Sipas rrëfimeve të starjelliut Muharrem Gedaj
Poezia e Hasan Zyko Kamberit dihej përmendësh nga shumë njerëz. Recitohej edhe nga gratë dhe vajzat. Ishte origjinal në gjithçka që krijoi. Naim Frashëri ka shkruar: “Ndër poetët shqiptare, Hasan Zyko Kamberi është më i famshmi”. E quajtën mbret të poetëve.
Të tjerë e krahasuan me poetin Hafiz Shirazi. Për Thimi Mitkon ishte “Poet i shkëlqyer në gjuhën shqipe”. Hafiz Ali Korça dëshironte që, “Tyrbja e tij e të vizitohet si varri i Firdeusit që vizitohet edhe sot në qytetin Tus”. Dorëshkrimet e poetit Kamberi gjendeshin edhe në shumë familje të Korçës, myslimanë dhe të krishterë dhe në shumë qytete të vendit.
Kurse Ali Pashë Tepelena këmbënguli që Kamberi të ishte poeti i tij. Dha urdhër të shkonin në Starje të Kolonjës, ta merrnin dhe ta sillnin në Janinë. Të dërguarit e pashait nuk e gjetën në fshat, por qëndruan aty deri në kthimin e tij. Hasani i Zyko Kamberit, – kështu i pëlqente ta thërrisnin, sepse e adhuronte të atin, – shkonte vend më vend me një kalë të bardhë dhe shkruante poezi.
I recitonte ato kafeneve të qyteteve sa herë bashkohej me poetë të tjerë. Njerëzit, (myslimanë e të krishterë), dëgjonin poezitë e tij dhe i shkruanin me alfabetet që njihnin. Kolegët prisnin të dëgjoni vjershat e reja të poetit.
Shkonte shpesh edhe në Berat, Atje njerëzit ruanin dorëshkrime të shumë poetëve. Mit’hat Frashëri, shkruan: “Në Berat, më 1913, kisha parë te z. Sulo Resuli një dorëshkrim shqip (me shkronja turqishte), të vjershave të një Sylejman Ramazani, vjershëtor i dëgjuar n’ato anë, beratas, dhe rrojtur një qind a një qind e pesë vjet me parë; këto vjersha, edhe në mos paçin një të madhe vleftë si literatyrë, do të kenë një importencë (rëndësi) dokumentare, për mendimet, mbase dhe për ngjarjet e kohës.
Në Berat prapë mbahen dhe ruhen dorëshkrime të tjera të vjershëtorëve Hasan i Zyko Kamberit dhe Nesim-it; dhe unë vetë kam në mes të librave të mia dy dorëshkrime të vjershave të Hasanit Zyko Kamberit, dhe njëra prej të cilave të pakën njëqind vjeç i vjetër. Dy libra fetarë në vjershë, të shkruara në Frashër prej Dalib dhe Shahin bejve, këndohen dhe sot në teqet e bektashive.
Mësonj tani se, veç këtyre dy Hadikave, qenka dhe një tjetër, vënë në vjersha prej Haxhi Çiçko nga Korça; dorëshkrimi i kësaj libre u gjend sot në teqe të Melçanit. Hadika e Haxhi Çiçkos do të ketë qenë vjersheruar rreth 50 vjet më parë.”. (Revista Diturija 1916, nr.1, f. 5).
Kur poeti u kthye në Starje, njerëzit e Ali Pashait e morën me vete dhe u nisën drejt Janinës. Starjellinjtë thanë: ‘Na e morën pashanë e këngëve!” Urdhëri i Pashait nuk mund të bëhej dysh. Poeti gjeti atje edhe krijues të tjerë, muzikantë e valltarë të përzgjedhur. Dy këngëtarët më të mirë të Pashait ishin Bektashi nga Starja dhe Muçoja nga Korça. (Mos e ngatërroni me poetin Muçi Zade). Herë pas herë, dilnin para Pashait dhe konkuronin me njëri-tjetrin. Më i miri shpërblehej. Pashai u dhuronte prona.
