Çfarë më thotë gishti në ballin e tij?!…

 

Nga Naim Zoto

 

Spiro Dede, një gazetarët dhe publicistët më me emër të ndërrimit të dy epokave historike, komunizmit të djeshëm dhe demokracisë, ka sot ditëlindjen; mbush plot 80 vjet. Por takimi apo kontakti im i parë me Spiro Deden nuk ka qenë gazetaria, por poezia.

 

 

Në vitin e fundit të fakultetit (1983), kur duhet të zgjidhnim temën për mbrojtjen e diplomës në konsultën me profesorin udhëheqës Nasho Jorgaqi, zgjodhëm si temë “Profile të rinj në poezinë shqipe: Xhevahir Spahiu, Natasha Lako dhe Spiro Dede”. Xhevua ishte poet edhe kur bënte gazetari, kurse Spirua në të kundërtën; anonte nga gazetari.

 

 

Ndryshe nga Xhevahiri me të cilin takohesha shpesh aso kohe, takimi drejtpërsëdrejti me Spiro Deden erdhi shumë vonë; pikërisht në verën e nxehtë 1990 kur unë u riktheva si gazetar në gazetën Zëri i Popullit, ndërkohë Spiro Dede sapo qe rikthyer si kryeredaktor.

 

 

Qe takim aq i shkurtër në atë kohë aq të tensionuar politike e sociale sa unë mbaj mend vetëm një detaj: Ndërsa fliste, Spiro Dede shpesh ngrinte dorën e djathtë lart dhe shtypte herë pas here me gisht mesin e ballit, tamam si në foton që kam bërë tani vonë. Nuk është thjesht një huq; është një detaj simbolik, një instinkt që flet shumë për jetën dhe veprimtarinë e tij; është verifikim i asaj fjalës së urtë: O njëri; vëri gishtin kokës për çfarë shkruan e bën me postin publik!

 

 

Dje ishte 80-vjetori i lindjes së gazetarit dhe publicistit Spiro Dede:

 

Spiro Dede është një prej atyre intelektualëve idealistë shqiptarë që punuan e sakrifikuan shumë për këtë vend. Ai gisht i Spiros në mesin e ballit të tij më sjell ndërmend shtypjen e butonit të të kompjuterit. O Zot, sa kujtime e histori ruan ky njeri! Madje, jo vetëm i ruan por ka shpirtmadhësinë dhe t’ua dhurojë të tjerëve si dëshmi të kujtesës shtetërore.

 

 

Ndryshe nga shumë të tjerë Spiro Dede ka punuar në pjesën më të madhe të jetës për të tjerët. Dihet që për shumë vjet ka punuar pranë njeriut më të pushtetshëm në këtë vend; Enver Hoxhës. Ka dëgjuar dhe ka parë shumë, sigurisht. Nuk ka investuar vetëm kohë e energji në këto detyra, por edhe aftësi krijuese. Ne nuk e dimë ende se sa është investuar, por duhet të ketë qenë shumë.

 

 

Të punosh në dhe për nivelet sipërore të lidershipit të një vendi do të thotë që edhe sakrificat dhe kreativiteti të jetë maksimal, ashtu si edhe rreziku apo humbja e vetes është maksimale. Rrallë njerëz që punojnë në këto nivele mbeten vetvetja ca më vështirë ruajnë apo shfaqin potencialin e tyre edhe publikisht.

 

Ata kujtojnë se shërbejnë vetëm për individin që është në krye, ndërsa në fakt duhet të shërbejnë e ruajnë interesat publike dhe kombëtare. Spiro Dede është njëri nga ata që jo vetëm ruajti dinjitetin dhe personalitetin, por edhe e dëshmon këtë publikisht, jo duke u mburrur por duke thënë të vërtetën.

 

 

Do të mjaftonte vetëm mbrojtja që Spiro Dede i bëri ish-kolegut Xhevahir Spahiu në vitin 1979 për  librin me poezi “Zgjimi i thellësive” do të mjaftonte si kurajo e jashtëzakonshme intelektuale përkundrejt gruas së diktatorit që kundërshtonte argumentet dhe justifikimet: “Për ç’zogj e ka fjalën Spahiu? Po armiku “që do t’u presi krahët” se “s’i duron dot cicërimat tuaja”, kush është?! Kush qenka ky armik për vdekje i zogjve, d.m.th. i poetëve? Mendja më e thjeshtë e çon gishtin lart… Jo, jo, nuk është poezi e gabuar! Është një pamflet akuzë e rëndë për Partinë, për vetë Enverin… Askush nuk ka guxuar…”.

