Regjistrimi i popullsisë i Selenicës i vitit 1930, gur themeli dhe bazë referuese e të gjitha studimeve demografike shqiptare
Teki Selenica, lindi më (1882-1962) në Selenicë të Frashërit, nga një familje me tradita rilindëse. Ai e nisi veprimtarin e tij patriotike në bankat e universitetit “Huzuku” të Sambollit, ku u lidh me qarqet nacionaliste shqiptare dhe bëhet mjaft aktiv si gazetar i gazetave “Bashkimi i Kombit”, “Drita”e Manastirit si dhe “Shqiptari” i Stambollit. Kthehet në Shqipëri dhe fillimisht punon në administratën e prefekturës së Beratit deri në vitin 1920. Pas Kongresit të Lushnjës thërritet të punojë në administratën qendrore në Tiranë.

Nëse regjimi monarkist i Zogut ka meritë, aq sa ka në konsolidimin e shtetit shqiptar nëpërmjet hartimit të legjislacionit modern dhe krijimit të administratës së aftë, një rol mjaft të madh kanë luajtur një sërë intelektualësh nga radhët e aristokracisë shqiptare, të cilët me patriotizëm dhe devotshmëri punuan për ngritjen dhe forcimin e shtetit shqiptar.
Padyshim një nga këta intelektualë është Teki Selenica, merita dhe puna e të cilit është e lidhur ngushtë me krijimin e bazave të administratës dhe legjislacionit.
Merita kryesore e punës së të cilit është e lidhur ngushtë me krijimin e bazave të administratës dhe legjislacionit që na ndihmon gjithashtu të kuptojmë tiparet kryesore të administratës dhe legjislacionit shqiptar, si dhe trashëgiminë mjaft të pasur të tij në drejtim të botimeve me vlera jo vetëm historike, por edhe në fushën administrative, legjislacionit dhe asaj ekonomike.

Veprimtaria e Teki Selenicës fillon që në Kongresin e Lushnjës. Si njohës i mirë i legjislacionit ai thërritet të punojë në këtë kohë në administratën qendrore në Tiranë. Në të njëjtën periudhë ai boton gazetën “Dit’ e re”, e cila në korrik të vitit 1922 kthehet në të parën botim të rëndësishëm administrativ dhe ligjor me titull “Gazete zyrtare”, ku botohen të gjitha aktet më të rëndësishme të shtetit. Kjo gazetë u botua në bashkëpunim edhe me dy kolegë të tjerë të Selenicë, Mihal Sherkon dhe Halil Macin.
Në vitin 1924, Selenica boton librin “Shqipëria 1923”(2), e cila ishte një vepër me vlera historike, pasi në të për herë të parë jepen në mënyrë të plotë statistika demografike, si dhe harta e përgjithshme e Shqipërisë sipas njësive administrative dhe qendrave të banuara, gjë që janë thelbësore për identitetin e një shteti.
Një vit më vonë Selenica ishte kryetar i komisionit qeveritar për sistemimin e kosovarëve të dëbuar forcërisht nga regjimi serb.

Në vitin 1928, Selenica boton veprën e tij më të rëndësishme dhe mjaft voluminoze “Shqipëria më 1927”. Kjo gjë flet për një punë të jashtëzakonshme të tij që i duhej ta përballonte krahas detyrave administrative si funksionar i Ministrisë së Brendshme (në këtë periudhe ishte drejtor i zyrës së shtypit). Libri “Shqipëria më 1927” (i cili u përkthye edhe në gjuhen frënge), është një vepër me të vërtetë monumentale, në historinë e shtetit shqiptar.
Ne vitin 1928, Teki Selenica emërohet në postin e nëpunësit më të lartë të administratës shtetërore shqiptare, në atë sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave. Një emërim i tillë, i bërë drejtpërsëdrejti nga mbreti Zog, është një fakt mjaft domethënës edhe për kriteret dhe vlerësimin mjaft pozitiv që kishte mbreti për punën e intelektualëve të aftë. Në këtë detyrë Selenica është autor i legjislacionit për organizimin e pushtetit vendor dhe mori pjesë në hartimin e ligjit për reformën agrare e cila hyri në fuqi në vitin 1930.
Në vitin 1930 nën drejtimin e Teki Selenices (më saktë më 22 prill 1930), përfundon regjistrimi i përgjithshëm i popullsisë, i cili është i vetmi burim statistikor bazë në të cilën edhe sot e kësaj dite i referohemi për shpërndarjen e popullsisë sipas besimit fetar, racës dhe kombësisë.

Si bëri të mundur që Selenica ta realizojë një operacion kaq të vështirë, si regjistrimi i parë i popullsisë me një cilësi mjaft të lartë dhe brenda standardeve statistikore të kohës. Këtë e sqaron zv. ministrit i Brendshëm i asaj kohe Rauf Fico, i cili në emër të mbretit do t’i shkruante: “Qëndrimi i pathyer që treguat, instrukcionet, direktivat e pagabueshme q’u dhanë gjithë nëpunësve të ngarkuem me barrën e regjistrimit, aktiviteti i pakursyer që treguat në të marrunit e masave, për suksesin e veprimit, janë fakte të çmuara prej botës shqiptare, aq sa edhe prej personit tim, që një veprim shtetëror tepër me rëndësi dhe tepër delikat të përfundojë me sukses e ky sukses të kurorëzohet me kënaqësinë e pagëzimit tepër të vlefshëm të L.M.Mbretit”
Në fushën e legjislacionit veprimtaria e Selenicës vazhdon më tej në vitin 1933, duke u bërë hartuesi kryesor dhe mbrojtësi në parlament i dy kodeve mjaft te rëndësishëm si kodi i administratës dhe ai komunal (të cilat sot akoma nuk ekzistojnë), si dhe te ligjit për bashkitë, gjë që konsoliduan pozicionin e tij profesionalisht jo vetëm si një ekonomist, statist dhe publicist, por edhe “jurist i klasit të parë”.
Me pushtimin fashist Selenica refuzon të punojë në administratën fashiste, duke iu bërë thirrje edhe nëpunësve të tjerë për të mbajtur të njëjtin qëndrim. Për këtë qëndrim, ai së bashku me familjen i nënshtrohen një internimi ne Itali.
Por kalvari i vuajtjeve nuk do të mbaronte këtu, pasi një tjetër regjim edhe me brutal do t’i shtonte vuajtjet e këtij intelektuali. Nofkën “zogist” propaganda komuniste do t’ua vishte të gjithë patriotëve dhe intelektualeve që kontribuuan jo pak për hedhjen e themeleve e forcimin e shtetit shqiptar, duke i përndjekur dhe persekutuar. Ky qëndrim, jo pak reflektohet edhe nga politika e sotme në “trajtimin” e intelektualëve.
