5 Maji – Dita e deshmorëve: Gjak që thërret!…

5 Maji – Dita e deshmorëve: Gjak që thërret!…

Një padrejtësi e madhe dhe e dhimbshme historike

 

Katër djem nga Gjerbësi, Besim Nesimi Alushani, Faik Arshin Flamuraj, Resul Qerim Alushani dhe Sadik Qani Alushani, të rënë në Luftë, por endѐ pa u bërë dëshmorë!…

 

Nesim Bektash ALUSHANI

Muaji mars 1943 shënoi një ngjarje të dhimbshme për fshatin Gjerbës të Tomoricës. Katër djem të rinj nga ky fshat, vriten me armë në dorë, në luftë me fashistet italianë dhe xhandarmërinë shqiptare në fshatin Sult të rrethit të Grëmshit. Ata ishin: Besim Nesimi Alushani, Faik Arshin Flamuraj, Resul Qerim Alushani dhe Sadik Qani Alushani. Ishin të rinj në moshën 20 – 25 vjeç, trima dhe të guximshëm, kushërinj midis tyre, por dhe miq e shokë. Ata u lindën dhe kaluan së bashku kohën e fëmijërisë në të njëjtin fshat, në Gjerbës, në mes të varfërisë, vështirësive të shumta dhe gëzimeve ta pakta që u ofronte jeta. Në këto kushte, ata u rritën duke punuar krahas më të rriturve në një ambient shoqëror ku dominonin ndjenjat patriotike dhe idetë përparimtare të kohës.

 

Por ajo që zgjoi te ata ndjenjën e lartë të atdhedashurisë, të shpresës dhe të lirisë ishin veprimet luftarake të çetës së Mestan Ujanikut, shpartallimi i milicëve të Xhaf Balit në Mëlovë më 31 gusht të vitit 1942 dhe çlirimi pesë ditë më vonë, më 5 shtator 1942 i qendrës së Skraparit, Çorovodës, ngjarje që bënë një jehonë kombëtare dhe ndërkombëtare.

 

Besimi dhe Faiku në këtë kohë kryenin shërbimin ushtarak në Elbasan. Në muajin dhjetor të vitit 1942, ata largohen përfundimisht nga radhët e milicisë fashiste dhe kthehen në vendlindjen e tyre ku vendosin kontakte dhe takohen me komandantin e çetës partizane, Xhemal Mestan Ujanikun dhe komisarin Xhevit Struga. Në takim ata kërkuan të bëheshin menjëherë anëtarë efektivë të çetës, por pranimi i tyre u shty për pak kohë për arsye të pamundësisë për të mbajtur më shumë partizanë efektivë në kushtet e dimrit të ashpër që kishte nisur.

 

Në Gjerbës ata gjetën një territor të lirë nga okupatorët dhe një ambient tërësisht antifashist, ku vepronte çeta territoriale dhe pushtetin e ushtronte Këshilli Nacional- Çlirimtar i fshatit. Këtu ata  u njohën me aktivitetin politik të Ismail Alushanit, i cili, si sekretar i rinisë komuniste të Gjerbësit dhe partizan i orëve të para të çetës plakë partizane të Skraparit, kishte frymëzuar shumë të rinj të fshatit që tashmë ishin përfshirë në lëvizjen nacional-çlirimtare.

 

Ishte dimër i vitit 1943. Besimi dhe Faiku mbanin kontakte të ngushta me komandën e çetës partizane e cila, ato javë dimri me borë e ngrica ishte stacionuar kryesisht në fshatrat Ujanik dhe Gradec. Dita e shumëpritur për ata ishte një ditë marsi e vitit 1943. Besimi dhe Faiku u thirrën në komandën e çetës dhe pranohen në radhët e saj. Kjo ditë ishte një ditë e veçantë, sepse pikërisht këtë ditë ata marrin edhe detyrën e tyre të parë për të kryer një aksion të rëndësishëm dhe të vështirë në zonën e Grëmshit. Detyra ishte të kontrollonin postën Elbasan – Gramsh, të arrestonin dy zyrtarë, bashkëpunëtore të ngushtë të fashizmit, dhe t’i sillnin ata në komandën e çetës. Në këtë aksion Besimi dhe Faiku, me dijeninë dhe lejen e komandës së çetës partizane shoqërohen, për t’u përforcuar dhe nga dy kushërinjtë më të vegjël në moshë, Resul Alushani dhe Sadik Alushani.

