Prof. Dok. Munir Karagjozi: Nderim për ty, Skrapar!…
Prof. Dok. Munir Karagjozi, profesor i njohur, shef i Katedrës i Fiziologji-Farmakologjisë e Biokimisë në Fakultetin e Mjekësisë nga viti 1953 deri në vitin 1973, pjesëmarrës në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, njeri i nderuar dhe i respektuar në rrethet intelektuale të Tiranës, një ditë të bukur vjeshte të vitit 1973, i shoqëruar nga policë, e pa veten hipur mbi një makinë të zbuluar drejt Skraparit.
E nisën të internuar bashkë më të shoqen, mjeken okuliste, Taisja Uzllova. Arsyeja? Se Taisja ishte ruse!
Për një prezantim më të detajuar të profesor Munirit:
ai ishte i ati i volejbollistes së shquar të “Dinamos”, Mjeshtres së Sportit, Zuzana Karagjozit; pas viteve ’90 ngritën familjarisht klinikën e parë private të syrit “Uzllova” në Tiranë.
Profesor Munir Karagjozi nuk rron më, por ka lënë gjurmë të thella dhe pë pashlyera në Skrapar, ku ai, punoi si mjek i thjeshtë për disa vjet.
Duke gërmuar në arkivën time, gjeta rastësisht disa kujtime të tij për kohën që ka qenë në Skrapar, të botuara në vitin 2007 në gazetën “Dielli i Tomorrit”, të cilat po i risjell më poshtë për lexuesiesit dhe ndjekësit e “Orakullit të Tomorrit”.
Z. Hoxha
Nderim për ty, Skrapar!…
Nga Profesor Dok. Mynir KARAGJOZI
Në vjeshtën e vitit 1973, për motive politike, më çuan mjek të përgjithshëm në spitalin e Çorovodës, mbas dy dekadash rresht shef i katedrës së Fiziologji-Farmakologjisë e Biokimisë në Fakultetin e Mjekësisë, qysh me krijimin e tij.
Vija tani nga Tirana tri dekada më pas në Skrapar, në këtë djep heroik të Lëvizjes Antifashiste gjatë Luftës II Botërore, duke kujtuar me nostalgji e krenari të veçantë ato ditë historike të Kongresit të Parë të BRASH-it.
Atëherë u nisa që nga Piqerasi për në Helmës si delegat i qarkut të Gjirokastrës. Vendi se ku do të bëhej ky aktivitet i fuqishëm dhe shumë i rëndësishëm nuk dihej dhe mbahej shumë sekret. Në fillim mbërrita në Përmet ku u takova të gjithë delegatët e Zonës së Parë Operative Vlorë-Gjirokastër, pasi përshkova brenda ditës, fill i vetëm vargmalet e Kurveleshit, Lunxherisë dhe ato të Zgorisë, në kushte të njohura, me vështirësitë dhe të papriturat e asaj periudhe.
Ne ecnim, gjithmonë marshonim sipas planit të komandës që na udhëhiqte nëpër shtigjet e bregoreve të asaj zone pa u diktuar nga okupatori dhe bashkëpunëtorët e tij. Nuk mund të përshkruhet se sa e shijshme ishte gota me dhallë, me hardalli apo buka e misrit me pak djathë apo gjizë që na ofronin fshatarët bujarë në udhëtim e sipër. Kështu kaluam zonën e Dangëllisë dhe nëpërmjet Frashërit, Miçanit dhe Nikollarës, atë të Skraparit, deri sa mbërritëm grup pas grupi në fshatin e Helmësit, në kroin e të cilit delegatët e ardhur nga të katër anët e Shqipërisë (natyrisht ata të Veriut pas shumë ditësh udhëtimi e përpjekjesh me armikun) shuajtëm etjen te ky burim.
Pas mikpritjes tradicionale, shumë të ngrohtë e mbresëlënëse prej banorëve të këtij fshati në vatrat e tyre, karakteristikë kjo që e dallon skraparlliun, veçanërisht në ato kohë të vështira, kur gjithçka bisedohej e bëhej për luftën, ne u përcollëm prej tij me shumë përzemërsi, për t’u ngitur në maloren e thepisur, me rrugë pa rrugë, gjersa arritëm në pikën kulmore të udhëtimit të gjatë me plot variacione e ndodhi.
