Sapo gjendesh ballë për ballë krahinës së Roshnikut, aty tek thuhet se gjëmon dheu ose pak më tej, në Qafën e Pusit, të krijohet përshtypja se po shikon një parajsë gjigande e ngritur në tre kate! Në katin e parë, ku janë mbështetur sup më sup Roshniku, Kostreni, Vojniku, Bogdani, Memijasi dhe Karkanjozi, mbijnë, rriten dhe prodhojnë tërë të mirat e kësaj bote! Aty nuk rriten vetëm kafja dhe bananet. Gjithçka tjetër e gjen në ara dhe në sofra!

 

 

Vetëm ata që janë ngjitur gjer këtu dhe janë ulur në një drekë apo darkë e dinë se ç’është ky kat i kësaj parajse kaq e çuditshme dhe po kaq e begatë!

 

 

Në katin e dytë, ku janë radhitur krahë për krah Tomorri, Perisnaka, Dardha e Qaf-Dardha, janë stolisur bukuri dhe çudi të njohura dhe të panjohura, të cilat nuk gjenden gjëkundi: Dy liqene në rrëzë të malit (në veri të malit të Tomorrit) të mbushur dimër e behar plot me ujë ar të kulluar.

 

 

Një ujëvarë që vërshon nga barku i malit dhe derdhet shkumbë-shkumbë tatëpjetë. Një lëndinë me emrin Shën-Pjetër e mbuluar dimër e behar  me bar të njomë dhe e rrethuar me pisha që nusërojnë ditë e natë! Një qytezë me themele e murnaja që ende nuk dihet se kush e ndërtoi dhe kush e shkretoi!

 

 

Plot burime me ujë dëbore. Plot kullota me trëndelinë e barëra të tjera. Plot kafshë dhe shpendë të egra që të lënë pa mend. Banorë që dinë të punojnë e jetojnë, që dinë të presin e përcjellin. Në këtë krahinë nuk mbahet mënd të ketë patur sherre e shamata që të kenë çuar në marrje jetë njerëzish!

 

 

Kati i tretë ndodhet sipër fare majave të malit. Ky kat dhe këto maja janë vendi ku bëjnë punën e vet shenjtorët! Kush ka mundur të ngjitet gjer këtu, ka marrë edhe uratat e Baba Tomorrit, është njohur edhe me Dodonën e pa njohur sikurse ajo e meriton!

 

 

Kush është ngjitur gjer atje, ka parë edhe botën e gjallë edhe botën e vdekur, është njohur edhe me parajsën, është njohur edhe me ferrin! Më pas, kur ka zbritur poshtë, majave, ka ditur të dallojë ç’është parajsa dhe ç’është ferri!

 

 

Histori dhe mite

 

 

Shumë autorë të lashtë si Homeri, Hosiodi, Stefan Bizantini, Hetakeu, Eskili, Pindari, Aristoteli, Horodoti, Plutarku, Polibi, Straboni, Titi Livi, Apolodori, Plini etj. vërtetojnë shkencërisht se Dodona Mëmë ka qenë në Tomorr. Edhe sot rreth Tomorrit ka toponime që e dëshmojnë këtë. Kështu në fshatin Bargullas një vend quhet Bregu i Dhodhonit; Mbrakull, do të thotë në (mbë) Orakull etj.

 

 

 

Një gjë interesante ndodhet në Dardhë të Tomorrit. Aty është një çezmë me një mbishkrim  që thotë kështu: “Ju udhëtarë që kaloni/, pini ujë e uroni/, Tariko garipe i këndon të birit,/Që e çoi exheli në dorë të qafirit”.

 

 

Tarikoja nga Dardha ishte nëna e një djali të vetëm, Demirit, i cili është vrarë në një grindje banale, madje thuhet edhe krejt gabimisht. Në 1925, në vitet e fundit të jetës, Tarikoja ndërtoi një çezmë në të hyrë të fshatit dhe në anë të rrugës së karvanëve, ku dhe ka shkruar fjalët e mësipërme.   

 

 

Poliçani, si pjesë e Nahijes

 

 

 Uzina Ushtarake e Poliçanit u vu në funksionim të plotë në vitet 1966-67. Ishte një vepër ku është bërë një punë e paimagjinueshme jo vetëm fizike, por edhe shkencore, ku inxhinierët dhe punëtorët duarartë që punuan e eksperimentuan për vite me radhë aty bënë mrekulli.