 

Por ky aksion rezultoi fatal për jetën e tyre. Pas aksionit, gjatë rrugës së kthimit për në çetë, ata tradhtohen në fshatin Sult të Grëmshit nga “miku” që i strehoi në shtëpinë e tij dhe, për pasojë, vriten duke luftuar kundër fashistëve italianë dhe xhandarmërisë shqiptare, të cilët i kishin rrethuar gjatë natës. Thirrjes për dorëzim ata iu përgjigjën me armë dhe si pasoje vriten gjatë shkëmbimit të zjarrit. Sipas dëshmitarëve gjatë përpjekjes tre nga djemtë vriten, ndërsa i katërti plagoset. Komandanti fashist, një oficer italian, kërkon që i plagosuri të dërgohet në spitalin e Elbasanit për mjekim, por ai nuk pranon t’i falet jeta nga fashistët dhe veglat e tyre. Në këtë çast ata e qëllojnë dhe e vrasin.

 

Ky është akti i fundit i historisë të jetës të atyre djemve, regjistruar në atë ditë të zezë marsi të vitit 1943, që ata e shkruan me gjakun e tyre, për të mbetur i skalitur në memorien tonë.

Ky akt heroik, për fatin e keq të këtyre djemve që dhanë jetën në moshën e rinisë, nuk u vlerësua jo vetëm kur ndodhi, por nuk është vlerësuar as sot pas shtatëdhjetë e tre vjetësh. Natyrisht, ky mosvlerësim ka ndodhur për shkak të mosnjohjes të historisë të vërtetë të vrasjes së tyre, e cila nuk u bë e njohur në kohën kur ndodhi, si pasojë edhe në vitet në vazhdim, deri në vitet 1970, mbeti një enigmë.

 

Këtë histori, të vërtetën për këtë ngjarje, e dinte vetëm komanda e çetës partizane, e cila nuk e deklaroi në popull. Duket se vetë përmasa shumë e madhe e kësaj dhimbje për familjarët, nga ana tjetër, do të ishte një bumerang dhe një humbje e madhe për autoritetin që kishte në Tomoricë kjo çetë partizane. Këta djem kishin vetëm tre ditë që ishin pranuar në radhët e saj, kohë e cila ishte e mjaftueshme për të kryer një aksion, por nga ana tjetër, ishte një periudhë  tepër e shkurtër dhe e pamjaftueshme, që ata djem të njiheshin në popull si anëtarë të kësaj çete, aq më tepër që detyra, që morën përsipër të kryenin ata të rinj, kishte karakter sekret.

 

Fatkeqësisht, në atë kohë komanda e çetës mbajti një qëndrim jo të qartë, ajo u mjaftua vetëm një deklarim të thatë, me gjysmë zëri të komandantit të saj, i cili gjatë ngushëllimeve në familjet e djemve të vrarë, u shpreh: “Këta djem ishin njerëzit tanë, ndërsa të vërtetën për këtë vrasje do e mësoni më vonë”. Por ky deklarim rezultoi i pamjaftueshëm për të zbuluar të vërtetën, ndërsa ngjarjet e pasluftës ishin në disfavor të zbulimit të kësaj të vërtete.

 

Përpjekje për të gjetur të drejtën…

 

