Hektor Bejko, inxhinieri i punëve dhe projekteve të mëdha e të rënda

Hektor Bejko, inxhinieri i punëve dhe projekteve të mëdha e të rënda

Sipas bisedës me inxhinierin skraparlli, Hektor Bejko

 

Nga Hajri Nuhu

Zona e Porto-Romanos në Durrës është tashmë një nga qendrat e zhvillimit ekonomik të qytetit bregdetar. Kohë me parë një banor i zonës që punonte në ndërtimin e Portit të Ri fliste më fjalët më të mira për një inxhinier e drejtues firme. Është skraparlli me mbiemer Bejko, mbiemri “të çon vet në vendlindje”…

 

Kënga e montatorit dhe tomorricari Hektor Bejko

Sa nis bisedën me Hektor Bejkon nuk di pse më kujtohet kënga e montatorit. Në fakt titulli i këngës është “Nga e gjithë Shqipëria”. Teksti frymezohej në mesin e viteve ‘70 nga jeta e montatorëve: “Ku s’kemi shkuar, ku s’kemi shkelur, me montatorët kantier më kantier…”

Duket sikur këto vargje janë bërë edhe për personazhin tonë, inxhinier Hektorin. Veçse për të ka rëndësi origjina. Dhe ai e ka krenari që është nga Grëmshi i Tomorricës. Nga ai fshat-qytezë që në Mesjetë kishte aq emër. Edhe pse është larguar 10-vjeçar nga fshati, ai ka mall e nostalgji ,krenari po e po.

 

Se, siç thotë ai: “Grëmshi im është origjina e frashërllinjëve të mëdhenj, vendlindja e Arkitekt Kasëmit të famshëm, fshati i spahinjve e bejlerëve me famë e pasuri…Rebelë ndaj Portës së Lartë ata luftuan. Hynë dhe bënë histori.

 

Gjyshi, Qerim Bejko pjesëtar i çetës patriotike rilindase të Mahmut Zaloshnjes

 

Me krenari ai flet për gjyshin, Qerim Bejkon. Ka qënë pjesëtar në çetën e Mahmut Zaloshnjës. Hektori di përmendesh edhe vargjet që ka thurur për çetën poeti Hekuran Zhiti. Aty është edhe gjyshi i tij. Ka qënë nip tek Shasho Gjergjova – thotë Hektori me krenari.

 

Tani, fshatit të dëgjuar nëpër shekuj, i mbeti vetëm emri dhe lavdia. Më dhimbset. Nuk ka më gjurmë “fshati” atje.

 

Eshtë larguar nga fshati në vitin 1960 dhe familja e tij u vendos në Mbrostar të Fierit. Mësova dhe pas shkollës 7-vjeçare vazhdova gjimnazin “Janaq Kilica”. Ndër më të mirët në vend. Për “pengesa të kohës” edhe pse me rezultate shumë të mira, nuk vazhdoi universitetin. Shkoi ushtar në Artilerinë Bregdetare. U kthye nga ushtria rifilloi shkollën. Prapë një të mesme. Për të marrë një zanat. Këtë kërkonte edhe babai “se zanati nuk të lë pa bukë”

 

Hektori me të atin, Ali Bejko, dalë shumë vite më parë

 

 

Plot katër vjet përfundova për teknik, dega elektrike dhe fillova punë në Azotikun e Fierit. “Në fakt për mua jeta filloi atje, në atë qendër të madhe punëtorësh. Atje mora kulturën e punës,u mësova me disiplinën e saj. Atij kolektivi i kam borxh shumë “.

 

Që nga viti 1976 nisi një tjetër udhëtim. Iu përgjigj thirrjes dhe shkoi në Elbasan. “Kam 46 vjet banor i Elbasanit, por elbasanlli nuk u bëra dot. Mbeta skraparlli, më saktë tomorricar.