 

 

Spiro Dede, në vitet ‘90 të shek. të kaluar të përmbysjes politike, kur të tjerë prisnin apo i kërkonin me ngulm të bëhej udhëheqës, shpëtimtari i së majtës së re, Spiro Dede u kthye atje ku e nisi; te librat, te krijimtaria, duke krijuar shtëpinë botuese “Albin” me një vëmendje të posaçme për traditat dhe vlerat kulturore e historike të vendlindjes së tij, Zagorisë. Ndërkohë prej vitesh ka përgatitur dhe sistemuar për ribotim jo vetëm librat që ka shkruar dikur, por edhe plot surpriza të tjera që ka ende pas ballit të tij të lodhur por edhe shënimeve të pafundme që ka mbajtur gjatë jetës së tij që urojmë të jetë sa më e gjatë.

 

Fati i Spiro Dedes është fati i brezit më të sakrifikuar, që i takon në kohë brezit të viteve ’70-80. Ai është fati i brezit më të izoluar në historinë shqiptare, fati i jetimit. Interesant është se kjo puna e fatit jetim nuk është vetëm metaforë në këtë rast.

 

Tre nga gazetarët më të mirë të këtyre viteve që unë njoh, të cilët janë edhe shkrimtarë, poetë shumë të mirë ishin dyfish jetimë: Xhevahir Spahiu e ka humbur nënën  kur ishte duke lindur, ndërsa Sefedin Çela e ka humbur babain dy muaj para së të lindte! Spiro Dede e humbi kur ishte 5 vjeç.  Me këtë rast po sjell këtu një nga poezitë më të bukura të botuara për nënën nga Spiro Dede në vitin e largët 1972:

 

Erë e Dhëmbelit zbriti nga majat,

 

rreh nëpër pemë e çati,

 

ndofta nënës, atje nën lis, i thotë

 

se djali po kthen në shtëpi.

 

Si duket, e ndjera e deshi atë vend,

 

atje, ku fill zë katundi.

 

që, kur të vij, të më shohë e para

 

dhe kur të iki, të më lërë e fundit.

 

Njerëz me pasione e vullnete të mëdha. Të tre janë sa të ngjashëm aq edhe krejt të veçantë. I kam njohur që të tre nga afër këta jetimë por që falë aftësive dhe cilësive të tyre njerëzore dhe profesionale janë bërë referenca morale dhe profesionale midis tyre, mes tyre dhe kolegëve të tyre, pastaj edhe në rrafsh publike e për kontributet e dhëna në kulturën dhe në historinë institucioneve shqiptare.

 

 

Këta e rikrijuan nënën, babain, vendlindjen duke u bërë referencë për kohën, brezin dhe profesionin e tyre. Njeri rikrijoi Tomorin poetik, i dyti Zagorinë, i treti modelin e nderimit të babait, nënës, shokut, e njeriut që ndjen e fal veten për tjetrin.

 

 

Njerëz që nuk i krijoi bota por e rikrijuan atë. Njerëz që nuk u robëruan por ruajtën dinjitetin. Të rrish pranë udhëheqësit e të mos bëhesh si ai në sensin negativ, kur enveristët më të mëdhenj u bënë ata që nuk kishin lexuar një rresht nga Enveri.

 

 

Spiro Dede u bë promotor i ndryshimeve progresiste në vitet 90. Dhe pikërisht atëherë kur shumëkush e kërkoi me ngulm të bëhej i pari i partisë dhe i parisë ai hoqi dorë nga politika dhe partia dhe iu kthye librave…

 

Dhe në vend të mbylljes, referuar  aktualiteti, kemi një thirrje: Vërini gishtin kokës; ku po shkoni!

 

 

Tiranë, 25 shtator 2025

 

#blog

Marrë nga gazeta “Tema”