“Fjalor krahasues pellazgjisht – shqip”, një libër i ri mbi prejardhjen e gjuhës shqipe
Muharrem Abazaj, studiues prej vitesh, i rreshtuar ndër ata shkencëtarë e studiues kundër linjës zyrtare të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, që mbrojnë tezën e prejardhjes së Ilirëve prej Pellazgëve dhe gjuhës shqipe prej pellazgjishtes, ka dalë këto ditë me librin e tij më fundit në mbrojtje të kësaj teze, “Fjalor krahasues pellazgjisht – shqip”.
Më posht po botojmë një jetëshkrim fare të shkurtër të autorit të këtij libri, Muharrem Abazajt; prarathënien e librit të ri të tij, “Fjalor krahasues pellazgjisht – shqip”, si dhe adresat se ku mund ta gjeni librin.
Muharrem Abazaj ka lindur në Çepan të Skraparit më 15. 02. 1940. Shkollën fillore dhe 7 – vjeçare i ka kryer në fshatin e tij të lindjes, në Çepan.
Shollën pedagogjike e ka kryer ë Berat.
Pas mbarimit të shkollës pedagogjike filloi punën si mësues i shkollës fillorë në Gjerbës. Në vitin e dytë të mesuesisë punoi në Koprenckë.
Pastaj vazhdoi Institutin e Lartë Pedagogjik në Shkodër. E mbaroi me diplomëm “Shkëlqyer”.
Pas përfundimit të Institutit u emërua drejtor i shkolles 8 – vjeçare në Çepan.
Gjatë dy viteve të para të punës dha edhe provimet plotësuese të Fakultetit të Gjuhë Letërsisë Shqipe në Universitetin e Tiranës.
Shkolla e Çepanit u bë shkollë e mesme e bashkuar me profil bujqësor.
Në këte detyrë Muharremi qendroi deri në vitin 1993, kur u largua nga Çepani dhe u vendos në Lushnje dhe më pas në Tiranë.
Aktualisht jetën e tij fizike, familjare dhe intelektuale e bën mes Italisë, ku ka fëmijet, dhe Tiranës.
Iu përket atyre studiuesve kundër rrymës akademike zyrtare të Akademis së Shkencave të Shqipërisë, që mbrojnë tezën e prejardhjes së gjuhës shqipe nga gjuha e Pellazgëve të lashtë, tezë, të cilën, fatkeqësisht, Akademikët tanë nuk e pranojnë.
Muharrem Abazaj
Ka ardhur koha kur gjuhës shqipe duhet t ’i hiqet përgjithmonë ai penalizim që e ka rënduar dhe diskriminuar prej shekujsh, duke e klasifikuar si një gjuhë krejt të re, me një leksik të arnuar me mballoma nga gjuhë të huaja. Gjuha shqipe ka lindur në një kohë me lindjen e komunikimit midis njerëzve më të lashtë.
Si të gjitha gjuhët indoevropiane, por jo vetëm, gjuha shqipe e ka zanafillën tek gjuha e pellazgëve, e atij komuniteti që historia e konsideron si më të lashtin e njerëzimit. Por, në se gjuhët e tjera që rrodhën nga pellazgjishtja, u shkëputën prej saj përmes një evolucion të përshpejtuar, duke përdorur material gjuhësor artificial, gjuha shqipe pati një evolucion shumë të ngadalshëm, duke i qëndruar besnike mëmës së saj, duke mos përdorur asgjë tjetër veç brumit gjuhësor të pellazgjishtes. Kjo bëri që sot shqipja të jetë e vetmja gjuhë nga ku mund të njohim pellazgjishten e lashtë.
Lidhjen e shqipes me pellazgjishten e kanë nuhatur dhe deklaruar prej kohësh shumë studjues shqiptarë dhe të huaj, por mungesa e materialeve të shkruara në gjuhën shqipe përtej shek XV, ka bërë që të ata të mos kishin mundësi ta vërtetonin këtë vazhdimësi gjuhësore.
Fatmirësisht sot kemi në dorë materiale të shkruara në gjuhën shqipe që në lashtësi. Në shumë vende, duke filluar nga Azia e Vogël, Pellgu i Mesdheut, Gadishulli Ballkanik, Gadishulli Apenin e më gjerë, janë gjetur dhe janë në ruajtje shumë mbishkrime të lashta të gdhendura në materiale të forta si gurë, pllaka bakri, ari, tjegulla etj.
Duke punuar për një kohë të gjatë kemi mundur të deshifrojmë mjaft nga këta mbishkrime, përfshirë dhe mbishkrime të gjetura në trojet shqptare Arritëm t ’i deshifrojmë këto mbishkrime vetëm sepse u ndihmuam nga gjuha jonë dhe veçanërisht nga dialekti i gegënishtes. Gjetëm në këto mbishkrime fjalë identike ose shumë të ngjashme me shqipen e sotme. Diferencat dalloheshin lehtë. Fjalët e këtyre mbishkrimeve ishin njërrokëshe dhe nuk i kishin ato elemente që i kanë sot këto fjalë të shqipes, si janë parashtesat, prapashtesat, mbaresat, nyjet.
Deshifrimin e këtyre mbishkrimeve e kam publikuar përmes tre librave që kam botuar, por kisha vënë re me keqardhje se, me përjashtim të pak studjuesëve të pavarur, këto deshifrime nuk ishin kuptuar.Aq më keq që këto materiale nuk i ka marrë në shqyrtim as Akademia e Studimeve Albanologjike, sepse akoma nuk beson se një falt i tillë ëhtë real.
Por kjo ka një arsye. Ndjekja dhe kuptimi i këtyre deshifrimeve është shumë i vështirë, pasi teknika e deshifrimit është mjaft e ndërlikuar. Shkrimi në këto mbishkrime nuk ka ndarje mdis fjalëve, dhe alfabeti me të cilën janë shkruar,është i panjohur Për këtë arsye kam përgatitur këtë fjalor krahasues Pellazgjisht – Shqip,.ku lidhja, vazhdimësia gjuhësore e pellazgjishtes me shqipen dallohet fare lehtë.
Gjuha pellazge, si një gjuhë parake e porsa formuar, ka patur një fjalor shumë të kufizuar, vetëm disa qindra fjalë. Kjo për faktin se të gjitha fjalët e saj kanë qenë njërrokëshe, të ndërtuara nga një tingull i vetëm zanor ose nga kombinimi një zanore një bashktingëllore. Ky fjalor erdhi duke u zgjeruar në shekuj me anën e përngjitjes së fjalëve njërrokëshe dhe shumë më vonë, duke vënë në zbatim mjetet gjuhësore.
Në këtë fjalor kemi pasqyruar të gjitha fjalët pellazge që kemi identifikuar në mbishkrimet që kemi deshifruar, duke i ballafaquar me trajtat respektive që kanë marrë ato në gjuhën e sotme shqipe. Për të siguruar vërtetësinë e këtyre fjalëve kemi futur brenda këtij libri edhe mbishkrimet ku janë identifikuar këto fjalë pellazge.
Jemi besimplotë se ky libër do t’i shërbejë Akademisë së Studimeve Albanologjike për ta patur si dokument bazë për konfirmimin e lashtësisë së gjuhës sonë. Gjithashtu do t’u shërbejë edhe studjuesëve të tjerë që kanë si objekt studimi të tyre lashtësinë e gjuhës shqipe.
Shënim:
Kush është i interesuar për këtë libër, do ta gjejë në Tiranë në librarinë “ Adrion” tek Pallati i Kulturës dhe libraria “Agolli” pranë selisë së PS-së.