Me të mbërritur në Janinë e çuan te Ali Pashë Tepelena: “Erdhe më në fund Hasan Zyko Kameberi!”, i tha. (Ndoshta e kishin kërkuar edhe më parë por nuk e gjenin dot). Starjelliu iu përgjigj: “Nga Janina, Kollovoz, vetë shkruan, vetë vulo.”.
Plaku Gedaj nuk e mban mend gjithë poezinë, por shpjegoi se me këto vargje, Kamberi deshi t’i thoshte: “Ju Ali Pashë Tepelena jeni zot i vendit dhe mund të jepni çdo urdhër.”. Pashait i pëlqyen shumë vargjet. Shpërblimi që mori poeti ishte i madh. Thuhet se këtë poezi Hasani i Zyko Kamberit e recitonte shpesh, sa herë që ia kërkonte Pashai.
Kështu e fitoi edhe malin e Stranës, që ndodhet mbi fshatin Starje. Edhe sot e kësaj dite quhet “Strana e Hasan Zyko Kamberit”. Aty u njoh edhe më poetë të tjerë.
Sipas Muharrem Gedajt, poetët e Ali Pashë Tepelenës konkuronin mes tyre. Si poeti më i mirë mbahej një arab. Ishte një njeri i fuqishëm dhe i zi. Flitej shumë për zotësinë e tij, por ardhja e Hasan Zyko Kamberit e kishte frikësuar. Vargjet recitoheshin në një podium, ku vjershëtorët ngjiteshin nëpërmjet shkallëve. I pari u ngjit poeti arab.
Me të përfunduar interpretimi i tij, u thirr në konkurim Hasan Zyko Kamberi. Poeti arab u drodh, shkau nga shkallët dhe u rrëzua. Hasan Zyko Kamberi i sapongjitur në podium, thuri vargjet në çast: “Evgjiti sytë i ndriti/, shkallët seç i zbriti…”. (Për këtë bejte Gedaj nuk pretendon se është autentik, por i vërtetë në lidhje me ngjarjen). Me këtë poezi Hasan Zyko Kamberi tregoi triumfin e tij, u vlerësua si poeti më i mirë. Kohë më pas, vendosi të largohej nga Ali Pashë Tepelena. Në largim e sipër la pas një poezi tjetër:
“Shar (poet) si unë të flasë,
S’gjen njeri të pëlcasë”.
Vargjet i adresoheshin Pashait të Janinës, pasi thuhet se pati një mosmarrëveshje me të, mbi të gjitha Hasan Zyko Kamberit i pëlqente të ishte njeri i lirë.
Sipas plakut Gedaj, poeti ishte me shkollë, mësimet e para duhet t’i ketë marrë në fshatin e tij. Në atë kohë Starja njihej si qytet, ka edhe nga ata që thonë se fshati i tyre kisht tre mijë banorë, ashtu siç ka të tjerë që thonë se numri i banorëve shkonte në 6 mijë. Pas shpërnguljes së starjellinjëve në zonën e Kosturit u krijuan 12 fshatra: Fushëza, Masllavica, Luadhi, Tuholi, Helmësi, Zagaraj etj. Shkollë kishte edhe në qytetin e vogël të Ersekës.
Sipas Wikipedias: Llukë Karafili (1892 – 1976) lindur në Berat, pas marrjes së arsimit fillor… frekuentoi shkollën turke në Ersekë. Pasi mbaroi dy vjet në këtë shkollë u fut në atë Qytetëse (Rushdije) duke vijuar Gjimnazin (Itadijen), por nuk arriti ta vazhdojë për faktin se ishte i dobët në turqishte…”. Kurse Korça kishte të gjitha shkollat e sistemit arsimor.
Studimet e larta Hasan Zyko Kamberi i përfundoi në Stamboll, gjë që tregon se familja e tij ishte në gjendje të mirë ekonomike.