Bektashi, vëllai i Besimit tregonte: “Kishin kaluar tre ditë që Besimi dhe tre djemtë e tjerë ishin larguar nga shtëpia dhe ne nuk kishim informacion për ta. Për vrasjen e tyre ne u njoftuam nga të dërguarit e çetës partizane. Në familjet e të vrarëve, në Gjerbës, erdhën për ngushëllim, në emër të çetës, Xhemal Ujaniku komandanti i çetës dhe një partizan tjetër që më vonë mësova se ishte komisari  Xhevit Struga. Dhimbja ishte aq e madhe sa ne nuk mund ta besonim se ata ishin vrarë. Më kujtohet se Xhemali, kur më ngushëlloi, para se të largohej më tha: ‘Besimi ishte njeriu jonë dhe ne do hakmerremi’ por unë, në ato momente dhimbje e pikëllimi të madh, i tronditur shpirtërisht , nuk isha në gjendje të thellohesha dhe nuk e kuptova domethënien e asaj shprehje. Në atë kohë unë nuk e dija se Besimi dhe Faiku  ishin duke kryer një detyrë të ngarkuar nga çeta partizane. Xhemali me shokun e tij kur vajtën për ngushëllim te familja e Sadikut, një grua nga lagja, u shpreh: ‘atë që kërkuan gjetën’, por Xhemali ju drejtua asaj dhe i tha: “Ti, motër, mos fol ashtu, sepse të vërtetën do e merrni vesh më vonë”. 

  

Bektashi dëshmonte dhe gjithmonë fliste hapur për këtë ngjarje sepse kishte të drejtën me vete. Ai fliste për vëllanë e tij të vetëm, të rritur jetim, të vrarë nga pabesia, në luftë me fashistët italianë dhe bashkëpunëtorët e tyre. Ai përsëriste vazhdimisht shprehjen ”emri i tyre nuk duhet të humbasë”, dhe vazhdonte tregonte: “Pas vrasjes së tyre ne familjarët kërkuam të njihnim rrethanat e ngjarjes, nga dëshmitarë të fshatit Sult dhe njerëz që kishin dijeni për atë ndodhi. Pas interesimit ne mësuam ngjarjen me detaje për gjithçka kishte ndodhur në Sult.  

 

Pas vrasjes trupat e katër djemve u varrosën në fshatin Sult në të njëjtin varr, pasi familjarët nuk mund t’i merrnim trupat e tyre.

 

Në Sult këtë varr e quanin “Varri i djemve të Gjerbësit”, deri në vitin 1986, kur Bektashi organizoi zhvarrosjen dhe sjelljen e eshtrat e tyre në vendlindjen e tyre, në Gjerbës. Xhelil Alushani thotë: “Për të marrë në Sult eshtrat e atyre djemve, shkuam katër veta. Isha unë, Teki Kuçuku, Shpëtim Molla dhe Rauf Flamuri. Eshtrat i rivarrosëm në një varr të përbashkët“.

 

Në atë kohë familjarët e djemve të vrarë, por dhe shumë miq e gjerbësllinj, nuk i jepnin dot përgjigje pyetjeve: Pse u rrethuan dhe u vranë nga fashistët italianë? Cili ishte akti kishin kryer ata djem? Përgjigja mbeti një enigmë, prandaj lindën hamendësime të ndryshme, ndërsa me kalimin e viteve, bashkë me përtharjen e plagës së dhimbjes, u shtua dhe pluhuri i harresës për atë ngjarje. Askush nuk hodhi dritë të plotë mbi ngjarjen, që në mars 1943, mori jetën e katër djemve të rinj nga fshati Gjerbës. Fati i keq vazhdonte të ndikonte për fshehjen e të vërtetës. Pas luftës, pas vitit 1944 ndodhën ngjarje të tjera, të papritura dhe të rënda për Tomoricën. Komandanti partizan, patrioti  Mestan Ujaniku jo vetëm që nuk vlerësohet për kontributin e tij të shquar atdhetar në luftën Nacional – Çlirimtare, por si pasoje e rrethanave të krijuara dhe intrigave, bazuar në urdhra dhe prapaskena politike, dënohet  me burgim të përjetshëm për veprimtari armiqësore. Ai vdiq në burg në mënyrë misterioze në vitin 1948. Po kështu dhe ish komandanti partizan, djali i tij, Xhemal Ujaniku dhe vëllai i tij Vehepi ish partizan, të dy oficerë në ushtri, dënohen dhe burgosen. Në këtë mënyrë një familje e tërë me kontribut të jashtëzakonshëm patriotik persekutohet  padrejtësisht. Pra, ata që do të zgjidhnin enigmën dhe do të zbulonin të vërtetën, për atë ngjarje tragjike, u vranë, u burgosën dhe u denigruan.

