“Mirse erdhe, o Mehmeti i Skraparit”, (demek kryeministër), i tha dervishi një kryetari komiteti. “Pse jo, iu përgjigj, kryetari, të drejtosh popullin duhet t’i kesh…na…” “S’na the gjë, i u përgjigj dervish Selami, se po të jetë ashtu,,gomari i Nuriut i ka më të mëdha se tëndet”.
Në një muhabet, për ta ngacmuar i thanë dervishit se ti je mësuar me pula të pjekura. “Por ç‘e do, iu përgjigj dervishi, se tani po më pëlqejnë ato që prapulizen”.
***
“Ç’i ke hipur atij gomari aq të vogël, do të biesh me gjithë të”, i thotë një fshatari i vetë, kur e pa që i zinin këmbët në mbërdhe. “Mos u bëj merak, i përgjigjet dervishi, se ky, kur e sheh keq, ngul shkopin”.
***
“Çfarë doje të të jepte zoti ty, dervish Selami, një trëndafil, apo një bilbil”. Ishte fjala për një miqësi të re. “Bilbil, do të doja se trëndafilit, ja i more erë e do ta flakësh në halѐ”.
***
Bajram Alia – Vëndreshë I, kur shkon në Tiranë te kunati, bashkë me të shoqen shkuan për një vizitë te një miku i tyre.
“Shiko, i thotë kunati se këtu vënë gratë përpara”.
“Mos e dhëntë Muhamet Mustafai”, tha ai, por u bind.
Pasi bënë urimet, i thotë Bajrami: “Në Indi për ngarkesë përdorin devenë, por për të bërë rrugë, i vënë gomarin përpara”.
***
I venë disa mësuese në shtëpi për vizitë. Me qenë se kishin minifunde, hiq këtej e hiq andej fustanin, po një copë ishte i shkreti fustan.
Bajrami si e pa ashtu, tregoi një histori.
“Kishte njëri një palë konakë me dy dhoma. Njërën e zbukuroi me lulet e dynjasë, tjetrën e la gurë më gurë dhe i ndau me një perde. Kur lëvizte perdja, nga lulet e asaj ane, ndrinte edhe kjo anë”.
***
“Lum ti, o Bajram, i tha Sulejmani kur e pa Bajramin me gjyslykë, tani shpëtove, se sheh mirë”.
“Sheh syri e jo xhami, o Sulejman”, i thotë Bajrami.
***
Mehmet Hoxha –Vëndreshë I: Vjen xha Metja te ustallarët, një djalë për t’u tallur i hedh një gur dhe thotë:
”Na këtëj, na”.
D.m.th. e bëri qen.
“Ti djalë, i thotë Metja, të lutem më lidh në fund të shkallëve, që të tund bishtin sa herë të hyjë e të dalë jotëmë.
***
Sefer Bano – Vëndreshë I: Unë e di që s’ke punë punë për mua, i thotë Seferi drejtorit të kombinatit, por të lutem mbaj shënim. Kur të vdesë një nga ata rojet, e kam radhën unë, jo po vdiqa unë, shpëtojmë të dy.
***
Mehmet Hysi- Spatharë: “Luman, i tha të nipit, në Berat do të marrësh një shtëmbë për ujë, por ki kujdes ta ruash kur ta shkarkosh nga mushka në avlli”.
“Mbaroi rakia”, i tha e shoqja.
“Kush e mbaroi?”, i kthehet Mehmeti.
“Ti, kush tjetër!”
“Më ke dëgjuar ti duke kënduar, jo. E po Mehmeti s’pi raki pa këngë”.
***
Maksut Xhindja (Dervishi)- Therepel: Do të paguante bakllavanë si dhëndërr në Bubës, por s’ po nxirrte dot paratë. Sa kruajti xhepat, u hoq bakllavaja. Në sofër ishte tasi me rehani. Maksuti hodhi paratë në sofër dhe tha: “Na, u pordha mu në tast!”
Njërës nga nuset i shpëton….Vjehrra për ta mbuluar, bëri zhurmë me enët.
“Mirë zhurmën ia largove, po erën…”, – tha Maksuti.
***
Abaz Kuçi- Vëndreshë II: Pasi u përshëndetën ai pyet të shoqen e mikut se ku punonte. Me mburrje ajo i thotë se punonte në Komitetin Qendror.
“Po në Komitetin Qendror ka edhe halѐ”, i thotë Abazi.
***
“Nene, më bjer legenin, se po më vjen për të vjellë”, – i thotë Abazi së ëmës.
“Ç’ke, i thotë miku”, me të cilin pak më parë kishin këmbyer ca llafe.
“Por po s’ike ti, nuk më pritet e vjella”, – i tha Abazi.
***
Ahmet Aliaj- Vëndreshë I: Shkon për të uruar lindjen e një djali. Nxjerr një pesqindëshe, duke i thënë të zotit të shtëpisë: “Ma shkoq një çikë”.
“Pse ta shkoqësh, hidhe të tërë”, i tha dikush.
“Jo, jo se siç e ka zënë ky, do të bëjë tjetrin së shpejti”.
***
Adem Bakiu-Spatharë: “Të ka rixha efendiu të marrësh gomarin e t’i çosh të dhjetat”, i tha shërbëtori Ademit.
“I thuaj efendiut se gomari është zemëruar e s’do të vijë se i ka hequr tagjinë e dimrit”, thotë Ademi.
Mblodhi: Avdulla BREGU
