Me dhimbje të thellë dhe pikëllim të madh, u nda nga jeta në mënyrë të parakohshme, në moshën 65-vjeçare, pas një sëmundjeje të gjatë e të rëndë, Luan Fadil Dyrmishi.

 

Luani lindi më 3 qershor 1961 në Çorovodë, në një familje të njohur dhe me tradita nga Koprëncka e Skraparit.

 

Pas përfundimit me rezultate të shkëlqyera të arsimit fillor, shtatëvjeçar dhe të mesëm në vendlindje, ai vazhdoi studimet në Fakultetin Juridik të Universitetit Shtetëror të Tiranës, ku u dallua sërish për përkushtimin dhe rezultatet e larta.

 

Në vitin 1986 u emërua prokuror në Sarandë, ku ushtroi detyrën me profesionalizëm dhe integritet. Më pas shërbeu në Përmet, duke fituar respektin e kolegëve dhe të qytetarëve. Në të dy këto rrethe ai la gjurmë të pashlyeshme për korrektësinë, ndershmërinë dhe përkushtimin ndaj ligjit.

 

Etapa e fundit e karrierës së tij ishte Prokuroria e Beratit, në vitin e trazuar 1997. Në një kohë të vështirë për vendin, përballë një kriminaliteti të egër dhe sfidash të jashtëzakonshme, ai mbeti i palëkundur në detyrën e tij. Kjo përballje e vazhdueshme me realitete të dhimbshme dhe mungesa e mbështetjes institucionale lanë gjurmë të thella në shpirtin dhe shëndetin e tij.

 

Sëmundja e rëndë që e shoqëroi për vite me radhë e detyroi të shkëputej nga puna në vitin 2009. Ishte një ndarje e parakohshme nga profesioni që e kishte dashur dhe ushtruar me dinjitet të rrallë. Jeta iu ndërpre në një kohë kur meritonte të gëzonte frytet e një karriere të ndërtuar me ndershmëri dhe sakrifica, si dhe lumturinë e familjes së tij të mrekullueshme: bashkëshortes Anila, mësuese dhe qytetare e respektuar beratase, dhe djalit të tij Klesti, krenaria dhe vazhdimësia e jetës së tij.

 

Sot, familjarët, miqtë, kolegët dhe të gjithë ata që e njohën, ndajnë dhimbjen për largimin e një njeriu të urtë, fisnik, të drejtë dhe të përkushtuar.

 

Kujtimi i tij do të mbetet i gjallë në zemrat e të gjithë atyre që patën fatin ta njohin dhe ta vlerësojnë.

 

Lamtumirë, Luan!

 

Paç në amshim atë që të mungoi për një pjesë të gjatë të jetës: paqen, qetësinë dhe dritën e përjetshme të Parajsës.

 

***

 

Varrimi bëhet nesër në orë 12:00 në Varrezat e Çorovodës.

Pritja bëhet pranë ish-shtëpisë së tij në Lagjen “2 Dhjetori”