Me t’u kthyer nga Janina, nisi të shëtiste sërish qytet më qytet me një kalë të bardhë. Për poetin thuhet që ishte i varfër, dhe për këtë i referohen trahanase, por kjo nuk është e vërtetë. Poezitë e tij ishin të shumëpëlqyera sepse i këndonte njeriut të thjeshtë dhe urrente padrejtësitë:
Mbreti që urdhëron dynjanë,
Që ka vënë taraphanë ,
E i presën paranë,
Ia di kimenë parasë.
Dhe veziri që është veqil,
Zë sikur të bënet adil,
E mos thot’ dot’ kaly-kil,
Ia di kimenë parasë.
Hasan Zyko Kamberi ishte i adhuruar edhe prej vajzave; kishte qarë hallin e tyre:
Çupatë po bëjnë fiqir,
Vallë, ku e kemi takdir?
I martojnë me pahir
Se umur ndë dorë s’kanë…
Kishte shkruar edhe për Natën e parë të martesës, kishte qarë edhe hallin e grave të veja:
Ndigjoni Hasani se ç’flet,
Se ka dadisur në det,
Kaq tyrli alamet,
Ka qarë hall’ e grave të veja.
Pra, kur bënet dasm’ e valle,
Se ç’iu bienë shumë halle,
Thosh’ o burrë pse s’u ngjalle,
Kam qarë hall’ e grave të veja.
Sa shumë të dëshiruara ishin prej njerëzve poezitë e Hasan Zyko Kamberit e tregon kjo histori e treguar prej Hafiz Ali Korçës, që e kishte dëgjuar nga i ati i tij: Shahin beut të Kosturit, mik i Hasan Zyko Kamberit, i mori zjarr shtëpia. Gjithë njerëzit e familjes dolën jashtë. Flakët po përpinin gjithçka. Shërbëtorët tentuan të shpëtonin ç’të mundnin, por Shahin beu tha me dëshpërim të madh:
“Lëreni të digjet!” Dhe pas kësaj nisi të qante. Një i afërm i tij mori kurajon dhe e pyeti: “Pse po qan Shahin bej?” Shahini iu përgjigj: “Nuk po qaj për shtëpinë, jam në gjëndje të gatit dhjetë shtëpi më të mira se kjo që pata, por qaj për librat e Hasanit që m’u dogjnë dhe nuk kam ku t’i gjej!”.
Të dëshiruar për botimin e poezive të Hasan Zyko Kamberit ishin edhe të krishterët e Korçës . Referuar shumë shkurt artikullit të studiueses Genciana Abazi Egro, “Poeti Hasan Zyko Kamberi, pse s’u botua”, mësojmë se Thimi Mitko tentoi të botonte tri poezi të poetit Kamberi: “Grat e veja”, “Paraja” dhe “Fati im”.
Tri poezitë e citura ia kishte dhënë Anastas Mano, të cilat i kishte gjetur te një dorëshkrim i ruajtur prej shehut të halvetive në Korçë. Grigor S. Mitko e ndihmoi me poezinë mbi historinë e Ibrahimit/Abrahamit. Poezitë u përkthyen në greqisht. Interes për botimin e poezive të Hasanit shfaqi edhe Visarion Dodani, veçanërisht për vjershat “Gjerdeku”, “Nata e parë e martesës” etj. Për gjetjen e poezive u ndihmua nga Lipja i Tasi Jorgjit (Filip Mano). (Gazeta “Panorma”, 8 shtator 2014).
Më 1789, Hasan Zyko Kamberi mori pjesë në luftën turko-austriake mbi Danub, por kjo pjesëmarrje e la zgënjyer. Rallë ndodh që poetët të frymëzohen prej luftrave. Kësaj ngjarjeje, poeti i kushtoi poezinë “Bahti im” (fati im), ku shkruan:
Zu Hasani e zihet,
Me baht’ e tij po prihet,
Vallë, ku rri e fshihet,
Që s’punon, more bahti im.
