Ka qytete që lindin nga historia e lashtë, ka qytete që i përkasin hartës, ka qytete që lindin nga puna, nga ëndrra, nga sakrifica dhe ka vende që i përkasin zemrës, Poliçani është një prej tyre, qytet i vogël me shumë dashuri.

 

 

Poliçani… një emër që nuk është thjesht qytet, por një copëz zemre që rreh ndryshe për këdo që ka lindur aty.

 

 

Në mesin e viteve ’60, mbi një fushë të qetë, të rrethuar nga kodra që dukeshin si krahë që përqafonin jetën, nisi të ngrihej një ëndërr. Një qytet që nuk lindi rastësisht, por nga duart e njerëzve, nga djersa dhe shpresa.

 

Përbri, madhështor dhe i heshtur, rrinte Tomori – mali i perëndive, sikur të ishte rojtar i përjetshëm i fatit të këtij vendi e poshtë tij, Osumi rridhte qetë, si një këngë e vjetër që i tregonte kohës historinë e saj.

 

 

Natyra dukej sikur e kishte bekuar këtë qytet që në fillim, duke i dhënë një bukuri të rrallë dhe një qetësi që të hynte në shpirt.

 

Por ajo që e bëri vërtet të gjallë Poliçanin, nuk ishin vetëm kodrat, mali apo lumi… ishin njerëzit.

 

 

Aty erdhën njerëz nga çdo cep i Shqipërisë… punëtorë, inxhinierë, mësues, mjekë… njerëz që nuk sollën vetëm duart për punë, por edhe zemrat plot jetë.  Secili solli diçka nga vetja, një copëz historie, një shpresë të re.

 

Ata nuk ndërtuan vetëm uzinën e armëve dhe fishekëve, ata nuk ngritën vetëm ndërtesa, shkolla dhe kopshte… por ata ndërtuan jetë dhe mbi të gjitha ndërtuan një komunitet me një familje të madhe ku të gjithë njiheshin, respektonin dhe mbështesnin njëri-tjetrin.

 

Ishin vite që kishin kuptim… vite që sot duken si një kujtim i artë.

 

 

Ndërtuan një qytet që merrte frymë.

 

U krijuan familje të reja… u dëgjuan të qeshurat e para të fëmijëve në rrugicat e saposhtruara… u ndezën dritat në shtëpitë e vogla që mbanin brenda ëndrra të mëdha. Çdo derë ishte e hapur, çdo fqinj ishte si vëlla. Ishte një kohë kur fjala kishte peshë, kur respekti nuk kërkohej, por jetohej.

 

 

Sa e bukur ishte ajo jetë…

 

 

Fëmijët mbushnin rrugët me zëra e tyre të qeshura ku i jepnin larmi ngjyrash qytetit .Oborret e çerdheve dhe kopshteve gumëzhinin nga të qarat e të qeshurat e vogëlushëve, nga lojërat e bukura, nga recitimet e këngët ndërsa shkollat ishin vende ku nuk mësohej vetëm mësimi, por edhe respekti, dashuria për njëri-tjetrin dhe për jetën.

 

 

Çdo mësues ishte më shumë se një edukator – ishte një udhërrëfyes për jetën, ishin të dashur ku çdo fjalë e tyre merrte vlerë e jetë tek gjithsecili prej nesh, ata ishin një prind i dytë për ne.

 

 

Pasditeve, qyteti merrte një tjetër gjallëri. Njerëzit takoheshin, bisedonin, ndanin hallet dhe gëzimet. Kishte një thjeshtësi të pastër e të bukur në gjithçka. Nuk kishte shumë, por ajo që kishte ishte e vërtetë. Ishte e ndjerë.

 

 

Mbrëmjet mbusheshin me zhurmën e topit në lagje, me thirrjet e fëmijëve që nuk lodheshin kurrë së luajturi. Oborret gumëzhinin nga bisedat, nga të qeshurat që përziheshin me aromën e bukës së sapopjekur. Dasmat zgjatnin me ditë, këngët jehonin nëpër kodra, dhe gëzimi ishte i përbashkët, si të ishte një festë për gjithë qytetin.

 

 

Prindërit tanë punonin pa u lodhur… jo për pasuri, por për dinjitet. Për të na dhënë neve një jetë më të mirë, një të ardhme më të ndritshme. Dhe ne rriteshim mes dashurisë, mes një bote ku gjithçka kishte kuptim… ku edhe gjërat më të vogla dukeshin të mëdha.

 

Kishte shumë dashuri e respekt në atë kohë, kishte dinjitet në çdo hap të punës dhe jetës, kishte një qetësi e harmoni në çdo përpjekje të tyre.

 

 

Vitet kalonin… dhe Poliçani rritej bashkë me ne.

 

 

Por pastaj erdhën vitet ’90…

 

 

Si një erë e ftohtë që shuan zjarrin, ato vite morën me vete shumë nga ajo që ishte ndërtuar me aq mund. Familjet filluan të shpërndaheshin. Disa drejt Tiranës, të tjerë drejt botës… duke lënë pas jo vetëm shtëpitë, por edhe një pjesë të shpirtit të tyre.

 

 

Rrugët që dikur gumëzhinin nga jeta, nisën të heshtin.

 

Shtëpitë mbetën me dritare që prisnin… prindër që rrinin në prag, me sytë nga rruga, me një shpresë që nuk shuhet kurrë: “Do të kthehen…”

 

Por vitet kalonin, dhe kthimi bëhej gjithnjë e më i rrallë.

 

 

Dhe kështu, dalëngadalë, nisi të zbehej jo vetëm qyteti… por edhe ajo ndjenjë e fortë e njerëzillëkut. Ajo lidhje e padukshme që i mbante njerëzit bashkë.

 

 

Sot, kur e kujton Poliçanin e dikurshëm, zemra të dhemb ndryshe…

 

Sepse nuk të mungon vetëm vendi.

 

Të mungon koha.

 

Të mungojnë njerëzit.

 

Të mungon ajo ndjenjë e pastër që nuk kthehet më kurrë njësoj.

 

Por, sado të kalojnë vitet, sado larg të shkojmë… Poliçani mbetet aty, i njëjti në shpirtin tonë. Si një kujtim që nuk vdes. Si një plagë e ëmbël që dhemb, por që nuk do ta shërosh kurrë.

 

Sepse disa vende nuk janë thjesht vende…

 

janë jetë e jetuar.

 

janë dashuri e mbetur pezull në kohë.

 

janë mall që nuk shuhet kurrë.

 

 

Të dua shumë Poliçani im!

 

 

 

Shënim:

 

Ky shkrim është marrë nga blog-u “Poliçani i brezave”