Përmbledhje shkurt nga statusi i Facebook-ut të filantropit, bamirësit të njohur, drejtuesit të fondacionit “Fundjava Ndryshe”, Arbër Hajdari

 

 

Drejt Skraparit

 

Arbër Hajdari

 

14 tetor 2025

 

Sot në mëngjes u nisa herët. Qielli ishte gri dhe ajri kishte atë freskinë e parë të vjeshtës që të futet në shpirt. U nisa drejt një fshati të thellë në Skrapar, një vend për të cilin pak njerëz kanë dëgjuar – fshati Koprenckë.

 

 

Pas disa orësh udhëtim nga Tirana, lamë rrugën kryesore dhe nisëm ngjitjen në thellësi të maleve.

 

Rruga ishte e rrënuar, e mbushur me gropa e gurë, dhe çdo metër i saj dukej si një provë durimi.

 

Anash rrugës, qindra mini-kantiere të braktisura – vende ku dikur nxirrej mermer apo gur ndërtimi. Një vend i bukur për syrin, por i zbrazët për shpirtin.

 

 

Dukej sikur dikush kishte marrë gjithçka që kishte vlere nga ai vend, dhe e kishte lënë të varfër, të harruar.

 

 

Një Shqipëri tjetër

 

Një Shqipëri tjetër, që rri në heshtje dhe pret të kujtohet.Pas më shumë se një ore e gjysmë udhëtim në terren të thyer, mbërritëm në Koprenckë.

 

 

Një fshat i vogël, i përhumbur mes maleve, ku sot jetojnë vetëm 3 familje.

 

Të tjerat janë shpërndarë nëpër botë – emigrim, qytete, kërkim për mbijetesë. Në Koprenckë, koha kishte ndalur. Nuk kishte shkollë, nuk kishte qendër shëndetësore, nuk kishte asnjë shenjë jete publike. Dimrit, fshati izolohet plotësisht, dhe e vetmja gjë që dëgjon është era që përplaset në dritaret e vjetra të shtëpive të braktisura.

 

 

Jam ndeshur me shumë histori të dhimbshme, por kjo ishte ndryshe…

 

 

Në mesin e kësaj heshtjeje, vizitova një shtëpi ku banojnë dy djem të vegjël, 3 dhe 5 vjeç. Babai i kishte braktisur, dhe tre muaj më parë nënës së tyre i ndërpreu jeta në moshë të re, nga një sëmundje e rëndë. Në atë shtëpi të vogël e të varfër, ku jeta dukej se mbahej me fije, kishte ende dritë – dritën e gruas së dajës së tyre, një grua që i ka marrë nën kujdes këta fëmijë, përveç katër fëmijëve të saj.

 

 

Një grua e thjeshtë, por me zemër të madhe.

 

Në sytë e saj pashë lodhje, trishtim, por edhe forcë të jashtëzakonshme.

 

Ajo nuk kishte shumë – por kishte dashuri.

 

Më tha me një zë të qetë:

 

“S’mund t’i lë në rrugë, janë si fëmijët e mi”

 

 

Në atë moment u ndala.

 

Dy fëmijët luanin me disa copa druri, që për ta ishin lodra.Herë pas here i vogli më afrohej dhe më pyeste me një zë të butë:

 

“Xhaxhi… mami do vij?”

 

Fjalë që të ngulin si thikë në shpirt.

 

 

Nuk dija ç’të thosha. Heshta. Dhe në atë heshtje kuptova sa i pafuqishëm është njeriu përballë dhimbjes.Familjarët më thanë se nëna e tyre kishte ndërruar jetë me një pishman të madh – që po i linte fëmijët pa mbrojtje, pa asnjë garanci për jetën.

 

 

Dhe ata, sot, i kërkojnë çdo ditë. Mu desh të mbaja veten.

 

Ka shumë histori të dhimbshme që më kanë prekur gjatë punës, por kjo ishte ndryshe.

Nuk ishte thjesht varfëri, ishte vetmi, mungesë dhe mall për një përqafim që s’vjen më.

Në sytë e atyre fëmijëve pashë pafajësinë më të pastër të jetës.Pas disa orësh u nisa për t’u kthyer në Tiranë.

 

 

Rruga më dukej më e gjatë se kurrë.

 

Në heshtje, me sytë e fiksuar në dritaren e makinës, i thashë vetes:

 

“Forca Arber… duhet të ecësh përpara.”

 

Sepse këto janë sprovat dhe mësimet e Zotit.

 

 

Nuk e di a do të fle sonte!?

 

 

Në mbrëmje mbërrita në Tiranë.

 

Gjëja e parë që bëra, ishte të përqafoja vajzën time.

 

E mbajta fort në krahë, dhe ndërsa ajo qeshte, unë nuk flisja dot.

 

Në sytë e saj pashë gjithë dashurinë që ata dy fëmijë në Koprenckë nuk e kanë më.

 

Dhe ndjeva mirënjohje, dhimbje, por edhe përgjegjësi të madhe.

 

 

Dua t’u them të gjithëve ju që po lexoni këtë:

 

 

Çfarëdo vështirësie të keni sot, mos harroni – ka njerëz që janë shumë më keq.

 

 

Ka fëmijë që nuk e dinë çfarë është një përqafim nga prindi, që nuk kanë parë kurrë një lodër, që flenë me bark bosh.Nëse keni mundësi, bëni mirë.Nëse keni fëmijë, kaloni kohë me ta.Sepse për ta, dashuria juaj është bota e tëra.

 

 

Nuk e di nëse do mund të fle sonte.

Nuk e di si do të jem nesër.

 

Por e di me siguri që sytë e atyre dy fëmijëve nuk do t’i harroj kurrë. Ata janë ngulitur në mendjen dhe shpirtin tim.

