“21-shi” i Tiranës, një emër absurd, por dhe një realitet absurd e kaotik si dhe emri
Ilmi S. Qazimi
“Kam 21 vjet që banoj tek -21-shi!”
– Kështu e nisi rrëfimin xha Ilia, një pensionist mbi 80-vjeçar. Jam familjarizuar me gjithçka dhe i përshëndes: pllakat e trotuarit, rrapet, ndërtesat, kthesat, ndotjet e qenve, dyqanët e shumëllojshëm, duke nisur nga ai i bukës, farmacitë, kinkaleritë, domosdo ehe njerëzit e të gjithë moshave dhe dy gjinive, shumica e të cilëve nuk kanë lëvizur, por çdo ditë firojnë. Njoftim-vdekjet janë shtuar shumë këto pesë vitet e fundit.
Përse e ka këtë emër ky vend? Ç’është ky numër?
Realisht ka histori plot ngjyra por sundojnë e bardha dhe e zeza. Le ta fillojmë me radhë e me ngadalë:
Bardhësia historike e një numuri aritmetikor të politizuar
Zanafilla historike e këtij numri daton 144 vjet më parë. Në vitet 1924-1952 në Bashkimin Sovjetik, pas vdekjes së V.I.Leninit, udhëheqës ishte Josif Visarionoviç Xhugashvil, të cilit iu ngjit emri Stalin (shqip do të ishte ‘i çeliktë’), nga që ai ishte i fortë si çeliku sepse ishte ai që mbajti peshën kryesore në koalicionin botëror sovjeto-anglo-amerikan duke luftuar dhe mundur nazizmin hitlerian dhe që shpëtoi botën prej tij.
Bashkimi i 15 Republikave Socialiste Sovjetike ishte në krye të kampit socialist me 16 vende të tjera europiane anëtarë, që përbënin 1/6 e popullsisë botërore të asaj kohe. Në këtë kamp bënte pjesë aktive më të drejta të plota e të barabarta edhe Republika Popullore e Shqipërisë. Ndihma që na dha Bashkimi Sovjetik, me miratimin e Stalinit, pa interesa direkte, ekonomike, ushtarake, politike , kulturore dhe në tërë sferat e e zhvillimit të jetës së popullit tonë të rrënuar nga Lufta e Dytë Botërore, ka qenë e paimagjinueshme dhe e papërsëritshme.
U arrit deri atje sa që midis dy popujve kishte një miqësi aq të thellë shpirtërore sa edhe sot, pas kaq shumë vitesh ekziston ende shoqata e miqësisë edhe tregues të tjerë jo të paktë për rrënjët e asaj miqësie të sinqertë.
Dhe , kuptohet, me nismë, nxitje e pëlqim të politikës së kohës, emri i Stalinit u përdor gjerazi edhe në Shqipëri. Kështu,Kuçovës, në vitin 1951, iu vu emri Qyteti “Stalin” ; dhe iu hoq prapë më 1992 kur nisi kapitalizmi. Po atë vit iu dha ky emër edhe Kombinatit të Tekstileve, por nuk iu hoq se ai “u dogj”!
Datlindja e J.V.Stalinit, që është saktësisht më 21 dhjetor 1878,(paçka se konjukturat e sotme politike e mediatike për qëllimet e tyre çorientuese dhe vetëm mafioze kriminale, e kanë ndërruar në 18 dhjetor), me vendime përkatëse partiake e shtetërore, iu akordua si emër edhe ndërmarrjes së parë më të madhe të ndërtimit në Shqipëri.
Ndërmarrja Shtetërore e Ndërtimit, – shkurt NSHN ose N.N. “21 dhjetori” sepse atëkohë nuk kishte ndërmarrje private të këtij karakteri. Ka qenë viti 1947. Ky vit nismon hyrjen në historinë e urbanistikës shqiptare të emërtimit “21-shi!”
Se çfarë aktiviteti ndërtimor pati ajo ndërmarrje shkruhet,- por ka vite që nuk lexohet-,nëpër dokumente. Mjafton që të kujtojmë:Kombinati i Tekstileve “Stalin”, Varrezat e Dëshmorëve të Kombit 1971, Kombinati Ushqimor “Ali Kelmendi” më 1960, ndërtesa e KQ të PPSH-sot Parlamenti shqiptar, Pallati i Madh i Kulturës 1963, Hotel “Tirana”, Kombinati i Autotraktorëve “Enver Hoxha” 1978, Muzeu Historik Kombëtar 1981, uzinat e tjera mekanike në kryeqytet, spitalet, si dhe mjaft banesa të lagjeve të reja.