 

Bektashi: “Ismaili  (Alushani, sot dëshmor i atdheut), në kohën e vrasjes të vëllait të tij, Resulit, dhe tre djemve të tjerë ishte partizan, por nuk kishte dijeni për detyrën e dhënë nga komanda e çetës, mbasi ndodhej në zonën e Beratit në përbërje të çetës të komanduar nga Mestani. Ai mund të zbulonte të vërtetën për atë ngjarje, por nuk pati  kohën e mjaftueshme sepse pas çlirimit të vendit, së bashku me brigadën ku ishte komandant batalioni, vazhdoi luftën në Jugosllavi. Pas kthimit nga Jugosllavia ai emërohet komandant i batalionit të ndjekjes dhe ishte shumë i angazhuar në kryerjen e detyrës derisa në vitin 1947 vritet në luftë me bandën e Hamit Matjanit në zonën e Elbasanit. Në takimet e rralla me Ismailin mësova se ai e kishte shqetësim dhe amanet  hakmarrjen për atë vrasje te pabesë.

 

Po në Gjerbës pas lufte çfarë ndodhi? Pse familjaret e djemve të vrarë heshtën dhe nuk kërkuan të zbulohej e vërteta? Sot pas shtatëdhjetë e nëntë vjetësh, duke analizuar gjithçka ka ndodhur rreth kësaj historie, duket se jo vetëm rrethanat e krijuara, por dhe individë keqdashës, me gjykim të cekët dhe mëndje djallëzore, siç do e shohim më vonë, që ndoshta e dinin të vërtetën,  dëshironin që akti i atyre djemve të mbetej në errësirë të përjetshme. E vërteta është se pas luftës, familjarët e djemve të vrarë kërkonin të dinin shkakun për atë vrasje të kryer nga fashistët, me qëllim që vepra e tyre të nderohej por zëri i tyre ‘binte në vesh të shurdhër’.

 

 

Po si ka qenë ngjarja dhe kur u zbulua e vërteta?

 

 

E vëteta e ngjarjes së vrasjes së katër djemve nga Gjerbësi është mësuar vonë, nga fundi i viteve gjashtëdhjetë. Atë e ka zhbiruar vëllai im, Ajli Bektash Alushani (ndryshe nipi i Besimit), kur emërohet pedagog në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë dhe njëkohësisht filloi punë si mjek në pavionin e kirurgjisë në spitalin civil të Tiranës. Ajliu në atë kohë ka takuar dy protagonist të kohës, kryesorin, ish-komandanti i çetës të parë partizane të Skraparit, Xhemal Mestan Ujaniku dhe të dytin, Stefan Tavanxhiu, ish kryetari i veteranëve te Gramshit, dëshmitar okular në atë ngjarje.

 

Takimi me Xhemalin ishte një takim emocionues, sepse takoja njeriun që kishte qenë komandant i Çetës Plakë të Skraparit dhe kishte dijeni të plotë për vrasjen e atyre djemve, thotë Ajliu. Dëshmia që më dha Xhemal Ujaniku, në formë të përmbledhur është kjo:

 