 

Endërr kisha universitetin, dhe në vitet 1984-1988 përfundova studimet në inxhinieri mekanike, profili industri. Nga viti 2006 e këtej jam me punë në Durrës, por më vjen keq që edhe “durrsak nuk bëhëm dot”. Thërret gjaku…Më pëlqejnë këngët e trevës, dolli e padyshim edhe ndonjë gotë”. Dëgjon Demir Zykon e këngëtarët e tjerë.

 

 

Kantieret e ndërtimit kanë qënë shtëpia ime…

 

Ndërmarrja e Ndërtim-Montimit në Elbasan  e Kombinatit Metalurgjik ishte më  e madhja në vend. Aty filloi edhe udhëtimi im “i vërtetë”, se përveç kombinatit i erdhi radha Kuçovës, Lushnjes, Beratit, Ballshit…

Kudo, po në punë të vështira. Kanë qënë sfida të vërteta. “Isha pjesë e grupit të projektimit të ujesjellësit Bogovë -Berat. Po në fund të projektit e caktuan përgjegjës sektori në ndërtimin  e tij. Kujton vitet e vështira, por edhe arritjen e objektivit. Ishin 37 km ujësjellës në një terren që ishte në ⅔ mjaft i vështirë . Nuk ishte si sot. Ku kishte mjete atëherë?… Bëhej puna me krahë. Kishte zgjidhje teknike rrugës që binin ndesh me projektin. Do t’i bëje , por edhe rrezikoje . Ishte koha e punës, por edhe e një varfërie që thellohej…”

 

Nuk harron të përmendë emra që për të mbeten të nderuar. Abdyl Pilafi, një njëri me horizont. Më ka pritur e ndihmuar shumë. Një tjetër, Ismail Ahmeti. Shkencëtar në fushën e tij. Një ministër i vërtetë, në ide, në komunikim, shumë njerëzor.

 

Hektori në vitet e rinisë

 

 

Kishte afat vepra. Kisha dhënë fjalën dhe rrija në kantiere ditë -natë. Nuk ishte si sot që veprat ndërtohen me praktikën “hiq e mos këput”. Kishte fjalë atëherë , kishte objektiva. Për atë punë mban edhe një dekoratë nga Kuvendi Popullor.

 

“ Zbatimi është i vështirë. Kam qënë inxhinieri zbatimit në ujësjellësin Kërpicë-Gramsh. Nuk e beson kush, por flinim kantiereve. Udhëtonim me tren. Nuk kishte makina atëherë. Njëherë në javë shikoja fëmijët. Kështu edhe montatorët e punëtorët e tjerë. Më keq ishte kur në dimer hipnim në makinat e punës dhe udhëtonim me orë për tek fronti i punës. Nuk u ndava nga puna me ujësjellësat.

 

Ndërtuam ujësjellësin e Lushnjës,një ujësjellës me puse nga  çerma. Po në Lushnjë ndërtuam fabrikën e tullave. Por edhe në pune të tjera, në vepra si ndërtimin e shtesës së Filaturës në Kombinatin e Tekstileve në Berat,në fabrikën për prodhimin e detergjentëve në Kuçovë, në uzinën e Ferrokromit në Elbasan. Kudo kam punuar. …”

 

Në fakt Hektori i përket asaj gjenerate idealistësh që nuk kursyen asgjë që vendi të bëhej. Ujësjellsat janë, po mendo të ishte Azotiku – thotë ai. çfarë vepre?! Sot fermerët e “paguajnë sa frëngu pulën plehun kimik”. Ta kishim do të eksportonim.

 

 

Kohët ndryshuan -ing.Hektori për punën mbeti i njëjti

 

Vitet ‘90 e gjetën në Elbasan. Në krye të punëve sigurisht. Krenar për çfarë kishte ndërtuar nëpër Shqipëri. Në vitet 1992-1994 është anëtar i këshillit drejtues dhe inxhinier zbatimi i Ndërmarrjes së Ndërtim -Montimit në Elbasan.

