Si dikur, 45 vjet më parë, kur fletët e jetës i kishim të pashkruara, të bardha
Sefedin Çela
Nuk arritëm të ritakohemi për 50 vjetorin e përfundimit të fakultetit, radhët janë rralluar, po përsëri jemi bashkë, shtatë vjet më vonë thjesht jam shtatë vjet më i rritur…
Ja tek jemi, bashkë, me humbje në radhët tona, me humbje edhe në jetët personale, të zbardhur nga vitet, po, them, të bardhë edhe nga dinjiteti, nga nderi, si dikur, 45 vjet më parë, kur fletët e jetës i kishim të pashkruara, të bardha. Ndodh që, një për një, themi kush jemi dhe kërkojmë emrin e shoqes a të shokut si quhet, me syte me lot, qeshim, përqafohemi e kthehemi vite e vite më parë, në rininë tonë.
Ndihem krenar për atë që kemi qënë e jemi. Nuk e mendoj dhe e them vetëm unë, duket se jemi kursi e brezi i fundit i idealistëve të zhgënjyer, kemi dhënë gjithçka kemi ditur e kemi mundur, pa kushte, pa kërkuar asgjë në këmbim, sepse të duash, të duash vendin tënd, vatrën tënde, do te thotë të japësh , jo të kërkosh!
Me Llazar Veron në vitin 1974
Një pension i vogël i shumicësh prej nesh nuk na turpëron ne, më të shumtët arsimtarë, larg shtëpive e vëndlindjeve si misionarë të vërtetë për shkollimin e edukimin e brezit më të ri, në jug e në veri, nuk turpëron as prindërit e këtyre vogëlushëve në veri e në jug, që hapën vatrat, zemrat e ndanë dashurinë e varfërinë me ne; turpi le t’i mbetet politikës, në tërë gjërësinë e ylberit, që, nëse nuk rritin dot pensionet, të shprehin mirënjohjen, çfarë u kushton?
Lexohen një nga një emrat e atyre që nuk janë më, një tufë me lule për ta në krye të sallës, i kujtojmë të gjithë e i ndjejmë ne krah gjithë kohës.
Më kujtohen jo në moshën kur mbyllën sytë, po të rinj, studentë, si i kisha parë 45 vjet më parë, kur jeta na ndau përgjegjësitë e me disa nuk u pamë më, deri në fund!
Pas 45 vjetësh
Më i moshuari në kursin tonë, ulqinaku Gjokë Dabaj, mësues e i nderuar në fshatrat e Matit, me grua nga jugu, studiues e shkrimtar, mëmëdhetar e njeri pa emfazë, çohet e kujton Timo Bushin, i ndarë nga jeta jo shumë kohë më parë.
Do te shkoja në shtëpine e nuses, tha ai, në një fshat të Tepelenës. Në Memaliaj takoj shokun e kursit,Timon. Sot do të qëndrosh te unë, i thotë Timoja. Ata të mijtë nuk kanë patur mik e nuk kanë parë ndonje ulqinak e as Ulqinin.
Qëndrova ate natë aty, duke biseduar deri vonë me prindërit e tij të mrekullueshëm. Kisha ikur nga shtëpia e nga Ulqini e isha arratisur në Shqipëri që 16 vjeç.
Më dukej se isha kthyer në vatrën time.
Nëna e Timos, Pashakoja, më pyet se çfarë gatuanim në shtepi në Ulqin. M’u kujtuan gjërat e fëmijërisë e numërova një listë gjellësh, thashë se edhe atje bënim trahana.
Do të çohesha herët, që në tre të mëngesit. Pa u zgjuar mirë ndjej në ballë dorën e nënë Pashakos: Çohu , bir, vajti ora. Provo dhe pak trahana të nxehtë, nxirr mallin!
Ajo nuk pati kohë të flinte fare, e la zgjuar malli im!
Gjoka uli kokën e vuri dorën te mustaqet, po ato që kishte 45 vjet më parë. Bëri të ulej në vend, pastaj u kthye prapë.
Timoja kishte një vëlla më të vogël, tha, me flokë të gjata. Unë duket pyeta me sy.
Ky është harrami ynë, tha babai i Timos.
Kishte dy muaj që nuk vinte në shkollë e as dilte nga shtëpia. Do të bënte një fotografi kështu, do të qethej e do të shkonte në shkollë. ‘’Çerçiz Topulli i kishte mbi supe e nuk thonë gjë, mua më janë qepur’’, vetëm kaq dëgjova prej tij…
“A kini vënë re se në kursin tonë të madh prej 96 vetësh nuk patëm asnjë çift midis nesh, edhe pse shumë nga ne u dashuruan e martuan me studente gjatë viteve të studimit”?
Bardhosh Mici, një lab 24 karat nga Vranishti, me një gotë në dorën që i dridhej, me zërin që i dridhej sikur të mos ishte lab, me sytë prej burri të veshur bukur, tha si aksiomë:
“Ne e donim aq shumë njëri-tjetrin , si vëllezër e motra, që duhen shumë po fatin e lidhin gjetke!’’
Hyn një zonjë me një buqetë të bukur sa s’ka me lule të freskëta në dorë, bisedon me Tashën, një nga moderatoret e palodhura të takimit tonë, dhe të dyja i drejtohen mikrofonit:
“Keto lule janë porositur për ne nga shoqja jonë në Amerikë, që nuk mundi të vijë, Pranvera”!
