E kemi bërë të njohur edhe herë të tjera në platformën mediatike “Orakujt e Tomorrit”. Banon në  fshatin Jagoll të Kërçovës, është mësues veteran, shumë i njohur në trevat shqipbanuese dhe shqipfolëse të Shqipërisë matanë kufirit, të quajtur Maqedoni e Veriut.

 

Me skraparllinjtë dhe “Orakujt e Tomorrit” ka një lidhje tepër të ngushtë shpirtërore, pasi  është një nga nxënësit e Mësuesit të Popullit dhe Qytetar Nderi i Kërçovës, Pertef Therepelit nga Skrapari, i cili, prej vitit 1940, bëri gjithë jetën e tij aktive deri sa vdiq në Jagoll të Kërçovës.

 

 

Profesor Nazifi, siç i thërrasin të gjithë në atë trevë, është nga ata njerëz, që më shumë se sa prindërit dhe të afërmit e tij në varreza, nderon dhe respekton mësuesin e tij.

 

 

Ne skraparllinjtë duhet t’i jemi thellësisht mirënjohës për këtë.

 

 

Nazifi, me një biografi të pasur si misionar i arsimit në trojet shqiptare në Maqedoninë e Veriut, veç si mësues, ka një veprimtari të admirueshme edhe si studiues dhe hulumtues i trashgimisë kulturore të popullit, por edhe si krijues.

 

 

Më më poshtë po botojmë një cikël poetik nga krijimtaria e tij.

 

 

 

Nostalgji

 

 

S’jam poet e s’di të shkruaj,

 

bashkë dy vargje s’i bëj dot,

 

po ç’t’i bëj k’saj zemrës sime,

 

m’kullon gjak e syri lot.

 

 

M’kujton ditët e rinisë;

 

vendi vlonte nga rinia,

 

gra e burra n’fushë e ara,

 

e n’shulla zbardhte bagëtia

 

 

E do shokë të asaj kohe,

 

se ç’u tretën nuk e di.

 

Thurnim ëndrra djaloshare

 

për atdhe e për liri.

 

 

Dielli lind si nga moti,

 

hëna natën zbukuron,

 

e një mjegull para syve,

 

hapi hapin ç’e rëndon.

 

 

Doruntina del te kroi:

 

Ku je vëlla, ku mbeti fjala?

 

Nëntë vjet nënën pa e pa,

 

qyqe mbeti n’vrri e thana.

 

 

Gjergjelez pash qiell e dhe!

 

Çohu bre burr se u bë nami!

 

Sot po shkelet nder i motrës,

 

nder’i kombit e vatanit.

 

 

Ju vëllaznit që ngritët ura

 

skaj më skaj e n’dhe të huaj,

 

kur e ngritët themelurën

 

vallë ku mbeti besa juaj?

 

 

A qe ëndërr a e vërtetë,

 

kjo që thashë kush me e ditë.

 

A qe veç një kometë

 

netëve t’errëta që bën dritë?

 

 

 

Ëndërr kurbetqari

 

 

Kur të vij babi në shtëpi

 

Voglushët e mi

 

Ç’tju sjelli babi vallë

 

Nga një fustan me pika

 

Apo top të larmë

 

 

Mos doni këpucë të reja

 

Për flokët nga një trëndafil

 

Nga një orë të vockël

 

Apo çorapë jeshil

 

 

Babi ynë i dashur

 

Ç’të themi më pare

 

I duam të gjitha vallë

 

Por kur të vish

 

Do të puthim

 

Në sy

 

Faqe

 

E ballë

 

 

Dhe s’duam gjë tjetër

 

Por, të vish

 

Të vish

 

Sa më parë!…

 

 

 

Nënë

 

 

Kush i dha diellit dritën

 

Kush i jep ngrohtësinë

 

Këngë bilbilit, aromë lules?!

 

Ajo është fjala nënë

 

Fjala nënë, s’është veç fjalë

 

Është një zemër sa një mal

 

Mall’ e dhimbë sa vetë mali

 

Është  vetë jeta që na fali

 

Është  dora që na rriti

 

Shpirti i saj që na ndriti

 

Pëllumb paqeje e mirësisë

 

Nëna, zemër e njerëzisë

 

Kur kem’ mirë e kur kem’ keq

 

Del nga shpirti si ofshamë

 

Aq e dlirë, aq e ëmbël

 

Si gjaku që vlon në zemër!

 

 

 

Unë e ti  Kosovë

 

 

Kapërdijmë male e gatuam dheun, me duar e parmendë,

Dhe shtruam sofrën edhe për mikun

 

Ngritëm kulla e oxhaqe, të mbajmë ndezur kandilin e jetës

 

E frangji me grykëpushke për armikun

 

Patëm shumë netë të zeza e të gjata

 

Të errëta pus si fundi i ligësisë

 

Por ti Kosovë kurrë s‘u dorëzove

 

Kokëlartë qëndrove shtigjeve të histories

 

Dhe hidheshin hordhitë me gjysmëhëna e kryqe

 

Lotonin diell e hënë nga mizoritë

 

E kullat tona rrënjëthella e kulmqiella

 

Të ngurta e të forta

 

Me syrin shkëndi, e n‘zemër yllin e lirisë

 

U bënë tmerr‘i mizorisë

 

Dhe rishtas shqipet kokë më kokë

 

Nënëloket përkundin djepat e djelmërisë

 

Ju hiena e zvarranikë, kujdes kur t‘shkelni në tokën arbërore!

 

Ka zot ky truall i Ilirisë!

 

Kosovë, urime ditën e pavarësisë!

 

 

 

Brenga e bylbylit

 

 

Një bylbyl në degë të lisit

 

Se ç’ja thotë këngës me vaj

 

Diç po thotë se lulja e fisit

 

S’po më flet me gjuhë të saj.

 

Bekoi Zoti trëndafilin

 

Me aromë e bukuri

 

Blegërimën i dha qengjit

 

E shqiponjës madhështi

 

Zogjtë e shqipes ngado jeni

 

Dhe e lat vatanin shkret

 

Gjuha e nënës që ju rriti

 

Si mallkim do të ju ndjekë

 

Prijësi i fisit shqip ju foli

 

Zoti bekoi gjuhën tuaj

 

Mos ia ktheni kaq shpejt shpinën

 

Po sa të shkelni në dhe t’huaj

 

Mos t’ju verbojë pasuria

 

Se vatani ju kërkon

 

Gurë e lis në vendin tuaj

 

Natë e ditë për ju rënkon

 

Ti bylbyl thueja këngës

 

Me gëzim e me hare

 

Kur t’thërret zëri atdheut

 

Bijtë e shqipes këtu i ke!

 

 

Jagoll – Kërçovë, 2023 – 2026