sa e panë Dervishin, i kthyen kurrizin. Dervishi me një herë u ndal, u ktheu edhe ai kurrizin, uli pantallonat dhe të mbathurat dhe rrinte gjysmë i përkulur. Pas 4-5 minutash, një grua e moshuar u kthye për të mësuar nëse iku Dervishi apo jo. Por ç’të shohë, Dervishit i zbardhte prapanica si hënëz pesëmbëdhjetëshe.

 

 

-U pu pu…ç’bën kështu, o Dervish?!- i tha gruaja e habitur.

 

– E po ju bythën më kthyet, dhe unë atë u ktheva, iu përgjigj Dervishi.

 

 

***

 

 

Një herë tjetër Dervishi ishte në një dasmë në Therepel. Dhoma ku priteshin krushqit ishte e vogël dhe ishin futur në të burra dhe gra.

 

 

Gratë përshëndesnin me një zë aq të ulët, sa s’dëgjoheshin fare. Sa herë që e përshëndesnin, ai ua kthente: “Ma hëngërsh”!

 

 

Një grua guximtare, pasi mbaruan përshëndetjet, i thotë Dervishit: “Ç’e ke zotrote atë ma hëngërsh?

 

 

Po di se çfarë thoni ju me atë zë aq të ulët, mbase thoni “Më ha m…”. Unë hakun mora.

 

 

***

 

 

Disa gra nga Dorësi shkuan në Prishtë për një sebep. Në jë korridor të gjerë të shtëpisë ishte një pasqyrë e madhe, e rrallë në atë kohë aq e madhe.

 

 

Gratë duke kaluar para saj, e dinin se ato të pasqyrës ishin të zonjat dhe i përshëndetnin duke vënë dorën në zemër: “Si jeni zotëria juaj”?!…

 

***

 

 

Një Hasan nga Koprëncka, i cili gjyshin dhe babanë i kishte pasur hoxhë, me që ia hiqte dera, kërkonte ta thërrisnin Hasan Efendi.

 

 

Një ditë Hasani shkon në pazar në Korçë, një bashkëfshatar, duke u endur nëpër qytet, i thërret Hasanit nga mbrapa: “O Hasan!…O Hasan…”!

 

 

Hasani s’përgjigjej. Fshatari shpejton hapin, i del përpara dhe i thotë pse s’përgjigjet.

 

“Epo ai Hasani, që thua ti, ka edhe një bisht prapa”,- i thotë Hasani i fyer.

 

“O Hasan Bishti”,- i thirri atij fshatari. Dhe kështu i ngeli të shkretit.

 

 

***

 

 

Halimi nga Mollasi ishte mullixhi dhe punonte shumë dhe mirë. Një ditë kur la punën harroi të shkundte milin nga rrobat dhe fytyra dhe shkoi krejt i bardhë në shtëpi.

 

 

Sa të hyjë në shtëpi, e shoqja del në derë dhe e pyet:

 

“Ç’ je ti që hyn në shtëpi pa thirrur”?

 

“Po Halimi jam, moj kukudhe, s’ më njeh”, i përgjigjet shoqi e bën përpara.

 

“Ik se do të hash dru, se ti s’je Halimi”, ngul këmbë e shoqja.

 

 

“Epo shko në mulli e shiko, po s’pati Halim atje, atëhere jam unë këtu”, i thotë Halimi i nxehur.

 

Mbledhur dhe botuar nga Harun LUSHAJ