
17 mars 1944, formohet në Vlushë të Skraparit Brigada e 7-Sulmuese, një nga formacionet luftarake më me peshë të LANÇ
Brigada e VII-të Sulmuese ishte një nga brigadat më të shquara të Frontit Nacional-Çlirimtar gjatë fundit të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri.
Ajo ishte një nga brigadat partizane me intenerarin më të gjatë të luftimeve, që fillonin në Skrapar dhe përfundonin në Vishegradë të Jugosllavisë edhe pse Shqipëria ishte çliruar, duke bërë 3 200 km marrshime dhe 150 beteja të përgjakshme.
U formua në më 17 mars 1944 në Vlushë të Skraparit. Duke u rritur dita ditës në numur, ajo arriti në një efektiv prej 2 229 partizanë, 302 prej të cilëve ranë në fushën e nderit, si Dëshmorë të Atdheut.
Në rreshtat e brigadës u rreshtuan partizanë me eksperiencë në luftë të batalioneve të qarkut të Beratit, të Grupit të Skraparit, të batalionit të rinisë “Margarita Tutulani” etj. Erdhën gjithashtu dhe mjaft partizanë nga qarku i Gjirokastrës dhe nga qarku i Korçës. Në komandë të brigadës u emëruan: komandant Gjin Marku dhe pas Musa Daci; komisar Kadri Hoxha dhe më vonë oficer karriere, Qazim Kapisyzi. Kuadro dhe luftëtarë ishin dhe Adil Çarçani, zëvendëskomisar, Ramiz Alia përgjegjës i Rinisë i brigadës, etj.
Brigda e 7 – Sulmuese qe edhe një shkollë e vërtetë për Shqipërinë e së ardhmes. Nga ajo dualën kuadro që drejtuan ekonominë në fillimet e rindërtimit të vendit si Ramiz Alia, Kadri Hoxha, Gjin Marku Bilo Bregu, Myqrem Fuga, Adil Çarçani, Myzafer Trebeshina, Izet Hysi, Qazim Kapisyzi, Musa Hysi, Sulo Gradeci, Vala Frashëri, Foto Çami, Njazi Braçe si Adil Prishta, Qerim Gjineci, Neshat Hysi, Orhan Frashëri etj.