“Para se të shkojë Tirana në Evropë, duhet të shkojë Skrapari në Tiranë”!…
Fatos Muçaj
Kjo nuk është thjesht një ankesë apo një reflektim mbi problemet, rrugët dhe mungesat.
Kjo është një britmë për një krahinë që po mpaket, po plaket, po zbrazet, është harruar dhe vazhdon të harrohet.
Para rreth dy javësh mora pjesë në ceremoninë e organizuar nga Bashkia Skrapar për dhënien e titullit “Qytetar Nderi” stomatologut të mirënjohur, Dr. Maksim Musabelliu.
Ndër gjithçka që u tha atë ditë, një fjali më mbeti e ngulur në mendje si një gur i rëndë:
“Para se të shkojë Tirana në Evropë, duhet të shkojë Skrapari në Tiranë”!…
Një fjali e thënë thjesht, por që peshon sa një realitet i tërë, sa një dramë, sa një akuzë.
Sepse Skrapari, në vitin 2026, vazhdon të jetë një “xhep”, ashtu siç etiketohej dikur në kohën e socializmit. Ironia më e madhe është se, pas kaq dekadash, ai ka mbetur pothuajse po aty: i izoluar, i harruar dhe i lënë pas dore, si në shprehjen popullore “si Lipe Shtogu”.
Një bashki që lidhet realisht vetëm me Beratin(!)
Pa lidhje normale me Gramshin.
Pa lidhje funksionale me Korçën.
Pa lidhje “naimiane” me Përmetin.
Një hyrje dhe një dalje, sikur të ishte një lagje e harruar, e jo një krahinë me histori, kulturë dhe potencial të jashtëzakonshëm.
Rrugët?
Rruga ekzistuese është pothuajse e rrënuar, pavarësisht arnimeve dhe riasfaltimeve sporadike të bëra një vit më parë.
Rrugët lidhëse me fshatrat janë copë-copë, në gjendje alarmante. Premtime pafund për lidhje me Korçën. Premtime për lidhje me Përmetin. Premtime për lidhje me Gramshin. Premtime për një rrugë të re me Çorovodën.
Por asfalti mungon, punimet nuk kanë nisur, e jo më të përfundojnë, ndërsa premtimet vazhdojnë pa fund.
Skrapari është kthyer në muzeun më të madh të premtimeve elektorale të pambajtura. Ndërkohë, lumenjtë marrin rrugët ekzistuese më shpejt sesa shteti arrin t’i rikonstruktojë.
Shëndetësia?
Ka mbetur vetëm godina e bukur e spitalit.
Mjekët më të mirë ose kanë ndërruar jetë, ose janë larguar drejt Tiranës, Durrësit apo jashtë Shqipërisë. Shërbimet janë minimale. Pothuajse çdo rast serioz përfundon në Berat ose në Tiranë.
Energjia elektrike?
Skandal.
Jo vetëm dimrit, por edhe verës, energjia mungon me orë e madje me ditë të tëra. Në disa zona, flaka e qiririt ndriçon më shumë se llamba elektrike.
Po, janë bërë disa investime në linjat e transmetimit, dhe urojmë të shtohen. Por realiteti ende ulërin.
Uji i pijshëm?
Shumë fshatra vazhdojnë të mbushin ujë si në kohët më primitive. Edhe qyteti funksionon me orare furnizimi.
Industri? Zero.
Fabrika? Zero.
Ndërmarrje prodhuese? Zero.
Bujqësia dhe blegtoria, dikur krenaria e zonës, sot ndodhen në gjendje të mjerë.
Njerëzit?
Janë larguar.
Në Tiranë, në Durrës, në Europë, madje deri në Amerikë e Australi.
Jo sepse kërkonin luks, por sepse në Skrapar sot mezi mbijetohet, jo më të jetohet.
Dhe kjo është tragjedia më e madhe.
Sepse po flasim për një nga zonat më të bukura të Shqipërisë.
Për rakinë e rrushit, “mjekun” e parë familjar.
Për kanionet madhështore të Osumit.
Për Urën e Kasabashit.
Për Grykën e Devrisë.
Për Helmesin historik.
Për Kulmakun fantastik.
Për teqetë bektashiane.
Për Bogovën e freskët dhe piktoreske.
Për ish-Kombinatin Mekanik të Poliçanit.
Për njerëz besnikë, punëtorë dhe të besës.
Për një zonë që natyra e ka bekuar, ndërsa politika e ka braktisur.
Një vend që sot po zbrazet çdo ditë, ndërkohë që dikur furnizonte edhe tryezat e Komitetit Qendror të PPSH-së me prodhimet e veta: raki, verë, mish, mollë, rrush, qershi, arra, pjeshkë dhe shumë produkte të tjera bio.
Bashkia Skrapar?
Le të jemi realistë: të rrimë shtrembër dhe të flasim drejt.
Ajo nuk ka fuqi financiare për të bërë mrekulli.
Nuk mund të nxjerrë para nga hiçi. Madje, ato pak biznese që ende mbajnë frymën gjallë, jo vetëm që nuk duhen rënduar me taksa, por duhen subvencionuar nga shteti.
Kjo ka qenë dhe mbetet detyrë e qeverisë.
E çdo qeverie që ka ardhur dhe ka ikur.
Sepse Skrapari nuk kërkon luks. Nuk kërkon qiellgërvishtëse. Nuk kërkon propagandë.
Kërkon të mbijetojë.
Kërkon rrugë.
Kërkon energji.
Kërkon ujë.
Kërkon shëndetësi.
Kërkon frymëmarrje.
As më shumë, as më pak: kërkon të trajtohet si pjesë e Shqipërisë dhe jo si cepi i harruar i saj, si një xhep i braktisur, madje si një xhep i grisur.
Prandaj, Dr. Maksim Musabelliu kishte plotësisht të drejtë.
Sepse…përpara se Tirana të shkojë në Europë, Shqipëria duhet më parë të kujtohet për Skraparin.
Dhe kur Skrapari të shkojë realisht në Tiranë, atëherë po, Tirana do ta ketë merituar të shkojë në Europë.