“Në muajin mars 1943 unë komandoja çetën e parë, ndërsa Mestani në atë kohë komandonte çetën partizane që vepronte në fshatrat e Beratit. Atë ngjarje nuk do e harroj kurrë sepse ata djem u vranë në një aksion të cilin e kishim urdhëruar ne, komanda e çetës. Në fund të vitit 1942 ne u dërguam një letër Besimit dhe Faikut, të cilët ishin ushtarë në Elbasan, me anë të së cilës ju bëmë thirrje të braktisin radhët e ushtrisë mercenare dhe i ftuam të vijnë në radhët tona. Pas letrës ata arratisen nga ushtria dhe kthehen në Gjerbës. Në takimin që patëm së bashku ata shprehën dëshirën të pranoheshin në çetë, por për shkak të mungesës të prapavijës, atë dimër, ne vendosëm që pranimin e tyre ta shtyjmë për pak kohë. Në atë periudhë mjaft eksponentë të xhandarmërisë shqiptare dhe individë të veçantë kishin filluar hapur bashkëpunimin me italianët, prandaj na duhej që të punonim me këta elementë për t’i larguar nga ajo rrugë. Ne vendosëm që të kryejmë një aksion në qarkun e Elbasanit i cili kishte të bënte me Riza Kishtën, komandant xhandarmërie  në zonën e Gramshit dhe Petrit Shahinin. Për të kryer këtë aksion ne vendosëm të ngarkojmë Besim Alushanin dhe Faik Flamurajn, të cilët e njihnin mirë terrenin ku do vepronin, pasi kishin qenë ushtarë në atë zonë. Meqenëse pas kryerjes të këtij aksioni ata nuk mund të qëndronin më në shtëpitë e tyre, si më parë, ne vendosëm paraprakisht t’i pranojmë, që atë ditë, në çetën tonë, si anëtarë efektivë të saj. Kështu Besimi dhe Faiku u bënë partizanët e rinj të çetës, dhe morën detyrën e tyre të parë si partizanë. Ata e pranuan detyrën por na propozuan që të marrin për përforcim  dhe dy shokët e tyre Resulin dhe Sadikun. Ne fillimisht hezituam se ata ishin më të rinj, por më pas ramë dakort pasi kjo gjë do të ndihmonte në kryerjen e detyrës. Ne u dhamë udhëzimet përkatëse dhe i porositëm të bënin kujdes për jetën e tyre por njëkohësisht të ruanin sekretin e detyrës që ishte’ të kërkonin në postën (urbanin) e linjës Elbasan-Grëmsh personat e lart përmendur, të cilët udhëtoni shpesh me këtë linjë, dhe nëse ndodheshin aty t’i sillnin forcërisht në çetë bashkë me postën sekrete. Ditën e dytë ata u nisën për të kryer detyrën e ngarkuar nga ana jonë.

Më poshtë Xhemali vazhdon: “Ne ishim në pritje të kryerjes së aksionit. Pas dy ditësh nëpërmjet njerëzve të çetës ne u informuam për gjithçka kishte ndodhur. Ata djem ishin vrarë të katër pas një beteje me xhandarët dhe fashistët italianë në fshatin Sult të Gramshit, të rrethuar, në shtëpinë e kryeplakut të fshatit  V. H. Ne u tronditëm shumë dhe u pikëlluam për atë gjëmë ku humbën jetën katër djem të rinj. Me anë të njerëzve tanë njoftuam në Gjerbës. Ne kërkuam të dimë të vërtetën dhe hollësira për ngjarjen dhe i mësuam ato nga të dhënat që erdhën pas disa ditësh. Besimi, Faiku, Resuli dhe Sadiku, pasi kishin ndaluar dhe kontrolluar postën Elbasan-Gramsh, kishin marrë postën sekrete, ndërsa  gjatë rrugës së kthimit, kishin ndaluar në fshatin Sult në shtëpinë e personit të lartpërmendur për të kaluar natën. Ndërkohë forcat e xhandarmërisë të Grëmshit dhe fashistët italianë, që ishin vënë në ndjekje të tyre i rrethuan, gjatë natës, në shtëpinë ku ishin strehuar, pasi i zoti i shtëpisë i kishte spiunuar. Në mëngjes djemve u kërkohet të dorëzohen por ata nuk pranuan. Ata ishin zënë në befasi, por kishin ruajtur qetësinë sepse në  fillim kishin nxjerrë jashtë njerëzit e shtëpisë, pastaj kishin nisur shkëmbimin e zjarrit me armë duke mos llogaritur jetën e tyre. Në përpjekje për të çarë rrethimin ata ishin vrarë të katër. Sipas informacionit që na erdhi, një nga djemtë kishte mbetur i plagosur, por ishte vrarë më pas nga xhandarët, pasi nuk kishte pranuar t’i falet jeta. Detajet e asaj ngjarje në Sult ishin bërë të njohura në gjithë fshatin e më gjerë, pasi aty ishte bërë luftë, aq më tepër që disa banorë nga ky fshat morën pjesë në varrosjen e djemve të vrarë. Kjo ishte një humbje e madhe për ne, por në radhë të parë ishte një dhimbje e madhe për familjarët sepse humbën jetën katër djem të rinj. Në emër të çetës unë së bashku me komisarin, Xhevit Strugën, vajtëm për ngushëllim në familjet e djemve të vrarë. Kur ngushëllova Bektashin i thashë se: “Besimi ishte njeriu ynë duke kryer një detyrë të çetës, prandaj hakun e tij do e marrim ne”. Ndërsa kur ngushëlluam në një familje që ndodhej pak më poshtë shtëpisë tuaj, një grua nuk foli mirë. Ajo tha “ata gjetën atë që kërkuan”, Në këtë moment unë i përgjigjem: “Ti, motër, mos fol ashtu, sepse të vërtetën do e merrni vesh më vonë”.