Një stuhi duartrokitjesh. Përfaqësuesja e kompanisë së luleve, e veshur në mënyrë formale për raste të tilla, me emocion, tha :
“Pranvera na kërkoi që unë të sillesha me ju si motra juaj”!
Shumë gjëra shkojnë rrumpallë në këtë shtëpinë tënë, po ja, edhe një kompani që shpërndan lule të ngroh zemrën e të sjell pranë përtejoqeansen, shoqen tonë të mirë!
Shumë gjëra më shkojnë në mënd njëhersh, as prej gotës së verës, them, as prej mallit. Sa të mirë paskemi qënë, i them vetes për të satën herë, ia them dhe Filipit, që kam në krah.
“E di, më thotë ai, prej 6 muajsh ,që kur është hapur faqja e kursit tonë në fb janë shkëmbyer 2200 mesazhe? Dhe mendo, përdoret vetëm nga 20 vetë!
Një grua e mrekullueshme, e fisme në tërë kuptimin e fjalës, gjyshe e përkushtuar, se gjyshër e gjyshe jemi të gjithë në këtë moshë, Marjeta , krijoi faqen, postonte çdo ditë e orë foto, mesazhe, zgjidhte informacione kulturore, këngë , humor, një enciklopedi të tërë, menaxhoi me përkushtim e dashuri faqen, pa u qarë kurrë e pa shënjën më të vogël, të paktën, të mburrjes…
Ndihem krenar që jam një prej tyre, jo se kemi bërë punë të mëdha, por se kemi punuar, kemi ndrequr e nuk kemi prishur, jam krenar se nga të 96 nuk kam parë asnjë prej nesh në kronikat e krimit, as të faturave të pa paguara të ujit a të dritave.
Jemi nga ata qytetarë që nuk biem në sy, po nga ata qytetare që, them, po të ishin shumë e shumë si ne, do te binte vëndi në sy. Për mirë!
Me Ladi Meçe, Viktor Sharra eTimo Luto, Prizren
Them se nuk biem në sy, po nuk kemi qëne e nuk jemi anonimë. Të gjithë janë të përveçëm; emri e mbiemri, jo për drejtëshkrim po për dinjitet e punë, u shkruhet me gërmë të madhe.
Duke kërkuar mirëkuptimin e të gjithve, do të përmend disa prej tyre, nga ata që nuk i kemi midis nesh e nga ata qe gëzohemi që i kemi në krah, por përherë kursi letersi ‘67-‘71, të pa ndarë, secili në bindjen e vet e në dinjitetin e vet. I vetmi kriter është se emrat e tyre janë më publikë:
Moikom Zeqo,Vllasova Musta,Tomorr Domi, Mehmet Elezi, Muharrem Xhafa, Niko Kacalidha,Thanas Dino,Timo Bushi, Gjokë Dabaj, Filip Rrumbullaku, Llazar Vero,Timo Luto, Shefki Karadaku, Agim Dashi, Angjelina Xhara, Fluturak Germenji,Thoma Rrushi, Suzana Katro, Natasha Cerga, Enver Kushi, Thoma Gjerazi…
Nëse kam harruar dikë, mos harroni se mosha lë dhe gjurmë të tilla. Librat që kanë shkruar këta emra, letërsi, studime, publicistikë, monografi , bëjnë një bibliotekë të tërë…
Kam patur gëzime, por dhe humbje e dhimbje në jetë. Ka ndodhur të ndihem në rrugë si një hije që ecën, ngadalë, duke ndarë me vete fjalët në rrokje. I kam thëne vetes, ç’dreqin kam kështu? Pse duhet të lutem gjithnjë që të më duan? E kam thënë kur ndihesha i tepërt, po edhe kur e dija se më donin, se njeriu bie e ngrihet. Nuk është hatá të biesh, hatá është të mos përpiqesh të ngrihesh.Unë jam përpjekur e ia kam arritur, qëndroj në këmbë!
I kam thënë një herë një mikut tim aktor
“Si ia bën ti, si ia bën ti, or burrë, që çdo natë shtiresh në skenë si i vërtetë?”.
Isha lëmsh e thosha shpesh gjëra të ngatërruara , prej lëmshi.
“Unë nuk shtirem në skenë, tha ai. Kurrë. Kam filluar të shtirem në jetë,të shtirem gjithandej, po jo në skenë, aty jam i vërtetë!…
Jeta është më e vështirë nga skena, se nuk është lojë. Nuk ia dalke dot nëse nuk shtiresh!’’
E besoj, jeta nuk është lojë, ështe e vështirë si çdo e vërtetë. Po unë nuk jam hamletjan, unë besoj. Unë besoj në miqësi, në familje, besoj se ka dashuri që ia vlen të përpiqesh, besoj se nuk ka tunel pa një dalje, ku ka dritë. Unë besoj te shokët e shoqet e mia. Disa kanë ikur, ne të tjerët jemi plakur. Po ne jemi.
Jemi brez idealistesh të zhgenjyer që shohim përpara me besim.
Jemi farë që mbin në gur.
Jemi frymë e ringritjes.
Kur duhet, për të qënë pranë njëri tjetrit, shkurtojmë distancat, me aviona, me trena, me makina, në këmbë,e gjejmë njëri-tjetrin e bëhemi bashkë.
Ne i dëgojmë lule njëri-tjetrit nga një kontinent në tjetrin!
Dikur dhe tani, përsëri bashkë.
2016