50 orë Luginës së Osumit

50 orë Luginës së Osumit

 

Reportazh

Ilia Bllaci

Po udhëtonim në linjën interurbane Tiranë – Skrapar. Në ndënjëset ngjitur kam shokun, mikun dhe komshiun tim prej 35 vjetësh, Myslim Qamirani, me origjinë nga fshati Selan dhe gruan e tij, Lumturinë nga Gramshi. Për arsye të  punës dhe profesionit, në këtë qytet të skajshëm të Shqipërisë nuk kisha mundur që të shkoja qoftë edhe një herë për gjatë tërë jetës sime, edhe pse me të më lidhte shumë detyra që kisha.

Lamë pas kryeqytetin dhe njeri pas tjetrit qytetet e tjerë, Lushnjen, Urën Vajgurore, Beratin.

Në autobusin që udhëtonim, mua sikur më mungonte një gjë. Më mungonte kënga shumëzërash e Skraparit dhe e skraparlinjve. Më mungonte arkitekti i saj, i madhi i folklorit shqiptar, i paharruari dhe i pazëvendësueshmi, biri i Gjerbësit dhe i tërë Skraparit, Demir Zyko, ose siç e thërrisnim, Xha Demiri.

Për këtë mungesë, këtë dëshirë të paplotësuar, i drejtohem fatorinos: “Po udhëtojmë për në Skrapar, në autobus prej Skrapari, të mbushur plot me skraparlinj e nuk po dëgjojmë këngën e Xha Demirit?!”. “Në vend”! – tha ai dhe sakaq në autobus gjëmoi zëri i Xha Demirit. “O ju malet e Skraparit, stolisur me gurë të bardhë…” e pas saj, perla e këngëve të trevës, ndoshta edhe e të gjithë foklorit të shqipes “Mbeçë, more shokë, mbeçë, përtej Urës së Qabesë…”. Ndjeva një kënaqësi të veçantë dhe e falënderova fatprinon.

Pasi kaluam qytetet e Myzeqesë, përballë në horizont u shfaq silueta e njerit prej maleve më të lartë e më të lartësuar të Shqipërisë, Tomorrit. Madhështor, hijerëndë, “Fron i Perëndive” -siç e ka quajtur Naimi i madh. Rrezet e diellit të pasditës bënin që të shkëlqente edhe më tepër guri i bardhë i tij.

 

***

 

Vazhdojmë nëpër Luginën e Osumit. Deri në qytetin e lashtë të Beratit kisha qenë disa herë, por përsëri sytë duan të shikojnë e s’ngopen së shikuari…ata shohin ish-Kombinatin, dikur madhështor i tekstileve tona, kombinatin e mijëra punëtoreve ku gumzhinte jeta, ku derdhej lumë djersa, ku prodhohej e prodhehej për vendin e për eksportin me pambukun e fushave shqiptare. Por sot dyert e tij janë, fakeqësisht, të mbyllura. U ngushëllova vetëm se e pash ndërtesën e tij më këmbë, të parrënuar.

Në vijim, del para nesh Ura e Goricës. E gurtë, e bukur me harqet e saj, e lashtë, madhështore  sepse, veç të tjerash, lidh dy lagje  muzeale të qytetit antik.

Në të majtë, si një strehë gjigante shkëmbore, e frikëshme në bukurinë e saj dhe tepër e rrallë në mënyrën se si qëndron sipër shekujve dhe tok me njerëzit çapitet rëndë nëpr labirinthet e historisë.

Pasi gjerbëm një kafe në qytetin 2400 vjeçar, vazhduam udhën “Antipatrea” që filloi në ish – kombinatin duke përshkuar mes për mes qytetin dhe mbaroi thuajse në Uznovë, e cila mund të quhet lagje periferike e qytetit. Uznova ishte një vend i shtruar me toka të mbjella e të sistemuara me merak e shije.

E lamë Uznovën në punën e saj dhe përpara na del një tjetër fshat, Vodica. Fshat me histori lufte, thonë. Edhe ky fshat i bukur dhe i sistemuar me shtëpi e me toka. Dhe pas tij përshkuam fshatra të tjerë si, Fush’-Peshtan, Hoxhaj,Vërtop, Shën Todhër dhe  në kufirin midis Beratit që po mbaron  dhe Skraparit që po fillon, shfaqet fshati Mbrakull. (Mos ka të bëjë vallë ky fshat me orakullin? Me Orakullin e Tomorrit, të Dodonës!?)

