Kaçaku Shasho Gjergjova, që s’dinte gjuhë tjetër veç gjuhës së pushkës
Në lengjendat popullore, disa të vërteta dhe disa të pavërteta, ai paraqitet si një çetar kryengritës, si mbrojtës i njerëzve të varfër nga administrata ushtarake turke; herë-herë si hajdut ordiner i karvaneve tregtare të rrugëve kryesore të Jugut; herë-herë si shpëtimtar i njerëzve të pambrojtur nga hasmëritë dhe padrejtësitë, herë-herë si aventurier pa pikën e moralit, si vrasës me pagesë; herë-herë si frymëzues e hero romanesh, herë-herë sa s’të bën dora të shkruash ngjarjet e tij të papërfytyrueshme
Pas një poezie të poetit tonë skraparlli, Rushan Dosti, për kaçakun Shasho Gjergjova ka patur komente të ndryshme, ndonjë herë edhe të pasakta dhe kontradiktore.
Natyrisht, me mjetin letrar artististik, siç është poezia, me të cilën operon Rushani, nuk mund të sqarohet gjithçka. Rushani duhet përshëndetur që e sjell në vëmendje aristiksht.
Të tjerat ngelen për t’i sqaruar të tjerët.
Siç thamë dokumentet për të janë të pakta.
Veprimtaria e tij fillon në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të, aty nga vitet 1870. Për 25 vjet me radhë, me çetën e tij prej 40-50 vetësh, u end maleve të Skraparit, Përmetit, Kolonjës, Korçës, Voskopojës, Verçës, Sulovës dhe Beratit. Tmerri i autoriteteve turke e postkomandave të tyre. Madje sa qe gjallë ai ato nuk kryenin dot asnjë funksion në këto zona, kishin dalë pothuajse jashtë loje. Dhe ligjin e bënte Shashua komiti.
Ka një gjë të përbashkët në të gjitha historitë që tregohen për të, morali: atij që s’i kishte borxh, nuk i a bënte borxh kurrë. Thonë se s’dinte gjuhë tjetër veç gjuhës së pushkës. Por ai kishte kohë të mjaftueshme t’i mendonte e t’i kthjellonte gjërat, natyrisht sipas kodit kaçak.
I vetmi dokument, po ta quajmë kështu, për Shashon, është libri i Eqerem Bej Vlorës, botuar në Sarajevë në 1911, që mban titullin “Ditar-Nga Berati në Tomorr”, ku jo pa një farë simpatie portretizohet “heroi i pyjeve”, Shasho Gjergjova.
Po japim një pjesë të tij:
Zylyftar Hoxha
Ditar, “Kujtime” nga Eqrem Bej Vlora
“Nga Berati në Tomorr dhe kthim”, tetor 1906
Poshtë fshatit Oshtin ne lamë Tomorricën dhe morëm drejt perëndimit. Rruga kalonte nëpër ca shtresa argjilore të lara e të lëmuara dhe ne ecnim lehtë si në parket. Pranë vendit të quajtur Trovë, më treguan shtegun ku para 10 vjetve, kapedani i famshëm i komitave, Shasho Gjergjova me 7 shokë, kishte çarë rrethimin e 200 ushtarëve.
Edhe sot e kësaj dite shokët dhe pasardhësit e këtij heroi të pyllit bredhin maleve, por “ tani”, – më tha me seriozitet dhe trishtim çaushi im, Hysniu, nip i Shashës, – “ zanati i vjetër e ka humbur shkëlqimin dhe është bërë i zakonshëm. Përse të bredhësh e të copëtohesh maleve, duke qenë se të njejtën gjë mund ta bësh në shtëpi“
Dhe ruajtësi i ligjit filloi të mburrë me zjarr gjyshin e tij dhe i këndoi atij dhe sojit të tij këngë pas kënge.
Po i afrohesdhim qafës nëpër të cilën kalon rruga për në Dardhë…. Në shalë të qafës, ku arritëm nëpër ca gjarpërime midis grykash të zhveshura, qëndron një godinë e hirtë, ndërtuar me pllaka guri të papunuara.
Është një tabor, një postëroje, e cila kishte detyrë të siguronte këtë pjesë të rrugës Berat – Korçë. Nga e djathta e taborit dukeshin një mori grumbuj gurësh në formë piramide, përballë tyre dy pisha të stërlashtë, të vetmuara.