Kështu, më në fund u zbulua “enigma”, “sekreti”, kur mbërritëm si me thënë ngadhënjimtarë, në fushën e Lirzës, ku u mbajt Kongresi I Rinisë Antifashiste, që mori emrin BRASH. Të mahnitur nga pamja piktoreske që na u shfaq, sidomos takimi plot entuziazëm me delegatët që kishin mbërritur para nesh, kryesisht ata të Skraparit, menjëherë u shkriftësuam, na u zhduk lodhja.
Terreni ku u mbajt mbledhja ishte zgjedhur e parapërgatitur më së miri. Emocionues ishte referati mbi veprimtarinë e BRASH-it mbajtur nga Nako Spiru dhe përshëndetja në emër të udhëheqjes së Luftës nga Enver Hoxha, si dhe ajo e përfaqësuesit të ushtrisë sovjetike pranë Shtabit të Përgjithshëm, etj. Kongresi u bëri thirrje delegatëve për t6ë shtuar radhët e rinisë për çlirimin sa më shpejtë të vendit dhe rindërtimin e tij, për luftën kundër analfabetizmit, etj. Me këtë optimizëm vazhdoi lufta deri më 29 nëntor 1944, ku qindra të rinj e të reja ranë dëshmorë, midis tyre edhe delegatë të këtij kongresi si Syrja Grabocka, Amice Kicaj, Sotir Pojani, Urani Pano, Grigor Diamanti, Jani Sterio etj. etj. Lavdi atyre që luftuan dhe ranë për një Shqipëri me të vërtetë demokratike.
Në mënyrë të veçantë ruaj në kujtesë një nga përvjetorët e atij kongresi, ku unë isha delegat diskutant i tij, u nisa për në Lirëz jo nga Tirana, por nga Çorovoda, me makinënë e urgjencës. Në atë rast bashkë me mua u respektua dhe një nga shokët e mi të ngushtë, ish-delegat, Prof. Muharrem Frashëri, që vinte nga Tirana. Kjo qe atëherë kur unë bashkë me gruan time, Taisja Uzllova (Karagjozi), e cila hapi për herët të parë repartin e Okulistikës në Skrapar, duke shërbyer gjatë gjithë kohës me përkushtim dhe profesionalizëm, e kishim kryer ndërkaq “stazhin” dyvjeçar të qarkullimit dhe ishim “transferuar” në Mat, në qytezën e Klosit, spitali i të cilit sot mban emrin “Taisja Uzllova (Karagjozi)” . Ky vlerësim përjetëson më së miri figurën, veprën e saj, për çka përfitoj nga rasti të shpreh falënderimet më të përzemërta e të sinqerta familjarisht.
Kujtimet e mbresat gjatë periudhës dyvjeçare të jetës dhe të veprimtarisë në tonë Skrapar janë të shumta e të larmishme, të pashlyeshme e prekëse në koshiencë. Ato lidhen me episode e peripecia të veçanta e të vështira, por që vlen të theksohet fakti se gjendja jonë shpirtërore shoqërohej edhe nga dhembshuria, nga inkurajimi dhe dashamirësia e mjedisit që na rrethonte në përgjithësi, dhe e kolegëve në veçanti. Ky ishte çelësi që ndihmoi dukshëm në kapërcimin me sukses të mjaft situatave e detyrave të ndërlikuara të asaj kohe.
Që ditën e parë të prezantimit tim në Seksionin e Shëndetësisë mu plotësua dëshira për të punuar në repartin e Infektivit, të drejtuar nga dr. Asqeri Guri, duke më akomoduar me fjetje e ngrënie brenda në spitalin e sapo inauguruar. Atje, fillimisht u strehova në një dhomë të veçantë të katit përdhes me pajisjet kryesore për një jetë provizore, si me thënë prej “beqari”.