 

***

 

E kalojmë “kufirin” e Beratit dhe hyjnë në territorin administrativ të Skraparit, por që shtrihen në të njëjtën luginë, të Osumit. Pas pak kilometrash na shfaqet qyteza industriale e Poliçanit. Ende pa e parë më ishte krijuar bindja, si specialist i asaj fushe që jam, se për vetë rëndësinë  e industrisë që zhvillonte, duhej të ishte ndërtuar në një terren shkëmbor e të maskuar natyralisht, për t’u mbrojtur prej sulmit ajror dhe tokësor. Por, për habinë time, ishte krejt ndryshe.

 

Ai është ndërtuar në një “xhep” rrëzë ca kodrave të pyllëzuara, ashtu siç ishte gjithë lugina, jo shumë larg buzës së ujit të Osumit. Kisha dëshirë të ndalonim pakëz për ta parë  e për ta prekur këtë qytezë të rëndësishme të socializmit, por autobusi nuk e kish rregullin që të ndalonte më shumë se dy minuta.

Vazhduam rrrugën, drejt objektivit tonë, Çorovodës. Mbas Poliçanit  filluan të na kalojnë njeri pas tjetrit fshatrat Pronovik, Jaupas, Bogovë. Kjo e fundit më bëri përshtypje të veçantë. Dukej sikur kish mbirë në mes të një gjelbërimi  të bollshëm natyral si shkozë, lis,frashër, rrap, por edhe të mbjellë si pishat halëbuta.

 

Me ujin e kësaj perle turistike malore, që në fakt rrjedh prej shpateve perëndimore të Tomorrit epik, vihet në lëvizje edhe turbina për prodhim energjie elektrike, të një  hidrocentrali të hershëm që është i përfshirë në sistemin e rrjetit energjitik të Republikës së Shqipërisë. Këtu, në të dy anët e udhës automobilistike plot dredha,  që e ndërpret një urë e thjeshtë, fshehur nëpër pyll, pashë shumë ndërtesa tip alpin; disa klube e restorante simpatiks, objekte  shumë të bukurë për turistët, që si këdo, edhe mua më joshën për të ardhur ca ditë më pushime, për të provuar edhe shijen e mishit të pjekur në hell, mes këtij gjelbërimi, uji e freskije të rrallë.

E kaluam edhe Bogovën. Në horizont, në krahun e majtë të Osumit,  në një terren malor plot gërxhe  piktoreske, mbështetur krahët tek shkëmbi si për t’u mbrojtur nga era apo nga pushtuesit, na shfaqen shtëpitë  e pakta të fshatit Selan, Kakrukë, Buzuq (në anën tjetër të Osumit), Orizaj. Të gjithë fshatrat në mes të gjelbërimit natyror e të kultivuar, ku shikoj arëza të sistemuara  e të mbjella.

 

***

 

Pasi e lamë pas edhe fshatin e fundit, përballë, tutje në shpat, na shfaqet  qendra administrative e rrethit  të Skraparit,  Çorovoda. I gjithë qyteti, pallatet dhe shtëpitë e ulta ishin nën pushtetin e një gjelbërimi të mrekullueshëm. Në pamjet e shfaqura ndër vite në ekranet televizive, Çorovoda dukej me ca shkallë të gurta e terren shkëmbor.

Ora 18.10, pas plot pesë orë udhëtimi mbërritëm në objektiv. Autobusi ndaloi në sheshin e qytetit.  Zbritëm, nuk më pritej që të shikoja qytetin, shkallët karakteristike prej guri, lokalet, lumin në mes të qytetit, sheshin, çdo qoshe të tij, por me që u errësua i lamë t’i shikonim në të nesërmen.

Për sonte u mjaftuam duke pirë nga një kafe tek lokali në buzë të lumit të vogël që pret përmesi Çorovodën. Këtë lokal vendalinjtë e quanin “Verori”. Verori ishte një mjedis i këndshëm, i madh në sipërfaqe, me shumë tavolina brenda e jashtë ndërtesës. I shtruar me gurë të bardhë e të zi, tërësisht në mes të gjelbërimit, thuajse mbi ujin që rrjedh herë vrullshëm e herë qetë që vjen nga mali i Gradecit.

