Vetëm katër kilometra nga qyteti i Çorovodës, në buzë të Kanioneve të Osumit, në një nga mrekullitë natyrore të Jugut të Shqipërisë, shrihet fshati Grepckë, një fshat me histori, me shpirt, me energji, por që sot këto energji i janë mpakur nga mungesa e zërave dhe lodrave të fëmijëve, nga mungesa e blegërimave të bagëtive dhe gjithë ajo gjallëri që kishte jeta në fshat.

 

 

Lagjja Qendër ka mbetur me vetëm katër pleq.

 

Në lagjeen Ajasllarë vetëm një shtëpi mban ende dritën ndezur.

 

Në Çuedarë numërohen pesë shtëpi, në Hysenllarë dy, kështu edhe në Zenellarë dy.

 

Dikur oxhaqet nxirrnin tym e oborret gumzhinin nga jeta, sot heshtja “flet” më shumë se fjalët.

 

 

Grepcak është e bukur, me fusha pjellore, me kodra të buta dhe pamje mahnitëse panoramike mbi kanionet e Osumit.

 

 

Por rruga e pashtruar, mungesa e mjekut dhe largimi i të rinjve  e kanë lënë fshatin në mëshirë të kohës. Nuk dëgjohet më zilja e shkollës. Shtëpitë e mbyllura presin…

 

Ndoshta do të çelen përsëri ndonjë ditë!…

 

 

Megjithatë shenja jete ka. Në lagjen Dorës ka lëvizje. V. Fusha ka bërë një investim serioz në kantinë vere, duke punësuar ata pak banorë që kanë mbetur në fshat.

 

 

Në Grepckë A. Guri ka investuar me plantacion vreshtash dhe ullinjësh me një vilë të bukur në mes të pronave të tij, një shëmbull besimi se toka e kësaj ane nuk të tradhton, veçse po e tradhtove ti.

 

Dy djem nga Tirana kanë menduar të investojnë në fshat. Është një shpresë e re. Por për të ringjallur shpresën në Grepckë duhet më shumë, duhet rruga buzë kanioioneve, që të kthehet në arterie zhvillimi turistik; duhet mbështetje për bujqësinë, për begtorinë; duhet vëmendje instucionale dhe ndihmë knkfret për investimet.

 

 

A mund të ringjallet Grepcka!…

 

 

Po, nëse besimi dhe optimizmi shpoqërohet me veprim.

 

Natyrën e ka, tokën e ka, traditën e ka, i mungon ndihma e shtetit dhe iniciativa e bijëve të saj.

 

 

Agron Guri