Sa e vështirë do të ndjehej vetmia në kohën e lirë, po të mos ishte shoqërimi, bisedat dashamirëse të kolektivit, që nga ato të punonjësve të kaldajë e të kuzhinës e deri te personeli i mesëm e i larta mjekësor në tërësi. Sa largohej njëri, vinte një tjetër, por më shpesh e më gjatë takohesha me ndihmësmjekun, që më vonë u bë mjek, Mehmet Halipaj, si dhe me doktor Nebiun që kishte sektorin e punë aty pari.
Vlen të përmendet se në këtë ambient unë, duke mos i shkëputur asnjë herë lidhjet me katedrën, përfundova së hartuari tekstin e praktikumit të fiziologjisë normale, i cili gjithashtu u bë një “shoqërues” i kohës së lirë.
Pas një periudhe të shkurtër me ndihmën e pa kursyer të shefit të pavijonit, njëkohësisht drejtor i spitalit, dhe të bashkëpunimit të ngushtë me të gjithë stafin, arrita të mjekoj me sukses mjaft raste të komplikuara të asaj disipline, që nga ana teorike i kisha studiuar para 21 vjetësh, më 1945, në institutin e mjekësisë “Piragov” në Odesë.
Falë atij interesimi të pakursyer të atij kolektivi të mrekullueshëm e të aftë në përgjithësi dhe të kolegëve në veçanti, ish-studentëve të mi, nga të cilët përfitova më shumë nga sa u dhashë, shumë shpejt u inkuadrova edhe si mjek roje nate, ndonjë herë bashkë me gruan. Po ashtu mora pjesë aktive në diskutimet dhe konsultat e rasteve të vështira, sidomos e atyre që kërkonin ndërhyrje urgjente, ndërhyrje të shpejtë e të bazuar shkencërisht.
Si tani sjell ndër mend sa të tilla, e si këto mjaft rezultateve janë kryer atëhere në prezencën e të nderuarit mjekë Qiriako Budës, Profit Canes, Besim Mukës, Isa Metës, Jaso Llazarit, Bashkim Hysit, Kujtim Çibukut, Safigjeta Lamçes, dr. Thomait etj., të devotshëm e të përkushtuar në punë sipas Betimit të Hipokratit, të mbështetur më së miri nga infermierët e talentuar secili sipas specialitetit.
Të inkurajuar nga arritjet pozitive në përgjithësi në sektorin e shëndetësisë së rrethit, siç ishte pakësimi i ndjeshëm i vdekshmërisë foshnjore, i sëmundshmërisë infektive, i tuberkulozit (TBC), i paaftësisë së përkohshme në punë, etj. të shoqëruara nga një organizim i mirëfilltë depistimi, përkushtimi dhe aftësish të lavdërueshme profesionale brenda dy vjetëve u mbajtën tre sesione shkencore të vlerësuara edhe nga qendra e të pasqyruara në anuare (vjetore) të posaçme.
Ishte iniciativa dhe gatishmëria e këtij kolektivi të mbështetur nga shefi i Seksionit të Shëndetësisë, Nevruz Gërxhani që bëri të mundur edhe çeljen e një shkolle infermierie, drejtimi i së cilës mu ngarkua mua. Vështirë, por ja që ia arritëm.
Ne, si unë dhe Taisja gjithmonë bashkëpunuam dhe bashkëjetuam si bashkëqytetarë e jo si jabanxhinj. Dhe këtë Taisja ma shprehte gjithmonë kur binte fjala për Skraparin.
Është mëse e vërtetë ajo që shpreh ndër të tjera në konsideratat e tij në librin “Brenda një jete”, kolegu im dr. Isa Meta: “Edhe në kohën e lirë jeta u programua ndryshe. Me ndihmën dhe organizimin e profesorit e të doktoreshës u vu në skenë vepra e Prof. Dr. Emil Cimbit “Njeriu, kapitali më i çmuar” dhe ne të mjekësisë zumë vendin e parë në rreth”…
Mjedis i ngrohtë, bujar si nga skraparllinjtë ashtu edhe nga populli i Matit, ku unë bashkë me Taisjan “u transferuam”, na dhanë krahë, na dhanë zemër.
Faleminderit vëllezër!