 

 

Për arsye të sekretit shtetëror, asnjëherë, edhe sot, nuk janë bërë të njohura përmasat gjigante të Kombinatit të Poliçanit, sidomos të  tuneleve, ku u fut komplet reparti i prodhimit të fishekëve, një vepër madhështore, që ka befasuar me madhështinë e saj ata që kanë patur rastin ta shohin, vendas apo të huaj. Sot, ndërsa poshtë Kombinati është kthyer në gërmadhë të vërtetë dhe syri të sheh vetëm ndryshk. Tani poliçanasit i janë kthyer punës, por në një drejtim tjetër, të pasurisë që i ka falur natyra, pllakat dekorative të malit të Tomorrit, të cilat, pas përpunimit shpërndahen në tregjet e botë.

 

 

Nahija e Beratit në sytë e Eqerem bej Vlorës

Mbi 113 vjet më parë, Eqerem bej Vlora, erdhi në Berat më 1906 dhe nga këtu kaloi në Kapinovë, në malin e Tomorrit e më tej dhe kthim.

 

 

Mbas 7 orë udhëtimi shpërblehet me bukurinë e rrallë të natyrës, me përrenj që gurgullojnë, gjelbërim të gjithëvitshëm dhe zogj që këndojnë, por mirëseardhjen ia japin njerëzit që ndryshonin nga ata që la më poshtë, më të shëndetshëm, më të gjatë, 1.80 m, flokë të verdhë, sy të çelët dhe me zhdërvjelltësi të çuditshme.

 

 

 

Në Kapinovë e priti Shefit bej Kapinova (Salillari), njeri i pasur dhe bujar. Shtëpia e tij ishte tipike e kohës, dykatëshe, e ndërtuar me gurë të mëdhenj të palatuar, me dritare tip frëngjie, me shkallë druri, me qilima dhe postiqe. I dorëzoi të zotit të shtëpisë armët dhe, siç thotë beu i nderuar, kjo tregonte se ata tani ishin anëtarë të kësaj familje, e cila përgjigjej për çdo gjë në territorin e tij.

 

 

Mbasi u përshëndet, doli në një pikë, për të parë fshatin, fshatrat, Beratin dhe  perëndimin e diellit. Kapinova në këto vite kishte mbi  60 shtëpi me 800 banorë. Dikur ka qenë selia e një Mydiri dhe quhej Nahija e Kapinovës. Bekimi i fshatit qenë burimet ujë argjendi, arat, tarracat të  ndërtuara në shekuj me durim të admirueshëm, që mbillen misër dhe grurë. Nga pllaja duket në horizont Myzeqeja dhe  në shpat kullosnin bagëtia, kryesisht dhen e dhi.

 

 

Pas kësaj, kur gjeti momentin e duhur Eqerem beu shkroi në bllokun e shënimeve:

 

 

“Pasi kthehemi nga shëtitja në shtëpi, ja shtrojnë darkës me mish në hell dhe me raki, në odën tjetër po të njëjtën gjë bëjnë dhe njerëzit që më shoqërojnë, të cilët kishin ardhur në qejf dhe po këndonin duke e zgjidhur gjuhën për t’u dukur kush më i mirë se fqinji.

 

 

Ajo që më gëzoi më shumë, qe pastërtia dhe gatimi për merak i pilafit, ëmbëlsirave, shto dhe fruta pa mbarim të prodhuara në vend. Aty bëmë planin për t’u ngjitur në  majën e Tomorrit drejt të shenjtit Abaz Aliu. Si udhërrëfyes na prini i zoti i shtëpisë me njerëzit e tij, krahas atyre që më shoqëronin mua. U zgjova të nesërmen më 8 tetor 1906. Fati ishte me ne se moti u hap, dielli shpërndahu retë

 

 

dhe ne s’ngopeshim me mrekullitë e rralla të natyrës poshtë këmbëve tona, me Bargullasin, Novajn, Sirakën, lumin e Beratit, majat e maleve të Skraparit e deri në zonat e Tepelenës.

 

 

 

… Dhe ditari vazhdon 190 faqet e tij, duke treguar mrekullitë e natyrës dhe njerëzve të kësaj