Edhe në poezinë “Seferi humajun”, (lufta mbretërore) shprehu të njëjtin dëshpërim. Kur e pyetën, ç’mendim kishte për luftën e Ali Pashës me Muavijen, u përgjigj kështu:
Kjo punë more sulltan,
Na ngjet në një bazergjen,
I thotë ngreu ti o xhan,
Ti rri unë në këtë dyqan.
Në vitin 1943-1944 Hafiz Ali Korça shkruante: “Hasani ka patur një tyrbe (mauzole) e cila për shumë vjet u vizitua nga shumë njerëz. Hasan Zyko Kamberi njihej si një burrë i mirë e i shenjtë, por edhe tyrbja e tij pas shumë vitesh u rënua, por starjallinjtë e ndërtuan përsëri.
Hasani si një Alim (savant) i madh, vjershëtor prej dyshekujsh pati famë të bujshme; tyrbja e tij meriton të vizitohet si varri i Firdusit, e cila vijon vizitohet edhe sot në qytetin Tus”. Në Starje, poetin e tyre e therrisnin Baba Hasan. (referuar, “Kultura Islame”, viti 1943-1944, nr. 7-8, f. 201).
Në lidhje me Hasan Zyko Kamberin, Naim bej Frashëri ka thënë: “Hasan Zyko Kamberi në Shqipëri ka qenë (Sulltan-u Shshuara) mbret i poetëve. Hasan Zyko Kamberi dhe Ali Pashë Tepelena, dy pashallarë që s’e duronin dot njëri-tjetrin”.
Emri i poetit Hasan Zyko Kamberi kishte shkuar larg. Vjershat e shkruara prej tij i dinin përmendësh fëmijë dhe të moshuar. Ato thuheshin edhe nëpër dasma dhe kuvende burrash. Kur donin të nxirrnin dufin ndaj mbretit të tyre, kujtonin vargje të tilla:
Mbreti q’urdhëron dynjanë,
që ka vënë taraphanë,
e i presënë paranë,
ja di kimenë parasë…
Kur donin të ngushëlloheshin me varfërinë e tyre, u vinte në ndihmë “Trahanaja”:
“Të mjerëtë hizmeqarë,
do të ecin duke qarë,
cili për derr, cili për farë,
– dritë kush gjeti trahanë!…
Hasan Zyko Kamberi ishte i adhuruar edhe nga vajzat. Ishte i vetmi poet që qante hallin e fatit të tyre:
Çupatë po bëjnë fiqir,
Vallë, ku e kemi takdir?
I martojnë me pahir
Se umur ndë dorë s’kanë…
Miqtë e tij ishin të shumtë. Për ta vjershat e Hasan Zyko Kamberit ishin si gur të çmuar. Gjithnjë mbanin vesh çfarë vjershe të re kishte nxjerrë në dritë poeti i madh i Kolonjës. Bejtet e tij mësoheshin lehtë dhe nuk harroheshin kurrë. Ishin njëlloj sikur t’i kishte nxjerrë nga shpirti i njerëzve. Por, të ishte mik i Hasan Zyko Kamberit nuk ishte e lehtë. Nuk i pëlqente lavdia, ashtu sikurse nuk duronte dot përuljen plot hipokrizi para “të mëdhenjve të vendit”.
Ai ishte pashai i vetëvetes. Dëshironte gjithnjë të ishte njeri i lirë, ashtu si errërat që fryjnë maleve të Gramozit. I pëlqente të udhëtonte e të takonte njerëz. Sa herë që qëndronte diku, dëgjonte të thuhej: “Ka ardhur Hasan Zyko Kamberi!”. Gjithnjë kishte diçka të mençur për të thënë. Ata që nuk e kishin parë kurrë, dilnin të shihnin kush ishte ky njeri me emër kaq të madh. Këngët e tij për të varfërit ishin si melhemi, ironia për mbretër e vezirë ishte buzëqeshja më e bukur që u dhuronte njerëzve që dëshironin të thoshin diçka kundër vezirëve, por kishin frikë.
