
…Në një ceremoni të thjeshtë, por të veçantë dhe të bukur festive
Fundi i javës së kaluar, e shtuna, erdhi me dy veprimtari të thjeshta, por të bukura për Skraparin dhe skrapallinjtë.
Ndërsa në Çorovodë “zjente” rakia, muhabeti, lezeti dhe kënga “shkonte gjym” në festën e përvitshme dhe emblematike “Skrapari në gotë”, me një panair të bollëkshëm vjeshtor nëpër tavolina….
…në Kulmak, një grup veprimtarësh dhe simpatizantësh të vlerave të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, ishin mbledhur në një ceremoni modeste pranë lapidarit që përkujton 14 marsin 1942, krijmin e Çetës Plakë të Skraparit, me komandant Mestan Ujanikun dhe komisar Gjin Markun.
Ata kishin ardhur këtu, thjesht dhe vetëm për të nderuar dhe reapektuar ndjeshmërinë humane, patriotike dhe filantropike të një autoriteti të njohur të Skraparit, mjekut stomatolog, Maksim Musabelliu, i cili, siç e kemi bërë të ditur edhe më parë në “Orakujt e Tomorrit”, me fondet e tij private, restauroi lapidarin në fjalë.
Në këtë ceremoni të thjeshtë merrnin pjesë banorë të fshatit Ujanik, pjestarë dhe të afërm të ish-luftëtarëve të Çetës, turistë dhe pelegrinë fetarë të rastit të asaj dite në Tomorr.
Merrnin pjesë dhe përshëndetën gjithashtu përfaqësues të Organizatës së Veteranëve të LANÇ – it, të Këshillit Bashkiak të Skraparit, si dhe të shoqatës kulturore atdhetare “Tomorri” të Durrësit.
Ceremonia u mbyll me një drekë “si ato të Tomorrit”, në bujtinën e Shefqet Musabelliut, organizuar prej tij, në nder dhe kujtim të të atit, Bajram Musabelliu, ish – partizan i çetës që në ditën e parë të krijimit të saj.