Dashnor Dosti
Nëna ime është thuajse 85 vjeç.
Prej 5 vjetësh, pasi më mdërroi jetë im atë, shkoj çdo ditë e kaloj kohë me të. Sigurisht edhe e ndihmoj për shumë gjëra si ilaçet, furnizimet e ndryshme etj. Desh harrova të thosha se ka vite që unë i bëj edhe një shërbim tjetër, i sjell pensionin në shtëpi.

E kam filluar me këtë punë shumë vite më parë, kur pensioni i saj ishte 121 mijë bashkë me disa kompensime. Sepse sot, pas disa rritjeve, ajo merr plot 134 mijë.
Kur i dorëzoj paratë ka dëshirë t’i numërojë. Dhe pastaj shkon e i vendos në një sirtar. -Ti kem për ndonjë plaçkë, thotë si me vete.
Në një rast, disa vite më parë, pasi sistemoi pensionin, u kthye me një pesëmijshe të vjetër dhe mu drejtua mua: -Merri. Mos ma prish. Bli gjëkafshë.
Zgurdullova sytë, por më pas gjykova se do t’i shijojë shumë nëse do i marr. Dhe kështu bëra. Nëse për mua nuk ishte asgjë, për një nënë ishte shumë.
Më pas kjo u bë rregull, shuma u bë 10 mijë lekë dhe pas çdo dorëzimi ajo më thotë rregullisht si vargjet e ndonjë vjershe të mësuar përmendësh “mos ma prish, bli gjëkafshë për vete, se unë nuk dal dot të të ble”
Këtë dhjetor, pasi mori vesh se do të merrte 150 mijë të tjera bonus nga Edi Rama, (vërsniket e saj me të cilat pi kafen çdo mëngjes tek kafeneja e Dorit i kanë mbushur mendjen top se shpërblimin ua ka dhënë Edi Rama personalisht), në vend që të gëzohej u hidhërua për mua që nuk u shpërbleva. Ditën që i çova pensionin bashkë me shpërblimin, pasi i mori plot 284 mijë, i kaloi sa nga njëra dorë në tjetrën, u kthye vrik nga unë:
-Do të të them një fjalë por nuk do ma kthesh.
-Zbraze- i them
-Meri këtë 50 mijë. Le të mos të të japë Edi Rama. Ty të kam unë.
I mora me kënaqësi.
Nuk mu duk thjeshtë një 50 – çe letër, por një lingotë ari.