E që patëm fjalën, kjo ndërmarrje i kishte zyrat, në mesgjatësinë e Rrugës së Kavajës, në një godinë fillimisht dykatëshe aty ku sot, viti 2022, është poliklinika nr. 9, pak metra pas saj,ku është një grup dyqanesh modeste,ndonjë bankë, një sheshore e vogël me disa pemë, midis të cilave dhe tri portokalle kokrrat e të cilave nuk i prek kush. Në thellësi vazhdojnë ndërtesa banimi.
Dhe me që deri në vitin 1951, ky territor ishte mbuluar me gjemba e ferra, kishte vetëm një vijë nga ku merrte ujë një mulli i vogël dhe me pas në vitin 1957 u ndërtuan disa shtëpi dykatëshe për inxhinierët rusë, objekti më i dukshëm, më i ri ishte ndërtesa e zyrave të asaj Ndërmarrjeje Shtetërore famëmadhe. Dhe njerëzit, që e kanë prirjen nga më e lehta dhe më e rehatshmja, e kishin më mirë ta përdornin atë adresë,shkurt si emër me dy shifra “21”, të vendit ku do të piqeshin apo shkonin etj. Dhe kështu, për forcë të traditës, -që siç dihet, në popull, gjithnjë është më e madhe se forca e ligjit-, mbeti ky emër thuajse,duke u mitizuar.
Sot, në vitin 2022, edhe pse janë bërë aq shumë ndryshime në urbanistikën e këtij territori, janë vendosur emra e mbiemra të tjerë lloj-soj objektesh, madje edhe sheshit i është vënë zyrtarisht emri “Mustafa Kemal Ataturk”, përsëri mbetet thënia: tek “21”-shi. Për më tepër, në të folurën e të gjithë shtetasve dhe atyre që vijnë këtu, edhe në të shkruarën e të folurën mediatike, madje deri te qeveria,emri i këtij vendi ka mbetur po ai i vitit 1947: “21-shi,” me fillesë historiko-gjeografike, që fare pakkush e di, 21 dhjetorin e vitit 1878, ditlindja e J.V.Stalinit!
Një numër-emër që sfidon kohrat me të zezën e tij
Këto tridhjetë vite kapitalizëm, para vitit 2021,shokët e mij dhe unë që jetojmë këtu, vijon xha Ilia, shohim për ditë që janë ndërtuar e kanë mbirë, por edhe janë tharë, mbi 21 objekte dhe biznese të vogla me këtë emërtim “21”. Është edhe rastësi, edhe joshje për tradicionalen por edhe konkurrencë kaotike.
Po iu tregoj disa syresh për ata që nuk i dinë dhe rikujtoj për të tjerët që i kanë parë: Pizza -21; Market -21; Optika 21; Atlete gjermane 21; 21 on 21; Meginails 21; Square 21; Utlet zone 21 etj.
Këtu, në këtë shesh, janë edhe zyrat e Këshillit të Qarkut Tiranë e ato të një shërbimi përmbarimor shtetëror që rrethohen, veç kangjellave të hekurta,edhe nga disa pemë biçim qiparizash ‘të qethur’ anash lart.
Aty, në këtë shesh është edhe një rajon policie, që veç uniformave blu,reklamon me shkronja të mëdha luftën kundër korrupsionit.
Një këpucëfshirës modest, një misërpjekëse nga fshati Paskuqan dhe një çajshitëse e ardhur në kryeqytet, dalin në kohë të mirë, me diell, pa erë dhe shi, diku anash trotuareve të këtij sheshi.Dalin për të fituar qindarka!
Një kafe “Mulliri i Vjetër” ndihmon ata që duan të ulen e të vetshërbehen në skajin lindor të sheshit.Dhe njëherazi katër kafehane të tjera të bukurmobiluara, gumzhijnë në katër cepet e këtij sheshi që mban emrin tradicional “21-shi”.
