Segmente dhe hallka të caktuara të administratës në Republikën e Shqipërisë janë o gjysmanalfabete, o analfabete funksionale.
Mora shkas nga lajmet daulleshpuese të ditëve të fundit për shkarjen e rrugëve nëpër Shqipëri.
Televizionet, gazetat, portalet, njerëzit e punës dhe ata të kafeneve thonë në të gjitha format e mundshme fjalinë-titull “Shkarje në rrugën Librazhd – Prrenjas” (mund të shtoja edhe në rrugën Skrapar-Përmet, por dalim krejt nga tema).
Nuk e di se ku duhet trokitur dhe kujt i duhet kërkuar llogari për emrat dhe emërtimet zyrtare në Republikën e Shqipërisë.
Nëse shikojmë me vëmendje disa faqe zyrtare për një qytet përtej Librazhdit do të gjejmë formën PRRENJAS.

(Marrim vetëm disa adresa zyrtare lehtësisht të verifikueshme:)
https://qeverisjavendore.gov.al/…/Ligj-115_2014-Per…
https://sq.wikipedia.org/…/Bashkit%C3%AB_e_Shqip%C3…
https://www.bashkiaprrenjas.gov.al/
https://www.facebook.com/profile.php?id=100064965812711…#
Lexojmë PRRENJAS, BASHKIA PRRENJAS kudo: në harta, në faqen zyrtare Web të bashkisë, në televizion, në shtyp, në Fejsbuk [facebook] etj.
Fatkeqësisht, kuku, ajme, medet dhe vajmedet, kudo ku shkruhet PRRENJAS është gabim.
Kudo ku është shkruar “PRRENJAS”, duhet “PËRRENJAS”, pra me Ë. Pra, jo: PRRE-NJAS / PRRE-NJA-SI por PË-RRE-NJAS / PË-RRE-NJA-SI me Ë.
Përrenjasin e kanë bërë Prrenjas, sepse ë-në ia kanë hequr,
Është gabim, padrejtësi, sa më parë duhet ndrequr.

Argumentet, referencat shkencore e akademike që tregojnë se emërvendi në fjalë duhet shkruar me Ë: PËRRENJAS janë si më poshtë:
- Fjalori enciklopedik shqiptar (1985), f. 832, botim i Akademisë së Shkencave;
- Fjalori i emrave gjeografikë të Republikës së Shqipërisë (2002), fq. 216, me autorë profesorët Emil Lafe dhe Nikoleta Cikuli, botim i Akademisë së Shkencave;
- Fjalor enciklopedik shqiptar (2009), vëllimi III, fq. 2012, botim i Akademisë së Shkencave, f. 2009;
- Fjalor etimologjik i gjuhës shqipe (2017), fq. 1144, me autor akademikun Kolec Topalli, botuar nga Qendra e Studimeve Albanologjike, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë.
- Fjalor i Madh i Gjuhës Shqipe, botim i Akademisë së Shkencave (viti 2026); gjendet në adresën fjalori.online, te zëri PËRRENJAS.
https://fjalori.online/?search=p%C3%ABrrenjas&mode=exact
Pra, për këtë toponim në të gjitha veprat akademike, referuese nuk kemi PRRENJAS, por PËRRENJAS.
Gjithë puna qëndron se duhet ndryshuar, por a ka ndonjë ekonomist që të llogarisë se sa milionë është dëmi i shkaktuar?
Sa milionë lekë duhen për zëvendësimin të këtij emri vetëm për këtë shkronjë të pashkruar?
Sa milionë mund t’u kushtojnë përsëdyti taksapaguesve shqiptarë shtimi i shkronjës Ë tek emri PRRENJAS që të ndreqet kjo gafë gjuhësore?
Gjithçka ku administrativisht shkruhet PRRENJAS (tabela, vula bashkie, harta lokale e kombëtare etj.) duhet asgjësuar dhe duhen kthyer në formën e saktë PËRRENJAS.
Roli i nëpërkëmbur i specialistit të gjuhës në administratën shtetërore është i domosdoshëm.
Gjuhën shqipe e rrudhosin, e fishkin, e përçudnojnë dhe e atrofizojnë analfabetët (funksionalë) nga qendra në bazë, e shkatërron arsimimi anemik nëpër shkolla, e zvetënon mefshtësia dhe moskokëçarja qytetare.
Unë do të inkurajoja të gjithë “presorët dhe zyshat e gjuhës” në bashkinë e Përrenjasit me në krye drejtorët a drejtoret e shkollave, të mbështetur edhe nga qytetarët e ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm, që ta ngrinin zërin derisa të merrnin premtimin për ndreqjen e kësaj gafe gjuhësore, të këtij ngërçi administrativ.
Poshtë emri e shkruar analfabetikisht PRRENJAS!
Lart, siç ka qenë dhe siç duhet të jetë, emri PËRRENJAS!
Më thoni kur të ndreqet kjo padrejtësi e madhe që u është bërë banorëve të Përrenjasit dhe gjuhës standarde shqipe.
Viktor Bakillari
