Lamtumirë Veiz Dyrmishi!

Lamtumirë Veiz Dyrmishi!

 

Është ndarë nga jeta, para disa ditësh, nga një sëmundje e rëndë dhe e pashërueshme, Veiz Fadil Dyrmishi, një nga djemtë e njohur të Çorovodës të viteve ’60 – ’70, vite kur ky qytet pati lulëzimin më të madh.

 

 

Veizi lindi në Çorovodë 73 vjet më parë në një familje të madhe dhe me tradita të Dyrmishëve të Koprënckës.

 

Pas arsimit 7- vjeçar dhe të mesëm në Çorovodë, shkon në Shkollën e Bashkuar të Oficerave në Tiranë në degën e Armatimit.

 

 

Pas mbarimit emërohet shef Armatimi në Brigadën artimitraliere të Kordhocës dhe më pas shef Armatimi në Korpusin e Gjirokastrës, ku shërbeu në këtë detyrë për disa vjet.

 

Nga fundi i viteve 1970 po me këtë detyrë funksionale emërohet në Përmet dhe Skrapar.

 

 

Pas viteve ’90 me riorganizimet e reja të Ushtrisë, si një officer karriere dhe me përvojë,  transferohet në repartin special të Poshnjes në Berat nga ku del edhe në pension me gradën kolonel.

 

 

Në jetën bashkëshortore me Antoneta Manon, bijë e një dereje të dëgjuar nga Peca e Sarandës, me banim në Kuçovë, patën dy fëmijë, Julianin dhe Blerinën, të cilët tashmë, si shumë shqiptarë të tjerë, jetojnë jashtë Shqipërisë.

 

 

Para tre vjetësh e gjysmë, familja e Veizit pësoi një nga fatkeqësitë më të mëdha, më troditëse nga e cila nisi edhe rrënimi i trungut të saj: Neta, delikate dhe brishtë, ndërron jetë në moshën 59-vjeçare nga Covidi në Tiranë.

 

 

Ikja e parakohëshme e Netës, jo vetëm e lëndoi rëndë Veizin, por ia bëri jetën në një farë mënyre të pakuptimtë. Dukej qartë dhe të gjithë njerëzit e kishin kuptuar, që ai nuk jetonte dot pa Të.

 

 

Ndaj, luti Zotin dhe Zoti e dëgjoi, i dha sëmundjen e rëndë dhe të pakthyeshme, për t’u bërë si në gjallje, ashtu edhe në vdekje, përsëri bashkë përgjithmonë!

 

 

I përjetshëm kujtimi i Tyre!