Që të gjitha këto i kemi dëgjuar nga kujtimet e plakut të moçëm Muharrem Gedaj nga fshati Starje i Kolonjës
Bëmat e Hasan Zyko Kamberit
Bëmat e Hasan Zyko Kamberit kishin shkuar deri në Janinë te Ali Pashë Tepelena. Emri i tij po përmendej ngado njësoj sikur të kishte qenë pashai i një vilajeti të madh. Vetë Ali Pashai kishte dëgjuar të flitej shumë për këtë njeri. Hera-herës i dukeshin si të vërteta dhe herë-herë të pabesueshme. “Të jetë vërtet kaq i zoti”, kishte pëshpëritur me vete. Kërshëria nuk po e linte të qetë. Dëshironte ta njihte një orë e më parë. Pse të mos ishte edhe ai një nga bejtexhinjtë e pallatit të tij.
Vetë pashai nuk e kishte menduar kurrë nëse do të mundeshin të rrinin dy pashallarë në të njëjtin vend. Gjithnjë kishte menduar se edhe Hasan Zyko Kamberi do të ishte po aq i përunjur sa gjithë bejtexhinjtë e tjerë që i kishte mbledhur nga ana e anës. Mbi të gjitha bejtexhinjtë nuk paguheshin keq. Për këngë të bukura merrnin edhe dhurata. Ali Pashë Tepelena dinte gjithashtu se Hasan Zyko Kamberi ishte njeri shumë i zgjuar, dinak dhe i hidhur si zeher, ironinë e kishte në majë të gjuhës, por nuk besonte se poeti nga Kolonja do të kishte guxim të bënte ironi edhe me pashanë e madh të Janinës, i cili nuk donte t’ia dinte as për sulltanin
Të gjitha këto janë kujtime të plakut Muharrem Gedaj, i cili i kishte dëgjuar nga më të vjetrit. Madje, Gedaj është përpjekur të ndërtojë sadopak jetën e Hasan Zyko Kamberit. Nëse u referohemi studiuesve poeti tashmë ka më shumë se 250 vjet që është larguar nga kjo jetë, por plaku i Starjes mendon ndryshe. Për Gedajn, vdekja e poetit nuk është kaq e hershme, pasi ai ka vdekur më vonë nga sa thuhet.
Urdhëri i Ali Pashë Tepelenës
Pashai i Janinës pasi ndenji edhe një çast i menduar, dha urdhër ta gjenin Hasan Zyko Kamberin kudo që të ishte dhe ta sillnin para tij. Befas një ditë në Starje u dukën njerëzit e Pashait. Ata thanë se donin të takoheshin me patjetër me Hasan Zyko Kamberin dhe se pa të nuk mund të ktheheshin në Janinë. Nëse urdhëri i Pashait nuk shkonte deri në fund, atëherë kokat e tyre ishin të humbura. Kërkuan kudo, por Hasan Zyko Kamberin nuk e gjetën dot brenda fshatit.
Starja atë kohë ishte fshati më i madh i Kolonjës. Ka nga ata që thonë se fshati i tyre ka patur tre mijë banorë, ashtu siç ka të tjerë që thonë se numri i njerëzve shkonte në 6 mijë. Ajo çka mbetet e vërtetë është fakti se pas shpërnguljes së Starjes u krijuan 12 fshatra të tjerë, duke filluar nga Fushëza, Masllavica, Luadhi, Tuholi, Helmësi, Zagaraj etj.
Të gjitha këto fshatra u ngritën në afërsi të Kosturit ose përtej kufirit të sotëm. Megjithatë, të dërguarit e Ali Pashait kërkuan shtëpi më shtëpi, kovaçanë më kovaçanë, tek bakejt e bakërxhinjtë, tek argjendpunuesit e orëndreqësit, por Hasan Zyko Kamberi nuk ishte aty.
Ku ishte Hasan Zyko Kamberi?
