16 shtator 2026 – një ditë e rëndë për Kosovën dhe shqiptarët

16 shtator 2026 – një ditë e rëndë për Kosovën dhe shqiptarët

 

 

Dënimi nga Haga i Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është dhe do të mbetet një nga padrejtësitë më të mëdha ndaj Kosovës dhe popullit shqiptar.

 

 

Dje nuk u dënuan vetëm katër drejtues të UÇK-së. Në mënyrë të tërthortë u godit edhe UÇK-ja, lufta e saj dhe vetë vepra historike që çoi në krijimin e Kosovës së lirë.

 

 

UÇK-ja nuk lindi nga ambiciet personale të katër njerëzve. Ajo lindi nga një popull i shtypur, nga një Kosovë që për dekada kërkoi liri dhe që, përballë dhunës serbe, mori armët për të mbrojtur jetën, dinjitetin dhe të drejtën për të jetuar i lirë në tokën e vet.

 

Prandaj, përtej fatit juridik të katër të dënuarve, ky vendim prek edhe kujtesën e luftës së Kosovës dhe vetë historinë e çlirimit të saj.

 

Re të zeza duken në horizont për Kosovën, e cila sot përjeton edhe një krizë politike e institucionale. Në një moment të tillë, rreziku më i madh do të ishte që shqiptarët të humbnin besimin te vetja, te liria dhe te e drejta për ta mbrojtur të vërtetën e historisë së tyre.

 

Prandaj, sot është koha që të mos heshtet. Çështja e krerëve të UÇK-së duhet të mbetet në ndërgjegjen e shqiptarëve dhe në vëmendjen e opinionit publik, derisa të shterojnë të gjitha rrugët ligjore për drejtësi.

 

Sepse mbrojtja e dinjitetit të atyre që luftuan për lirinë e Kosovës lidhet, në ndërgjegjen e shumë shqiptarëve, edhe me mbrojtjen e vetë kuptimit të lirisë së fituar.

 

 

Mos e lini lirinë të zbehet! Mos e lini kujtesën të shuhet!

 

Tregohuni një popull që e di çfarë do të thotë të jesh i lirë dhe i pavarur. Sepse ajo që nuk mbrohet sot, mund të bëhet shumë më e vështirë për t’u mbrojtur nesër.

 

 

Dje u dënuan katër burra.

 

Por në ndërgjegjen e shqiptarëve u gjykua edhe një pjesë e historisë së Kosovës. Dhe ajo histori nuk mund të dënohet me asnjë vendim gjykate.

 

Kosova është e lirë. Kosova është e pavarur. Dhe liria e saj duhet të mbetet e shenjtë për çdo brez që do të vijë.

 

Nesim Alushani