Duke e ditur se në Shqipëri shenja të tilla kanë një kuptim tragjik, i kërkova shpjegime çaushit Hysni. Ai ma ktheu me seriozitet, kur unë i kërkova të thoshte vetëm të vërtetën:
– “Mos vafsha gjallë në shtëpi, zotëri, në paste edhe një fjalë të pavërtetë në historinë që do të të tregoj”, dhe vazhdoi: “Shasho Gjergjova, për të cilin folëm sot, ka qenë një kapedan komitësh i famshëm dhe i drejtë, dhe unë bëj pjesë në familjen e tij”.
Ndër shokët e tij Shasho kishte edhe një djalë arëmëno-vllah, shumë trim, me emrin Sterjo, e ky Sterjo po vuante nga dashuria, sepse prindërit e vajzës, arëmëno-vllehë të pasur nga Voskopoja, nuk donin tia jepnin çupën këtij cubi.
Shasho vendosi ta ndihmojë shokun. Ai u fut natën në shtëpinë e zemërkatilit, e rrëmbeu vajzën dhe ia solli shokut në kasolle. Por me të ikur Shasho, ky i fundit, duke mos dashur të shkonte kundër vullnetit të prindërve të vajzës, u dorëzohet autoriteteve në Korçë dhe pastaj vajza u kthye përsëri në shtëpinë e vet.
Atëhere Shasho vendosi ta rregullojë njëherë e mirë këtë punë. Ai çoi fjalë në Voskopojë që të lirohet djali nga burgu, ti kthehet atij e shoqja dhe për gjithë telashet që u janë shkaktuar tu jepet edhe një shumë e madhe parash si shpërblim, ndryshe çifti i pleqve do të kishte të bënte me të.
Urdhri i tij jo vetëm që nuk u vu në vend, por përkundër, u lajmëruan edhe autoritetet dhe arëmëno-vllahu, pa pyetur për kërcënimet e Shashos, vazhdoi të çonte karvane mallrash në Berat, por tanimë nën mbrojtjen e suvarive.
Shashko priti deri sa vjehrri i shokut të tij erdhi me një karvan veçanërisht të pasur. Këtu, në këtë vend, zotëri, në të djathtë të grumbujve të gurëve, ai e sulmoi karvanin vetëm me 10 shokë, vrau 17 suvarinj dhe qiraxhinj, 8 mushka dhe mori me vete në mal plakun.
Pastaj nxorri fjalë se për ta liruar atë, kërkon shokun e vet Sterjon, ende në burg, të fejuarën e tij si edhe 1 mijë florinj. Kushtet u pranuan.
Atje ku sot janë ata dy bredhat e lartë u bë dasëm e madhe për çiftin e ri, ku morën pjesë të gjithë miqtë, madje edhe ushtarët e Taborit. Për kujtim të kësaj dite Shashko urdhëroi të priteshin të gjithë pemët, me përjashtim të këtyre dy bredhave.
Kjo punë i dha Shashkos nam të madh dhe miq të shumtë. Sterjo me gjithë të shoqen, shumë mirënjohës, zbriti në fshatin e vet dhe jetoi i lumtur e me gjithë të mirat, e bëri edhe një tufë fëmijë. Çifti jeton ende, në mos pastë vdekur”.
Me këtë formulë të zakonshme e përfundoi Hysniu historinë e tij. Dhe kur e falënderova për tregimin e bukur, ai shtoi plot gaz: “ E shikon zotëri, nuk ka sherr pa gruan, siç e thotë edhe fjala e urtë e popullit”.
. . . Ndërkaq, tek rrinim aty, para nesh kalonin karvane njeri pas tjetrit: – Arëmëno-vllehë me gra të bukura nga Voskopoja si edhe nga fshatrat përreth Vlorës apo të Myzeqesë, tregtarë nga Berati, ustallarë nga Opari që shkonin në bregdet, barinj nga Labëria që ktheheshin me bagëtitë e tyre nga kullotat e bjeshkëve të Dusharit, si edhe birbo të dyshimtë dhe gati për të vjedhur nga zonat përreth Sulovës.
Në më pak se 1 orë mund të formoje një ide të mirë mbi etnografinë dhe ekonominë e Shqipërisë së Mesme.
Të mos ishte varfëria kaq e madhe, pamja e tyre do të kishte qenë edhe më piktoreske. Nëpër qytete kostumi kombëtar është më i njënjëshëm dhe i punuar mrekullisht, por këtu vihet re ndikimi absurd dhe i pështirë i Perëndimit. Jo rrallë të sheh syri që mbi fustanellën shqiptare të vishet një pardesy pariziane…. “!