Lajmet për vendndodhjen e Hasan Zyko Kamberit kundërshtonin njëri- tjetrin. Pati nga ata që thanë se ai kishte shkuar në Kostur tek miqtë e tij, tek Shahin Beu, për të cilin thoshin se ishte njeriu më i pasur i asaj treve, siç kishte të tjerë që thoshin se e kishin parë në Orgockë, Zëmblak, Manastir e Follorinë, Përmet e Skrapar. Të dërguarit e Ali Pashë Tepelenës ishin gati të vinin kujën.
Disa starjallinjë thanë se Hasan Zyko Kamberi ishte nisur vetë në Janinë për të parë Ali Pashë Tepelenën, siç u tha se ai kishte mbërritur në Stanmboll për të vazhduar shkollën. Starjallinjtë thonë që ishte njeri i studiuar.(Në të vërtetë edhe sot e kësaj dite nga studiuesit nuk është thënë nëse Hasan Zyko Kamberi ka qenë njeri me shkollë, ashtu siç nuk kanë përcaktuar dot datën e lindjes dhe të vdekjes.)
Rrëfyesi i kësaj historie thotë se Hasan Zyko Kamber vdiq në vitin 1863. Mendon kështu, sepse e krahason me ditëlindjen e gjyshit të tij, Nevruz Gedajn, pasi kur vdiq ai, Hasan Zyko Kamberi ishte 21 vjeç. Megjithatë ato ditë që Hasani kërkohej me këmbëngulje ishte duke shkruar vjershat e tij, duke shtegtuar vend më vend, ashtu siç bëri gjithë jetën e tij.Muharrem Gedaj nga ato që kishte dëgjuar kujtonte se Starja edhe pse ishte fshati më i madh i Kolonjës në ato kohë, nuk ishte në gjendje të mbante një njeri si Hasan Zyko Kamberi.
Ai ishte një njeri që nuk qëndronte dot në një vend. Edhe pse ka shkruar shumë libra dhe gjithë vjershat e tij mbahen mend nga të gjithë, ai ishte njeri i heshtur. Fliste vetëm kur e donte rasti dhe vendi, por kur fliste, askush nuk ishte në gjendje t’i kthente përgjigje. Ishte starjalli i vërtetë.
Trahanaja
Ndërsa njerëzit e Ali Pashë Tepelenës ishin vënë në kërkim të tij, të tmerruar nga ankthi nëse do të binin në gjurmët e bejtexhiut të dëgjuar. Hasan Zyko Kamberi “fluturonte” mbi një kalë. Ka qënë shumë i dhënë pas kuajve. Tregojnë se e ngiste kalin pa pushim nga njeri vend tek tjetri, nga një mik tek një tjetër. I pëlqente të ishte në lëvizje dimër dhe verë. Thoshte se kudo gjente njerëz të varfër. Ndoshta nga kjo nxori këngën e Trahanasë:
Tetë muaj gjithë ç’janë,
Që e zjejnë dhe e hanë,
Fukarasë i mbajnë hajanë,
Dritë kush nxori trahananë…
Në fshat u kthye me një kalë tjetër të bardhë. Ishte mëngjes herët dhe starjallinjtë prisnin ngrënien e trahanasë. Kërkuesit e Pashait i thanë se duhej ta çonin drejt e tek Ali Pashë Tepelena. U nis drejt e për atje, pa e bërë fjalën dysh. Askush nuk mori vesh se ku kishte qënë Hasan Zyko Kamberi, por të gjithë e dinin se ai kishte qënë duke shkruar këngë për njerëzit.
Pas një udhëtimi të gjatë dhe të lodhshëm u gjend përballë me pashain. Ky i fundit që i kishte marrë vesh periecitë e njerëzve të tij, i tha: “Erdhe me në fund Hasan Zyko Kamberi!”. Starjalliu e pa drejt e në sy dhe iu përgjigj me një bejte:
Nga Janina në Kollovoz,
Vetë shkruan e vetë vulos…
Gedaj nuk e mbante mend gjithë bejten, por thotë se më këtë këngë deshi t’i thoshte: “Ju Ali Pashë Tepelena jeni zot i vendit dhe mund të jepni çdo urdhër”. Nuk është çudi që Pashait të Janinës i kishte pëlqyer kjo bejte. Madje thuhet se kjo vjershë është këndur shumë herë përballë pashait.
