Dashnor Dosti

 

Ishte 7 marsi i vitit 1969. Klasë e parë. Tek shtëpia e Nexhipit, poshtë manit të zi, nëse iu kujtohet, ishte një ledh are i thellë me qershi të egra, thanë, lofata, kumbulla, dardhë, gorica, kulumbri e, natyrisht, ferra.

 

 

Midis ferrave dhe barit që nuk thahej kurrë, duke filluar nga fundi i shkurtit, kishte lule manushaqe pa fund.  Aq shumë kishte sa jeshilja e barit sfumohej nën vjollcën e manushaqes.

 

Ishte një bukuri e rrallë, sidomos për ne, fëmijët. Të kënaqej syri kur e shikoje atë lëndinë të pjerrët ngjyrë vjollcë.

 

 

Ky vend ishte parajsa jonë e festës së shkollës. Të vinte keq të prekje qoftë një lule të vetme dhe ne vërtet nuk i dëmtonim, madje i ruanim me fanatizëm. Vetëm për 7 mars nuk kurseheshim.

 

 

Në ato kohë ne nuk njihnim asnjë dhuratë tjetër për mësuesin, përveç tufës së manushaqeve. Të gjithë njëlloj, të njëjtën dhuratë, tufën e bekuar të manushaqeve. Diferencën e bënte numri i fijeve dhe ai që kishte tufën më të madhe ndihej njëlloj fituesi në garën për tufën më të bukur.

 

 

Mësuesi ynë, Dhimitër Vahiti ishte nga Gjirokastra. Vishej me një fëshfëshe që e përdorte edhe në shi edhe në ngricë.

 

 

E mbaj mend si tani momentin kur u rreshtuam para fillimit të mësimit. Tufat e manushaqeve të fshehura. Nuk duhej t’i shikonte askush. As mësuesi.

 

Më pas, hyrja brenda në klasën e thjeshtë. Mësuesi hynte pak më vonë dhe ne të gjithë me shpejtësi vendosëm tufat tona të manushaqeve në një kavanoz të madh të mbushur plot me ujë, duke formuar në tufë të stërmadhe.

 

 

Askush nuk mund të identifikonte tufën e vet. Gara kishte përfunduar. Tani vetëm një gjë kishte rëndësi dhe kjo gjë ishte reagimi i mësuesit.

 

 

E dinim se maksimumi do të ishte një buzëqeshje. Vetëm kaq. Por ai bëri shumë më tepër.

 

 

Na vështroi gjatë njërin pas tjetrit, na kushtoi shumë kohë në këtë vështrim dhe nuk na tha asnjë fjalë, por lëvizi ngadalë midis rreshtave duke na prekur të gjithëve me radhë kokën apo supet.

 

 

Ne e ndjenim dashurinë e mësuesit tonë pavarësisht se ai fliste shumë pak.