Dashnor Dosti
Sot është Dita e Rinisë apo e Demokracisë.
Është ditë pushimi dhe të gjithë, por sidomos të rinjtë kanë shansin të shtojnë orët e gjumit.
Është e hënë, por mund të quhet edhe e shtunë, edhe e dielë.
Nuk e kam kuptuar kurrë pse 8 dhjetori është ditë feste. Për çfarë mund të festojmë më 8 dhjetor xhanëm?
Jemi vendi i fundit në Evropën Lindore që filluam të lëvizim, pavarësisht se ishim më të shtypurit.
Edhe lëvizjen e filluam atëherë kur filloi të ndihej mungesa e letrës për prodhimin e tollonave.
Edhe pse ishim katandisur kockë e lëkurë si popull, vazhdonim të kishim fuqi të duartrokisnim kongreset e të lëpinim kockat që na hidhnin.
Për vite e vite me radhe nuk doli një rebel që të thoshte MJAFT! Nuk kishte as guxim dhe as nevojë ta bënte.
Dinjiteti nuk ka qenë tipari ynë, përkundrazi.
Burgjet ishin plot, por 90 përqind e të burgosurve ishin ordinerë e jo politikë. Edhe ata të burgosur politikë që ishin, shumica e tyre nuk ishin vërtetë të tillë. Ishin të programuar nga pushteti për të qenë armiq.
Sepse pushtetit i duheshin vazhdimisht armiq për të vajisur me ta ingranazhet e diktaturës dhe kur nuk kishte të tillë i sajonte.
Dhe tani i biem gjoksit pse rëzuam diktaturën.
Diktatura ra.
Ne që çirremi u përpoqëm ta mbajmë në këmbë, por nuk mundëm.
Pastaj krijuam 8 Dhjetorin…
***
Sot është Dita e Rinisë – Dita e Gjumit, Dita e Rakisë!