Hasan Zyko Kamberi ia përsëriste këtë këngë edhe kur dëshironte t’i kërkonte diçka. Pleqtë kanë thënë se në këtë mënyrë, Ali Pashë Tepelena i dhuroi Hasan Zyko Kamberit, malin e Stranës, mal ky që ndodhet mbi fshatin Starje dhe që sot e kësaj dite i thonë edhe “Strana e Hasan Zyko Kamberit”, çka dhe mbetet një nga faktet e vërteta.
Pas kësaj Hasan Zyko Kamberi u bë një nga bejtexhinjtë dhe ushtarët e Pashait. Ai mori pjesë edhe në luftën e udhëhequr nga Ali Pashë Tepelena në Smederovo, në verilindje të Serbisë në vitin 1789. Megjithatë kujtonte Gedaj, Hasan Zyko Kamberi, nuk arriti të vinte ndonjë pasuri të madhe edhe pse nuk mund të thuhet që ishte i varfër. Ndoshta në këtë kohë nxori këngën:
Kadiut po t’i tregosh paranë
Ters e vërtit sherjanë
Për para e shet tanë
Ja di kimenë parasë…
Konkurrenca e bejtexhinjve
Sipas Muharrem Gedajt, bejtexhinjtë e Ali Pashë Tepelenës konkuronin mes tyre për të nxjerrë më të mirin. Ali Pashë Tepelenës i pëlqente të kishte rreth vetes njerëzit më të mençur. Bejtexhinjtë që kërkonin të ishin pranë pashait ishin të shumë, madje vinin nga çdo anë e botës. Thuhet se bejtexhinjtë konkuronin mes tyre. Deri atë ditë, Hasan Zyko Kamberi nuk kishte konkuruar ndonjëherë.
Vlerësohej si i pakonkurueshëm, por Ali Pashë Tepelena vendosi që të nxirrte në garë edhe Hasan Zyko Kamberin. Poetit nuk i kishte pëlqyer aspak vendimi i Pashait. Një çast deshi të largohej nga pallati, por mendoi se bejtexhinjtë do ta shfrytëzonin ikjen e tij duke thënë se poeti i Kolonjës pati frikë. Ndoshta këtë gjë kishte dëshiruar edhe pashai – ta shihte njeherë me kokën ulur. Nuk mund të kishte tjetër pasha përballë Pashait të Janinës.
Do të konkurroj, tha me vete Hasan Zyko kamberi. Në atë konkurim do të merrte pjesë edhe një arab. Flitej shumë për të. Thuhej se ishte bejtexhi i lindur. Mjaftonte të të hidhte një vështrim dhe bejten e kishte gati. Tregonin se arabi ishte vjershëtor i sprovuar, një njeri i fuqishëm e mjaft i zi. I pari që do të prezantonte bejtet ishte arabi dhe pas tij do të këndonte këngët e veta Hasan Zyko Kamberi.
Bejtet thuheshin në një podium (nëse mund ta quajmë kështu, thotë Gedaj), ku vjershëtorët ngjiteshin nëpërmjet shkallëve. Edhe arabi nuk ishte i qetë. Vështronte shpesh nga Hasani Zyko Kamberi, i cili qëndronte heshtur dhe ndiqte gjithçka i ftohtë dhe ironik.
Gjithsecili njihte vlerën e vetes. Duket se edhe arabi kishte filluar të ndihej i shqetësuar. Kur poeti nga Arabia kishte thënë edhe këngën e fundit, pa Kamberin të ngjitej vrullshëm drejt podiumit. Ky çast e bëri arabin të hutohej dhe të rrëzohej nga shkallët. Atë çast u dëgjua edhe zëri i Hasan Zyko Kamberit:
“Shkallët se ç’i ngjiti
Evgjiti sytë i ndriti…”
(Për këtë bejte Gedaj nuk pretendon se është autentik, por i vërtetë në lidhje me ngjarjen) Me këtë bejte Hasan Zyko Kamberi kishte treguar triumfin e tij, madje u vlerësua si poeti më i mirë, por pas kësaj ai vendosi të largohej nga Ali Pashë Tepelena. Në largim e sipër poeti do të linte pas edhe një bejte tjetër:
Shar (poet) si unë të flasë,
S’gjen njeri të pëlcasë.