Më poshtë Xhemali thekson: “Mua më vjen keq që ata djem nuk janë shpallur dëshmorë. Emrat e Besimit dhe Faikut i kam shënuar me dorën time në listën e çetës të parë partizane të Skraparit, dokumentacionin e së cilës e kam dorëzuar në shtabin partizan në fshatin Koritë. Më tej nuk e ndoqa këtë problem, sepse “unë vdiqa për vete dhe, siç e sheh, jam akoma i vdekur pasi konsiderohem armik i popullit”.  

 

Dëshmia e Stefan Tavanxhiut:

 

“Një ditë marsi të vitit 1943, në atë kohë isha ushtar, po udhëtoja me postën (urbanin) e linjës Elbasan- Gramsh. Duke udhëtuar, në afërsi të Gramshit, në  vend që quhet Cerunjë papritur dëgjova krisma armësh. Shoferi  thirri “Mama mia!“. Ndërkohë para autobusit doli një njeri i armatosur që kishte veshur një kapotë ushtarake i cili bëri me shenjë që të ndalonim. Autobusi ndaloi dhe njeriu i armatosur u fut brenda. Sapo hyri ju tha pasagjereve mos u trembni se me ju nuk kemi punë. Me pas vajti te shoferi, një italian, dhe mori një zarf që ishte posta zyrtare. Pastaj mu afrua mua dhe me pyeti nëse në autobus ndodheshin, dy njerëz, Riza Kishta dhe Petrit Shahini. Vura re se jashtë autobusit qëndronte një person i armatosur ndërsa  pak më sipër, një tjetër. Para se të zbriste nga autobusi  ai u thotë pasagjerëve: ‘Kush ka ndonjë ankesë t’i drejtohet çetës partizane të Skraparit’.

Pasi u nisëm pashë katër persona që po zbrisnin poshtë në lumë. Autobusi arriti shpejt në Gramsh dhe menjëherë u njoftua xhandarmëria dhe karabinierët  italianë të cilët filluan të lëvizin menjëherë dhe morën masa për t’i kapur. Ditën tjetër u hap lajmi se katër partizanë ishin vrarë në luftë me fashistët italianë dhe xhandarët, në një shtëpi në fshatin Sult. Kjo ngjarje në atë kohë, bëri shumë bujë në gjithë zonën e Gramshit dhe si e tillë u bë e njohur plotësisht në opinion me të gjitha hollësitë e saj. Autoritetet  ushtarake vendore deklaruan se “katër banditë, partizanë, të dërguar nga çeta e Skraparit u rrethuan në një shtëpi fshatin Sult dhe u vranë nga forcat qeveritare”.

Kjo ngjarje ka mbetur në kujtesën time sepse kam qenë vetë dëshmitar kur ata ndaluan postën e udhëtarëve, por jo vetëm kaq, unë kam parë, siç përmenda më lart, edhe çfarë veprimesh bënë ata dhe si u shprehën para se të largohen, pra kam qenë dëshmitar në atë ngjarje që u zhvillua në pak minuta. Komanda e xhandarmërisë  këtë rast e quajti një sukses të sajin. Pas çlirimit jam interesuar për atë vrasje dhe kam mësuar se trupat e tyre ndodhen në fshatin Sult në një varr të përbashkët që quhet: “varri i djemve të Gjerbësit”. Njëkohësisht më ka bërë përshtypje fakti, që gjatë këtyre viteve ajo ngjarje nuk është përmendur dhe nuk është bërë e njohur në asnjë rast. Theksoj se me veprimet që kryen, deri në momentin e vrasjes, ata djem jo vetëm nuk cenuan jetën dhe pronën e asnjë qytetari, përkundrazi, kryen vetëm një veprim atdhetar dhe një akt heroik madhor, pasi dhanë  jetën e tyre në luftë me fashistët dhe bashkëpunëtorët e tyre. Habitem se si sot nuk janë shpallur dëshmorë të atdheut. Atë ditë marsi të vitit 1943 ai djali, kur ndodhej në autobus, foli në emër të çetës partizane”.

