Hajri Nuhu

 

Ka kaluar mbi një muaj që me një grup folklorik shkuam në Tomorricë.

 

Na nxiti inxhinier Hektor Bejko, që kishte një ëndërr: Një këngë për gjyshin, Qerim Bejkon, një burrë i dëgjuar i asaj zone.

 

Na ofroi foto edhe Muzeu i Skraparit, ku Qerimi del si pjesëtar çetës së Zaloshnjës. Kishte bërë edhe kurbet…

 

Kënga kërkohej “vënçe” dhe duhej Nesim Mëno,një zë aq i bukur e drithërues, pasues i të madhit Demir Zyko.

 

Nesimi zgjodhi Xhevahir Borën se, fundja edhe ai është tomorricar.

 

Problem ishte klipi i këngës. Skrapari është pa rrugë. Sakrificë e madhe të kalosh Devrinë. Morëm rrugët për tek “Gurët e Leshnjës”.

 

Dhimbje. Miku ynë Petrit Nikolli ngre dronin. Ne bënim me dorë: Ja, atje është Grëmshi. Ku? Ku? Sytë e tij kërkonin fshatin. Mbi ekranin e vogël duke lëvizur pultet e komandës së dronit ai më kot kërkon!…

 

U afruam. Zbritëm në fund të Mëlovës. Përsëri kërkonim Grëmshin. Më kot. Dy shtëpi janë. Kështu na thanë.

 

Në fakt është një familje,jo në lagjen Bejko. Përtej lumit veshtirë, duhet ta kenë edhe fuoristradat. Atje nuk ke …

 

Droni udhëtoi nëpër selishtat e lagjes, nëpër rripat  pafund, përrenjtë, mes shkurreve e ferrave. Dhimbja më e madhe. Nuk ka jetë. Ka vetëm kujtime.

Dhe nuk beson kush se ky fshat dikur, në Mesjetë ishte një qytezë me mbi katërqind shtëpi,me 18 dyqane, xhami, imaret, hamam…

 

Mbi të gjitha në këtë fshat burrash kanë rrënjët Frashërllinjtë e famshëm. E thotë vetë Samiu. Nga ky fshat doli kryarkitekti i Perandorisë Osmane i quajtur Mikelanxheloja i Orientit, Arkitetkt Kasëmi.

 

Nuk e beson kush se pas “prishjes së tij” 22 fise u shpërndanë në tërë Tomorricën e deri në  Berat e Fier, në tërë Shqipërinë, madje edhe në Rumelinë bullgare.

 

Vetë Kahreman Bejko, një nga të parët e Qerimit takoi dy herë Abdyl Frashërin duke i ofruar mbështetjen në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

 

Më pas burra e njerëz të famshëm të Grëmshit bënë histori. Ajo mbetet në letra, në këngë, në kujtime.

 

Se Grëmshi atje në Tomorricë nuk është më .Jo vetëm ai. Janë 6 fshatra që nuk kanë asnjë banor. Emrat e tyre do të mbeten toponime.

 

Ndaj pyetja e mikut tonë verior,“Ku është fshati ?” më shoqëron ende.