 

 

Se çfarë ndodhi më tej me dy fëmijët… do t’ju tregoj nesër.

 

 

Një skrapalli që jeton jashtë vendit, u fal shtëpinë fëmijëve jetimë dhe ka një kusht të vogël: Të mbetet anonim!

 

 

 15 tetor 2025

 

Dje ju tregova historinë e dy fëmijëve të vegjël nga fshati Koprenckë (Dyrmish), në thellësi të Skraparit.

Dy djem, vetëm 3 dhe 5 vjeç, që kishin humbur nënën dhe ishin braktisur nga babai.

 

Jetonin në kushte të rënda, të izoluar mes maleve, pa ngrohtësi dhe pa asnjë të ardhme.

 

 

Sot, ajo histori mori kuptim tjetër.

 

Në këtë video do të shihni gjithçka:

 

vendin ku jetonin, dhimbjen që përjetonin dhe momentin kur futen për herë të parë në shtëpinë e re, në qytetin e Çorovodës.

 

 

Kjo shtëpi është dhuratë e një shqiptari që jeton jashtë vendit, i cili dëshiroi të mbetet anonim.

 

 

Nusja e dajës, e heshtur, zemërgjerë dhe fisnike

 

 

Në këtë shtëpi u futën edhe nusja e dajës – gruaja e fortë që i ka marrë nën kujdes me shpirt – dhe familja e saj. Një familje që u bë strehë për dy jetimë, sot ka gjetur edhe vetë një strehë për të jetuar me dinjitet.

 

 

Momenti i hyrjes në shtëpinë e re ishte i paharrueshëm: lot, gëzim, shpresë.

 

Ata fëmijë që deri dje kërkonin nënën, sot kanë një shtëpi, një dashuri të re dhe një arsye për të buzëqeshur. Por puna nuk mbaron këtu.

 

 

U bëj thirrje institucioneve shtetërore që të marrin masa për t’u rregulluar statusin e jetimeve këtyre fëmijëve dhe për t’u ofruar përkrahjen ekonomike që u takon me ligj.

 

 

Këta fëmijë nuk kanë nevojë vetëm për strehë – kanë nevojë për mbrojtje dhe për një sistem që të mos i harrojë më.

 

Gjithashtu, kushdo që dëshiron të ndihmojë këta fëmijë në mënyrë periodike, mund të na shkruajë direkt.

 

 

Çdo ndihmë e vogël, kur vjen nga zemra, bën një ndryshim të madh.

 

Falënderime të përzemërta për të gjithë ju që qëndroni pranë nesh, që besoni dhe ndihmoni.

 

 

Histori shprese e “Fundjavës Ndyshe”

 

 16 tetor 2025

 

Dje, dorëzova çelësat e shtëpisë së re dy fëmijëve të vegjël pa nënë e pa baba në Çorovodë.

 

 

Pas një historie që preku zemrat e shqiptarëve, dy fëmijë të vegjël nga fshati i thellë Koprenckë në Skrapar, që kanë humbur nënën dhe janë braktisur nga babai, kanë sot një shtëpi të re dhe një fillim të ri në qytetin e Çorovodës.

 

 

Ky ndryshim i madh erdhi falë ndërhyrjes së Arber Hajdarit dhe ekipit të “Fundjavë Ndryshe”, të cilët, pas vizitës së tyre në terren dhe publikimit të historisë prekëse të dy fëmijëve, bënë të mundur sigurimin e një shtëpie të re për ta.

 

 

Shtëpia është dhuratë e një shqiptari zemërmirë që jeton jashtë vendit, i cili ka zgjedhur të mbetet anonim. Një akt i pastër bamirësie që dëshmon se mirësia e vërtetë nuk ka kufij, as nevojë për emër.

 

 

Nata e parë e fëmijëve jetimë në shtëpinë e re

 

Në pamjet e publikuara nga “Fundjavë Ndryshe”, shihet momenti kur Arber Hajdari i dorëzon çelësat e shtëpisë së re dy fëmijëve të vegjël, që deri dje jetonin në kushte të rënda, të izoluar mes maleve.

 

 

Së bashku me ta, në banesën e re është futur edhe nusja e dajës, gruaja e fortë që i ka marrë nën kujdes fëmijët, bashkë me familjen e saj.

 

 

Pas shumë vështirësish dhe sakrificash, sot ajo mund t’u sigurojë atyre një strehë të ngrohtë dhe një jetë me dinjitet.

 

 

Momenti i hyrjes në shtëpi është i mbushur me emocion: lot, përqafime dhe buzëqeshje.

 

Për dy fëmijët që kanë përjetuar humbje dhe mungesë dashurie, kjo ditë shënon një fillim të ri.

 

“Në sytë e tyre sot kishte dritë dhe gëzim.

 

Kjo është arsyeja pse ne nuk ndalemi – sepse mirësia e vërtetë ndryshon jetë”

 

Ky është vetëm një nga qindra rastet ku “Fundjavë Ndryshe” ndërhyn për t’u ardhur në ndihmë familjeve në nevojë, duke kthyer historitë e dhimbjes në histori shprese.

 

 

 

Falë këtij veprimi, dy fëmijë jetimë dhe një familje e thjeshtë kanë sot një strehë të sigurt, një vend që mund ta quajnë “shtëpi” dhe një arsye për të besuar sërish te jeta.

 

 

 

Shënim:

 

Siç u tha më sipër, ky shkrim është nxjerrë nga statusi i Facebook të Arbër Hajdarit dhe, për arsye teknike është përshtatur në një format tjetër elektronik.

Fotot janë nxjerrë nga video.

 

#“Orakujt…”##