 

 

Një borxh i pa kthyer

 

Pas këtyre dëshmive, pas 30 vjetësh u zbardh plotësisht enigma e ngjarjes dhe kjo është shumë e rëndësishme. Po kush është fati i mëtejshëm i kësaj historie? Pas dëshmive të mësipërme, u përgatit dosja mbi bazën e së cilës, këta djem duhet të shpalleshin dëshmorë të atdheut. Ajo u paraqit në Komitetin Ekzekutiv të Skraparit. Për këtë çështje u angazhuan  Komiteti i Veteraneve të Skraparit  si dhe Komiteti i Veteranëve të Gramshit etj. Ky problem u diskutua gjerësisht, por disa qëndrime jo të drejta dhe mjerane, të disa individëve në Gjerbës dhe në Çorovodë, bënë që dosja të mbetej në sirtarin e kalbur nga koha. Mendoj se “kishin të drejtë”, sepse nuk mund të prisje vlerësim objektiv nga njerëz që historinë e gjykonin dhe e përdornin sipas interesit ditor. I njëjti mentalitet e njëjta gjë po ndodh dhe sot kur kriminelët po shpallen heronj ndërsa atdhetarët deklarohen terroristë. Po pse? Përgjigja është sa e thjeshtë aq dhe e vështirë.

 

Në përmbyllje të kësaj historie dua të theksoj qëndrimin objektiv dhe atdhetar të Komitetit të Veteranëve të Rrethit të Gramshit të cilët këmbëngulën që katër djemtë e vrarë nga fashisto-xhandarët në mars 1943 të shpalleshin dëshmorë. Ky qëndrim është i faktuar zyrtarisht në  letërkëmbimin zyrtar midis komiteteve të veteranëve të Skraparit dhe të Gramshit me nr. protokolli respektivisht, nr. 31 dt. 14/10/1983 dhe nr. 76  të dt. 27/12/1983.

 

 Por pavarësisht qëndrimit dhe mendimit të Komitetit të Veteranëve të Gramshit, dëshmisë të Xhemal Ujanikut, ish-komandantit  të çetës partizane, dëshmisë së veteranit Stefan Tavanxhiu etj., akti i Besimit, Faikut, Resulit dhe Sadikut, të cilët dhanë jetën në mars 1943, duke luftuar me fashistët italianë dhe bashkëpunëtorët e tyre, nuk u vlerësua si akt atdhetar. Komiteti i Veteraneve të Skraparit nuk dha dakortësi që djemtë e mësipërm të shpalleshin dëshmorë pasi ishte akoma me mendimin se Mestan dhe Xhemal Ujaniku ishin “armiq të popullit”(!), edhe pse pas viteve ’90 statusi i tyre ka ndryshuar dhe janë vlerësuar si figura të shquara të Luftës në Skrapar.

 

Ndërsa informacionin dhe qëndrimin e Komitetit të Veteranëve të Gramshit, që e njihte mirë ngjarjen e Sultit dhe qëndrimin atdhetar të atyre djemve, nuk i morën në konsideratë sikur ai komitet veteranësh t’i përkiste një bote tjetër.

 

Eshtrat e tyre sot prehen në një varr të përbashkët, në vendlindjen e tyre të dashur, në Gjerbës. Njohja zyrtare e veprës së tyre natyrisht që ka rëndësi. Kjo do ishte nder për vendlindjen e atyre djemve që ranë si heronj në luftë me okupatorin. Ata ishin atdhetarë që historinë e jetës së tyre e shkruan me gjakun e tyre. Për këtë ne sot krenohemi.