Vargjet i adresoheshin Pashait të Janinës.
Sipas kujtimeve të Gedajt, Hasan Zyko Kamberi ka qënë njeri i guximshëm, nëse do të kemi parasysh që kjo bejte i drejtohej Ali Pashë Tepelenës, i cili e kishte vënë përballë bejtexhinjve të tjerë. Por me sa duket nga bejtexhiu është thënë me shumë mjeshtëri, me synimin për të shprehur atë që ai ndjente për veten e tij. Edhe Naimi e ka cilësuar si kryevjershëtor të kohës. Këtë e kam dëgjuar nga njerëzit me shkollë kujton Gedaj. (Në të vërtetë kështu është cilësuar edhe nga studiuesit) Kur ishte në moshë të thyer, Hasan Zyko Kamberi u bë dervish, por në Kolonjë e thërrisnin Baba Hasani.
Tashmë varri i tij ndodhet në tyrben e Starjes, një tyrbe kjo që u dogj në vitin 1914, por që u ringrit nga starjallinjtë përsëri, ndërsa shteti e kishte shpallur monument kulture, status që e ruan edhe sot e kësaj dite. Megjithatë të gjitha këto na tregojnë se dy pashallarë nuk mund të rrinin dot në të njëjtin vend
Krijimtaria e humbur
Gedaj mbante mend se vjershëtori i Starjes kishte shkruar 50 -60 vjesha, por shumica e tyre nuk janë gjetur. Përmbledhja e tij me vjersha ka qënë “Mexhmuaja”. Kur kalëronte mbi kale, ai shpërndante vjershat e tij nga njeri vend tek tjetri dhe këtë e bënte me shumë kënaqësi për miqtë e tij. Ndërsa dhuronte librin, e nënshkruante atë, duke shprehur edhe konsideratat për miqtë.
“Mexhmuanë” e dhuroi edhe tek miku i tij, tek Shahin Beu në Kostur, atje ku poeti ndalte frymën herë pas herë. Tregojnë se mikut të Kosturit iu dogj shtëpia. Për herë të parë banorët e Kosturit e panë Shahin beun të lotonte e të mos e mbante do veten. Të çuditur njerëzit e pyetën nëse Beu nuk ishte në gjendje të ngrinte sërish pallatin e tij që vajtonte kështu si fëmijë, por ai u përgjegj: “Nuk qaj për gurët, por për mexhmuanë që ma mori zjarri” Këto ishin copëza kujtimesh të plakut të moçëm të Starjes Muharrem Gedaj për të treguar kush ishte Hasan Zyko Kamberi, për të cilin studiuesit ende nuk kanë një studim të plotë për këtë njeri të madh, vjershat e të cilit të lënë të habitur.
Ndërkohë kjo është një anë e jetës së poetit, e panjohur deri më tani, e sjellë nga tregimet e Starjallinjve përmes Gedajt.
Jeta e Hasan Zyko Kamberit ka qënë e ndërthurur për një kohë të gjatë me atë të Ali Pashë Tepelenës, e cila nuk ka qenë në vijimësi pa probleme dhe kontradikta. E parë me këtë sy, mund të thuhet se Hasan Zyko Kamberi, ishte Ali Pasha i fjalës së lirë. Dy pashallarë e kishin të vështirë të qëndronin në të njëjtin vend së bashku, aq më shumë kur Hasn Zyko Kamberi nuk bënte dot lolon.
“Poet si mua të flasë,
s’gjen dot tjetër të pëlcasë”, ka thënë vetë poeti Hasan Zyko kamberi
Përgatiti:
Vepror Hasani
