…pranoi më mirë punëtorin e ndershëm në Greqi, se sa kryetarin e korruptuar të komunës

 

 

Dashnor Dosti

 

Në 20 gusht të vitit 1984 mora emërimin në shkollën 8 vjeçare të Staraveckës. Do të jepja matematikë. Staravecka dukej qartë nga Koprëncka, pavarësisht se rruga për atje ishte jo më pak se dy orë me ecjen e një djaloshi si unë.

 

 

Drejtori ishte pikërisht Enveri. Ishte edhe kryetari i Këshillit njëkohësisht.

 

 

Enveri të shtinte frikën si drejtues shkolle. Dukej skurpuloz e i frikshëm. Nuk priste momentin, por nëse kishte një vërejtje për të bërë, nuk e zgjaste.

 

 

Ta thoshte copë. Por ishte edhe një vëzhgues i vëmendshëm, profesionist i lindur dhe komunikues bindës.

 

 

Tre apo katër muaj nga emërimi im, vjen në shkollë një ekip kontrolli i Seksionit të Arsimit. I mbaj mënd mirë. Behar Korpa, Iljaz Kapxhiu, Behar Mustafaj etj.

 

 

Në Staraveckë nuk kishte hotel, por edhe nëse do të kishte, njëlloj ishte, inspektorët do të ishin mysafirë të drejtorit.

 

Për çudi Enveri më thërret edhe mua për darkë. Nuk e prisja. Më shumë i druhesha atij se sa inspektorëve.

 

Pas katër vjetësh u ndamë. Më erdhi transferimi i pa kërkuar për në Koprënckë. Të gjithë u kënaqën. Prindërit e mij po ashtu. Vetëm Enver Halilaj dhe unë nuk e donim këtë transferim.

 

Më pas ai fitoi bindshëm si kryetar i Komunës, sigurisht si një i majtë i thekur. Isha mbase i pari që në vitin ‘92 nuk votova politikisht.

E votova.

 

 

Nuk qendroi gjatë në detyrë. Ai nuk ishte i përshtatshëm për tendera, intriga e pisllëqe të tjera. Më mirë një punëtor i ndershëm në Greqi se sa një kryetar i korruptuar Komune.

 

Shumë vite më vonë, në një diskutim me kolegë kam thënë se katër vjetët e shërbimit tim në Staraveckë janë një universitet i dytë për mua, ndëra Enver Halilaj ishte mentori im.