 

 

 

***

 

Të nesërmen pasi vizituam edhe një herë qytetin, këtë herë, lagjet etij, shkojmë drejt kanioneve, tashmë të njohur si jë nga atraksionet më të mëdha turistikë në vend. Vizituam Gjurmën e Abas Aliut, ku është ngritur një ndërtesë kulti bektashian, Vrimëne Nuses më tej, gjë e bukur vërtet dhe vijuam rrugën, kaluam edhe Bigazin, shkuam pranë Urës së Blezënckës dhe më tej te Ura e Vjetër, ura që ka pasë lidhur banorët e të dy anëve të lumit, jo thjeshtë  për t’u hedhur njerëzit e  fshatit Gërmenj në Zabërzan, por edhe për të  gjithë banorët e fshatrave të tjerë  në të dy anët e Osumit, të bukura e plot pyje në tërësi me bimë të shkurtra.

Vazhduam rrugën drejt Përmetit, duke kaluar mbi Urën e Lapanit

Këtu panorama është tepër piktoreske sidomos kur  hedh vështrimin nëpër luginë.Dëshirë kemi të vazhdojmë rrugën drejt Malindit, fshat me histori  të lashtë dhe vendlindja e njeriut  të madh të letrave shqipe, poetit e shkrimtarit  Xhevahir Spahiu; apo me një kthesë të vogël nga e djathta  në ngjitje  për  në Çepan- për të shkuar te i cili , ku ka aq shumë për të thënë, duhet të kalosh më parë nga fshati Rok- vendlindja e  kolonel Tefik Rogut, mikut  besnik të  Ismail Qemalit ; pastaj, siç më tregojnë miqtë, të kesh mundësi që të kundrosh vreshtat e Besnikut, Xhemalit,stanet tej në mal të djemve të Hajriut…Muzhakën karshi,Sevranin përtej, tutje Nemërçkën, përballë Taroninën e Tendës së Qypit, për të zbritur te Prishta e Kongresit të parë të bektashinjve botërorë…e këtu afër, Zabërzanin pas bregut të Çepanit,  por …koha është e pamjaftueshme. Luginës së kësaj pjese të mesme të lumit të gjatë të Osumit, prej Çorovodës deri te Ura e Lapanit,( i thonë edhe Ura e Hambullit) i cili fillon në Qafëzes të Kolonjës  për t’u bashkuar me Devollin e për të krijuar Semanin pasi kalon Urën Vajgurore.Janë Kanionet ato që e bëjnë të përveçëm ndër të veçantët lumej, Osumin. Dhe me sa pashë ato vazhdonin edhe më lart Urës së Hambullit , drejt Nikollarës, poshtë nën hijen e Malit të Miçanit.

 

Këto kanione i thonë Osumit, tash prej  mijra vjetësh, “kalo këtu ku duam ne! ”Ngrihen të çuditëshme në krenarinë e tyre  në një gjatësi të luginës deri 18 kilometra, me ndonjë ndërprerje të vogël dhe me dhjetra deri 90 metra të larta. I gjithë formacion gëlqeror  dhe ndahet me zonën shtufore sikur i ke vendosur me dorë e paramendim.Të bën përshtypje vertikaliteti i tyre  prej 90 gradësh me shtartin e lumit ku rrjedh qetë uji. Duke vështruar pamjen e kësaj lugine më lind idea se gjatë  këtij lumi që diku-diku kanionet e të dy brigjeve i japin dorën njeri tjetrit pasi janë jo më tepër se 15 metra (te Ura e Lapanit) larg

 

***

 

Të nesërmen, ishte ditë e diel u kthyem drejt Tiranës. Me vete morëm pejsazhet e bukura të Luginës së Osumit, gjelbërimin e qytetit, virtytet e skraparlinje ky shndrit  mikpritja, që dikush e paska quajtur “proverbiale”. Paska pasur të drejtë!

Nuk besoj që të më shuhet nga memorja kurrë përsa pashë dhe dëgjova në Luginën e mrekullueshme të Osumit. Deri tani isha i dashuruar me Skraparin nga të thënat dhe historitë e lexuara apo treguara nga shokët e miqtë e mi skraparlinj siç janë Ilmi Qazimi, Kujtim Bregu, Dule Kalemi, Neshat dhe Ëngjëll Hysi; Hekuran  e Haxhi Sinani, Enver e Kastriot Cakaj; Hekuran Sanxhaku e Servet Sinani; Rustem Zykon, njeri i thjeshtë e bamirës, djalë i Demir Zykos etj.

Skrapari dhe skraparllinjtë tani zënë një pjesë të zemrës sime.