Rike Guri (Gradeci), si i shpëtoi kampit nazist të Mauthauzenit?

Rike Guri (Gradeci), si i shpëtoi kampit nazist të Mauthauzenit?

Moshat mbi 60 vjeç e mbajnë mend Rike Gurin (Gradecin) si një ndër kamerierët më të veçantë të Çorovodës. E mbajnë mend atë, jo vetëm për mirësjelljen dhe buzëqeshjen e jashtëzakonshme, që atij i ishin bërë profesionale, por më tepër për karizmën dhe shkathtësinë prej djali edhe pse ishte në moshë të madhe.

 

Po ky Rike, punëtor, i urtë, i dashur me njerëzit kishte një histori tepër interesante, të cilën ai nuk ia tregoi asnjë njeriu, edhe kur ia kërkonin për ta treguar, pasi ishte kohë e vështirë dhe nuk dihej se si ia merrnin dhe hynte dashje pa dashje ne telashe.

 

Ai kishte qenë partizan në Brigadën e 7-të Sulmuese dhe, në një detyrë që ishte ngarkuar në zonën e Gjrokastrës, e kapin rob gjermanët. Bashkë edhe më 17 të tjerë gjermanët i nisin në Greqi dhe prej andej në kampin e përqendrimit të Mathauzzenit në Gjermani. Aty bënte punë të ndryshme dhe sillej shumë mirë, sa ra në sy të një oficeri gjerman, i cili e nxori nga kampi dhe e çoi në një fermë bujqësore.

 

Edhe këtu ai trajtohej si i burgosur, me 200 gram bukë thekre, dy patate në darkë dhe një gotë çaji, por ishte shumë herë më mirë se sa në kamp, ku të prisnin torturat dhe në fund krematoriumi, furra e diegies përsëgjalli. Në këtë fermë ai i bënte të gjitha punët që i ngarkoheshin.

 

Në vitin 1946 Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, pas dy vjet e gjysmë, e ndihmoi të kthehej në atdhe. Të gjithë u habitën kur e panë, pasi e dinin të vdekur.

Kthimi i i Rikes i gëzoi të gjithë paa masë, sidomos Razien , të shoqen e tij, që e kishte lënë nuse të re.

 

Por nuk qe e thënë, partizanllëkun nuk ia quajtën, sapo u kthye që andej e çuan ushtar dy vjet në Karabururun të Vlorës.

 

I trajtuar në këtë mënyrë, ai ishte në dilemë, kujtoi se me qenien e tij si i burgosur në kampin e përqendrimit do të ndikonte për keq nqë jetën e tij dhe të fëmijëve, ndaj mbajti këtë qëndrim të fshehtë e të mbyllur deri sa vdiq.

 

 

Më pas u gjetën dokumentet dhe fitoi statusin e të keqtrajtuaar të Holokaustit, por atëhere qe tepër vonë për të.

 

I tillë, i heshtur, i urtë e mirë deri në fund ngeli Rike Gradeci. Me siguri që ka zenë një vend të merituar në Parajsë (Z.H.)