5 Shtatori: Tradita e festës dhe e ditës simbol të skraparllinjve vazhdon

5 Shtatori: Tradita e festës dhe e ditës simbol të skraparllinjve vazhdon

 

Reportazh nga Skrapari (Pjesa e Dytë)

 

 

Zylyftar Hoxha

 

Dje në mëngjes Çorovoda u gdhi në festë, jo si para disa viteve me krismat e armëve të çlirimit imagjinar të qytetit, jo me këngët e grupeve folklorike të të gjitha fshatrave që ngjiteshin një nga një në skenë; por diçka më qetë, gjithësesi në traditën e dikurshme me një atmosferë të ndezur dhe të gëzueshme.

 

 

Me kalimin e viteve, kjo festë ndryshoi, iu përshtat kohës, por gjithsesi ngeli e bukur dhe popullore. Edhe sot e kësaj dite, ajo është një festë familjare, ku në tavolina shtohet diçka, ku akoma vinë miq të largët. Por edhe në mos vinë, e festojnë atje ku janë, në Tiranë, në Durrës, në Fier e Berat, se kanë shumë arsye për ta kujtuar…

 

 

5 Shtatori i vitit 1942  ka qenë dhe mbetet një nga datat më të shënuara për skraparllinjtë, dhe jo vetëm për ata që banojnë aty, por kudo që janë, pasi lidhet me një nga ngjarjet historike më të mëdha të jetës së tyre, çlirimin e rrethit nga pushtuesit fashistë dhe tradhtarët e vendit.

 

Kjo datë shënon zonën e parë të çliruar në Shqipëri, ku pas largimit të administratës së atëhershme, nuk u vendos administratë tjetër, veç pushtetit të Këshillave Nacionalçlirimtare. Një fakt të tillë e pohon dhe agjencia më prestigjioze e lajmeve të asaj kohe, BBC, ku e përcakton si shkëndijë të parë dhe krahinën e parë të çliruar jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Evropë.

 

 

Ndoshta ky fakt, por edhe pse kjo ditë-ëndërr mishëroi përpjekjet shekullore të një krahine të angazhuar seriozisht në histori (kujtojmë Luftën e 1913-14-ës me grekun, Luftën e Vlorës të ’20-ës, ’24-ën me Nolin, ‘35-ën me Riza Cerovën e shumë e shumë të tjera), bëri që ajo të kthehej në një ditë simbol, në një festë të bukur tradicionale.

 

 

Nderim të rënëve

 

Siç është bërë traditë festa nis me nderimin e të rënëve në Varrezat e Dëshmorëve. Pas Himnit Kombëtar nga autoritetet vendore, përfaqësues të institucioneve dhe shoqatave të ndryshme vendosen kurora në lapidarian kushtuar të rënëve, ndëra shumë qytetarë, familjarë dhe pasardhës të familjeve të dëshmorëve me tufa lulesh në duar drejtohen drejt të afërmëve të tyre.

 

 

Veç 5 Majit, 5 Shtatori është një ndër ditët e veçanta që ata “takohen e çmallen” me njerëzit e tyre.

 

 

 

Përurimi i bustit të Mestan Ujanikut në Muze

 

 

Pas ceremonisë në Varrezat e Dëshmorëve turma e njerëzve ulen posht, drejt Muzeut. I pret një ceremoni tjetër: futja pas shumë vitesh e bustit të Mestan Ujanikut në Muzeun Historik të Skraparit.

 

Pas hapjes së ceremonisë, drejtoresha e Muzeut Historik të Skraparit, Anila Basho ia dha fjalën kryetarit të shoqatës “Tomorri” Durrës, Hajri Nuhut, i cili në krye të një dërgate kishte sjellë në mjediset e muzeut bustin e Mestan Ujanikut.

 

 Në fjalën e tij Hajri Nuhu edhe një herë kujtoi kalvarin që kaloi Mestan Ujaniku në dy periudha të ndryshme historike, në socializem po e po, por edhe më vonë, në demokraci, kur u mendua se u vunë në vend vlerat dhe meritat.

 

 

 

“Sot as reja nuk nxin dhe as dielli nuk ikën. Sot dielli i së vërtetës bie mbi këtë bust modest të Komandantit. Kjo që po ndodh  nuk i bën dritë e diell vetëm Mestanit, por të gjithëve që ditëm të reflektojmë dhe t’i japim atij vendin që meriton”, përfunoi fjalën ëtij përshëndetëse Nuhu.

 

Pas solemnitetit të zbulimit të bustit, nga kryetari Bashkisë Adriatik Mema dhe mbesa e komandant Mestanit, Edlira Gjinishi, ceremonia vazhdoi me fjalën e kryetarit të Bashkisë, i cili për rastin në fjalë, ndër të tjera tha:

 

“Unë, por edhe të gjithë sa jemi në këtë ceremoni, ndihemi mirë që me këtë akt simbolik kemi kontribuar për të çuar atje ku duhet dhe siç e meriton figurën e Mestan Ujanikut. Dëshiroj të falenderoj me këtë rast shoqatën “Tomorri” Durrës, për qasjen shumë objektive dhe reliste në nderim të luftëtarit të shquar.

 

 

Më pas, në cilësinë e anëtarit të Komitetit Kombëtar të Dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të pranishmit i përshëndeti ish deputeti Spartak Braho. Përshëndetën gjithashtu kryetari i shoqatës “Gora” Agim Shkëmbi, dhe aktivisti dhe mjeku i njohur, Mustafa Ibro.

 

 

Në fund shumë pjesëmarrës në veprimtari bënë fotografi pranë bustit të luftëtarit, që nga sot e tutje është në “shtëpinë e vetë”, aty ku e donte Nderi i Skraparit.