Në hyrjen lindore dhe daljen drejt veriut të sheshit gëlojnë dy stacione autobusash urbanë të linjës mbi 70 vjeçare “Kinostudio-Kombinat” (edhe këto emra tradicionalë për objekte që janë zhdukur fizikisht sepse ishin të socializmit!), dikur të markës “Viberti ” italian, pastaj, një markë rumune a çeke e më tej “Fisarmonika e Shkodrës”; pas vitit 1990, një autobus model gjerman. Bardhësi me nuanca të lehta, që tregon vartësi të plotë nga kapitali i huaj, gjuha e huaj, morali i huaj…
Gjatë vitve 2020- 2022, “21-shi” është kthyer në një udhëkryq me katër rrugë hyrjeje plot gjyllyrdi dhe dy rrugëdaljeje të ngushta. Ka më se 31 vjet që këtë vend emblematik, i vetëm në Tiranë me emër-numër, ndodhin shpesh e më shpesh vdekje, protesta, bllokime, vrasje, përplasje që më kujtojnë 16 nëntorin 1944, në rrugën e Kavajës ku gjermanët vranë e 81 qytetarë të pafajshëm shqiptarë e italianë dhe dogjën e grabitën me dhjetra shtëpi, madje edhe kisha…
Ngjyra e zezë e ka pllakosur edhe këtë udhëkryq! Në çdo dhjetë kalimtarë shtatë janë veshur në të zezë. Në po aq, pesë janë të moshuar e në pension dhe vetëm dy janë nxënës a studentë. Janë të shumta dyqanet me vitrina të zeza, gri të zëna dhe të murrme. Edhe shtylla e emërtimit të sheshit është e zezë. Natyrshëm apo rastësisht, por kjo e zezë është sunduese. Edhe hekurat ndarëse e bllokuese buzë rrugëkalimit janë lyer me jeshile të errët.
Në një nga afishimet kornizëzezë elektronike 3x 3 x 6 metra gjerësi, gjatësi, lartësi në largësi të lexueshme nga kalimtarët,reklamohet verbueshëm, orë e çast për 24 orë, Tirana si kryeqytet europian i Rinisë! Madje , për risi apo kulturë urbane, nuk e marrim vesh, bashkia në semafor e ka hequr imazhin e njeriut që lëviz kur del ngjyra jeshile e ndalon me të kuqen. Në vend të tij ka vendosur shkronjën “t” të vogël të shtypit të alfabetit tonë. Modernizim, edhe ky”?! Pikërisht aty në rrëzë të këtij semafori shtyllëzi gjallon prej shtatë vitesh vajtueshëm, një lypsar i gjymtuar e pa këmishë që pret lëmoshë duke sfiduar reklamat, njerëzit, dimrin e ashpër dhe beharin e nxehtë.
Edhe këtu, në këtë kompleks urbanistik me vija të kuqe e të bardha, me përrenj të vrullshëm makinash, rreshta të shkëputur me motorrë picash, biçikleta e monopatina; me dyndje njerëzish, madje nuk janë të paktë edhe qentë.
Edhe këtu ndjehen ulërimat e shpirtit shqiptar për rritjen spekulative të çmimeve të bukës,naftës, vajit,vezës…Edhe hundëqeshjet mosbesuese ndaj shfaqjeve mediatike shpërfillëse e hipokrite të qeverisë shfaqen ngado nëpër shesh e trotuare duke shfryrë mosbesim, shqetësim e makth për jetesën.
Ky është 21-shi, shesh dhe udhëkryq, i rrethuar nga pallate banimi 3 – 6 kate, 20 deri 50 vjeçare. Por, oh, ka dy vjet që e ka ndotur pamjen urbane, në veri të sheshit, një pallat i hekurt, ngjyrë tulle të errët i lartë 32 kate i cili na ka zënë tërë pamjen e Dajtit që na i pati falur horizonti, pallat që u ndërtua mbas prishjes së të vetmit Muze të Natyrës të Shqipërisë! Shenjë qytetërimi edhe kjo vallë?
Ky është 21-shi, sfidues i kohës, këtu në Tiranë, ku politikanët, deputetët, zyrtarët e lartë qeveritarë ngjyejnë përditë gishtat e tyre me djersën, gjakun dhe mundin e këtyre banorëve, për t’iu lypur votat dhe për t’iu premtuar ato që kurrë nuk po i realizojnë…”
Këto ishin meraket e xha Ilias, le të marrim ato që na vlejnë!…
21.08.2022