
Zylyftar Hoxha
Ka qenë viti 1973, kur jam njohur me Asllan Musain. Unë sa kisha filluar punë si redaktor në gazetën lokale “Jehona e Skraparit”, ndërsa ai vinte nga uzina e famshme e armëve të Poliçanit.
I dalluar si specialist i mirë, në një nga repartet më delikat dhe më të rrezikshëm të uzinës, Asllani kish shfaqur edhe aftësi të tjera, si një aktivist e veprimtar shoqëror.
Ishte kjo arsyeja, që, në kuadrin e parrullës “të mësojmë nga klasa punëtore”, atë e prunë në Çorovodë si kuadër, në fillim në Komitetin e Partisë dhe pastaj në Bashkimet Profesionale të rrethit, detyra që ai i justifikoi dhe i kreu në mënyrë të përkushtuar, në mënyrën më të mirë të mundëshme, si një njeri shoqëror, komunikues dhe i dashur me të gjithë njerëzit që e kanë njohur.
Kur them kështu, nuk dua të përdor epitetet dhe vlerësimet e dikurshme, por Asllani ishte i veçantë, dhe këtë veçanti ai e kishte specifike, vërtet të dallueshme. Edhe tani, që kanë kaluar kaq vjet që ai nuk jeton më, jam i bindur se bashkëkohësit e tij që do të lexojnë këto rreshta, jo vetëm do të më japin të drejtë, por do të më bëjnë vërejtje, që nuk i kam thënë të gjitha ato që duheshin thënë për të.
Kam patur fatin që për më shumë se dy vjet të kem fjetur në një dhomë me Asllanin. Unë në moshën delikate të rinisë, ëndërrimtar, tërë energji e hov, “ç’futuronte, hahej”; ai i më i madh në moshë, i ekuilibruar, i matur, i pjekur, për mua imponues, si një Sokrat i vërtetë.
I faleminderit!
Në atë kohë nuk të përkëdhelte njeri, aq më tepër, si unë edhe ai, që vinim nga fshati dhe s’kishim njeri të na bëhej krah. Për ne ishte e qartë, e vetmja gjë që do të na mbante dhe do të na çonte përpara, ishte puna, një punë derrçe, fshat më fshat, por edhe aty netë pa gjumë duke lexuar e punuar deri pas mesnate.
Pas 5-6 vjetësh, puna e Asllanit u bë më e dukshme, atë e transferuan në Tiranë, në një detyrë tepër të rëndësishme, që nuk ia ndërroi kurrë karakterin e tij si njeri i thjeshtë dhe popullor.
Edhe që andej vinin fjalë të mira për Asllanin, por nuk vazhdoi shumë dhe atij iu shfaq një sëmundje e pashërueshme. Edhe pse i sëmurë, ai vinte shpesh në Skrapar, nuk kishte ditë të mos na merrte në telefon dhe pyeste për të gjithë, veçanërisht kishte merak dhe pyeste për ato familje ku i kishte rënë të hante bukë dhe s’kishte mundësi t’ua shpërblente.
“U bëni të fala, thoshte, të mëdhenj e të vegjëlve”, duke qetësuar në këtë mënyrë pak shprtin, se e kishte shpërblyer atë që kishte ngrënë.
S’kaloi shumë dhe vdekja që di të marrë, por që s’di të zgjedhë, një ditë e mori Asllanin, këtë njeri të mirë, të thjeshtë e të pabujë, me plot virtyte njerëzore, që e donte i madh e i vogël në Poliçan e në Skrapar.
Tani, në fund të këtyre shënimeve, më kujtohet heroi i mitologjisë greke, Dionisi, që mori qiririn dhe kërkonte në errësirë. “Çfarë kërkon”, i thanë. “Njeriun, u përgjigj, s’po gjej dot njeriun”!
Se fjala “njeri”, brenda një konteksti më të thellë gjuhësor dhe metaforik, është edhe titull, dhe Asllani e meritoi këtë titull.
Ai ishte me të vërtet njeri, NJERI me shkronjë të madhe.
Shënim:
Ky shkrim është botuar në vitin 2012 në gazetën “Telegraf”.
Fatkeqësisht e kërkoja në arkivin tim dhe nuk e gjeja dot. U gëzova shumë, kur rastësisht deshifrova një hard disk të një kompjuteri të vjetër dhe më doli shkrimi për mikun tim të kahershëm e të mirë, me impresionet dhe ndjeshmëritë atëhershme, pavarësisht rrethanave të tjera dhe kohës që ka kaluar.