 

“Po ecnim në rrugë e shtigje të reja. Për dy vjet (1994-1996) isha drejtues teknik i ndërmarrjes që tashmë ishte private. Në emërtim ishte Ndërtim Montim e Re. Filloi konkurrenca. Nuk kisha frikë, se kisha gjithë atë përvojë nga vitet. Në vitet ‘96-97 ngrita ndërmarrjen private “STEOLB” në Elbasan.

 

U shkëputa për disa vjet në detyra “zyre” si përgjegjës i  Zyrës së Zhvillimit e Investimeve në Prefekturën e Qarkut Elbasan. Ndërmarrjen private e drejtoi bashkëshortja, Fiqëretja që ka mbaruar teknikumin …

 

Por Hektori ‘është prerë” për të qënë në front, pra në zbatimin e projekteve. Që nga viti 2006 e deri 2013 përsëri  drejtues i “STEOLB” shpk Elbasan. Punë të shumta në ndërtime ujësjellësash, rikontruksione shkollash, ndërtime pusesh e stacione pompimi…

 

Duket se Elbasanin si qark e njeh si askush. Më shumë pjesën e Grëmshit si rreth. Kam punuar në atë pjesë,po edhe kur isha “zyrtar” shkoja me dëshirë andej. Më dukej sikur shkoja në fshatin tim edhe kur shkoja deri në Skënderbegas”. Sa për njerëzit, ata jane si ne, me të njëjtat zakone e tradita, por edhe i njëjti karakter.

 

Përvoja – përballë një sfide në një vepër të madhe

 

Dhe nga ajo kohë, për 10 vjet “STEOLB.H” shpk ka tjetër gjeografi punësh. Eshtë zhvendosur në  Durrës. Punon në ndërtimin e Qendrës së Gazit të Lëngshëm me investitor “INTER GAZ” sha Përsëri në zbatim në një pune të madhe e të vështirë.

 

Punimet  e platformës që do të shërbejë për ankorimin e anijeve për shkarkimin e lëndëve djegëse (gazoilit,benzinës, gazit),ndërtimet e linjave e kabinave elektrike,ndërtimi i ujësjellsit nga pika fundore e ujësjellësit në Porto-Romano deri në “ROMANO PORT”.

 

Shumë gjëra që përmend inxhinier Hektori kanë një terminologji që unë dhe ata që e dëgjojnë e lexojnë vështirë ta kuptojnë. Një gje  e kuptojmë. Në këtë vepër të madhe ing. Hektori do të ketë “dorën e tij”. Si specialist i vjetër, si mjeshtër i këtyre punëve, por edhe si njeri. Një projekt madhor sigurisht që kërkon një inxhinier të vërtetë, si i thonë fjalës, një “peshë të rëndë”.

 

I tillë është ai. Nuk është vetëm. Shok ka Olti Bejkon, të birin, edhe ai i zoti. Ka mbaruar për inxhinier ndërtimi në UT. Kombinohet përvoja me të rejat që sjell zhvillimi në sektorë të tillë si tek ky investim, shprehet ai. Familje inxhinierësh jemi, nuk i ndahemi ndërtimit…

 

Vajza  Stela Bejko mbaroi Univeristetin Politeknik në Milano për Arkitekturë. Pas diplomimit punon atje arkitekte. Dhe të vjen mirë që Hektori nuk heq dorë nga skraparllinjtë. Ata më së shumti janë pjesë e ndërmarrjes së tij. “Janë punëtorë dhe dinë të komunikojnë”…

 

Dhe fillon sikur bën apelin, Njazi Alimadhi, Enver Bejko…

 

I paske tomorricarë, më duket – i them.

 

Jo nuk dua t’i ndaj në tomorricarë e skraparllinj. Jam krenar për të gjithë, për ata njerëz, për atë trevë….