177 vjetori i Shkollës së Trebickës, më e vjetra në Shqipëri, 42 vjet para asaj të Korçës
Petrit Zeneli
Trebickë Manastir, 8 shtator 1845 – 8 shtator 2022, 177 vjet nga çelja e dyerve të të parës shkollë shqipe në historinë e kombit tonë, që përdori të parën abetare të gjuhës shqipe “Fare i ri Evetar shqip për djelm nismëtorë…” (1845), hartuar nga babai i alfabetit shqip dhe abetares shqipe, vithkuqari i shquar rilindas, Naum Veqilharxhi (Bredhi).
Për këtë ngjarje të madhe, në ato ditë të zeza, obskurantizmi, Spiro Dine (1846-1922), në veprën e tij me titull: “Valët e detit”, shkruan:
“U nxuar dhe Shqipe shkronja,
Zu e mësojnë njerëzia.
U(n) harita dhe këndova (‘)
Sa më dukeshin të mira”.
“Isha djalë 10-vjeç, kur ika nga Vithkuqi në Trebickë, për të mësuar në shkollë të Shën Mërisë në Trebickë, më 1854, në të cilën më shpunë të mësoja prej Dhaskal Fan Xhekës nga Treska. Në këtë shkollë pashë për herë të parë djemtë me nga një abetare bërë prej Naum Bredhit, të cilin më të shumtit e dinë me emrin Naum Veqilharxhi, e me sa gaz i mësonin zantoret (zanoret) a, u, y, e, ë, i; po për fat të lig nuk ndenja përveçse një dimër.
Që aty mua m’u rrënjos dashuria e gjuhës. Më të ikur, iu luçë Dhaskalit të më përshkruante apostullë e pashkëve… djalë jeshë. Nuk prisja pashkë, por prisnja të thosha apostullë shqip”.
Trebicka ndezi e para flakën e diturisë në ato treva, dhe e shpërndau kudo në Shqipërinë Juglindore. Shkolla historike e saj është një xhevahir i kulturës sonë, por mesa duket nuk vlejnë për kulturën e këtij vendi as kalatë, as shkollat dhe as Manastiret e famshme në zonat e thella, vetëm ato në qytete ose afër tyre!
Gjithësesi, gëzuar këtë ditë të bekuar të 8 shtatorit, trebickallinj e Vakëfllinj të dashur, kudo që ndodheni!