
Ja pse krahinës së Potomit në Skrapar i thonë “Kolli i Burrave”?!…
Në Skrapar zona e thellë e Potomit, kufi me Korçën, quhet ndryshe Kolli i Sipërm (disa të tjerë e quajnë Kolli i Burrave). Nuk ka ndonjë shpjegim pse i ka ngelur kështu. Por, ndoshta, nga Historia!…
Kjo është nga ato zona ku në të gjitha kohët ka pasur ngjarje që kanë zënë vend jo vetëm në historinë e Skraparit, por të të gjithë Shqipërisë.
Le ta nisim me Backën, teqenë e saj të dëgjuar, në krye të së cilës ishte Baba Fetahu, në kohën e Rilindjes Kombëtare ajo u bë vatër e zjarrtë e përhapjes së librave në gjuhën shqipe.
Meleq Staravecka, mik i Naim Frashërit, në atë kohë nuk linte cep të Shqipërisë pa shkelur duke shpërndarë abetaret që i merrte vetë nga Sofja dhe Bukureshti.
“Bejlerët” e Koprënckës, Xhelali, firmosi aktin e Pavarësisë në vitin 1912, është përfaqësuesi i vetëm i Skraparit; Hasani dhe Samiu, vëllezërit e tij më 1908 bënë mitingun më të madh për shkollat shqipe në fshatin e tyre, ku morën pjesë mbi 300 vetë dhe pak ditë pas këtij mitingu, me shpenzimet e tyre ngritën tri shkolla fillore në Qeshibes, Gostënckë e Çorovodë.
Pesë vjet më vonë, Lace Backa me trimat e tij ndezi Qafën e Martës dhe bëri zap një ushtri të tërë të andartëve grekë për të mos kaluar më këtë anë të Skraparit.
Sali Butka, pas betejave të mëdha, vinte merrte frymë në Skrapar, shkëmbente mendime me parinë e atyshme dhe mbushte radhët me luftëtarë të rinj. “Në konak thërret tellalli,/po vjen Sali Kapedani…”, thotë kënga.
Muço Kapinova ia nxiu jetën Mbretit gjatë gjithë sundimit të tij, në ’22-in me deputetët, në 24-ën me Nolin, në 35-ën me Riza Cerovën, por edhe Mbreti s’e harroi, e vrau me të pabesë mu në derë të shtëpisë sapo u kthye nga mërgimi.
Po kështu dhe Sulejman Qafën, nolistin e pandreqshëm, ashtu si Muçon me shokë, Zogu e pati halë në sy, por Sulejmani shpëtoi paq, jo se e kurseu mbreti, por nga popullariteti që gëzonte.
Një kapitull të ri historie hapi Potomi gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare me çetën e tij partizane, jo shumë kohë pas asaj të Kulmakut, me një itinerar të gjatë lëvizjesh në Kolonjë, Frashër, Përmet, Korçë e Tomorricë, deri sa në qershor të vitit 1943 në Qafë të Martës u formua batalioni partizan “Riza Cerova”, me bërthamë luftëtarët e kësaj çete.
Në këtë krahinë të skajshme të Skraparit është mbajtur Plenumi i Parë i Komitetit Qendror të Partisë, Kongresi i Parë i BRASH-it, këtu drejtoi luftën për më se gjashtë muaj Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare,
u krijua Arma e Xhenios, e Ndërlidhjes,
u ngritën katër spitale partizane, në Nikollarë, Vlushë, Potom e Visockë;
u krijua Brigada e 7-të Sulmuese, Divizioni i Parë Sulmues, pa zënë në gojë luftimet që janë zhvilluar në qafat e grykat e kësaj zone,
por edhe masakrat më të papara në Shqipëri si në Vlushë, Kapinovë e Krushovë.
Histori më vete, aq heroike sa e Luftës, është edhe ajo e pasluftës, e socializmit për krahinën e Potomit. Nuk ishte kollaj të jetoje dhe të mbijetoje në ato rripa dhe gërxhe, në atë reliev aq të aksidentuar e tepër të egër.
Por edhe pse kështu, kooperativat e kësaj zone, sado malore, si ajo e Staraveckës, Potomit, Turbëhovës, kanë bërë përpjekje mbinjerëzore dhe falë punës kanë patur rezultatet më të mira në rreth.
Potomi në atë kohë ishte një qytet në miniaturë me spital, shtëpi lindje, shkollë të mesme, kopshte e çerdhe, hotel restorant, klube, punishte të përpunimit të frutave dhe të bulmetit, shtëpi kulture, zyra, terrene sportive etj. Veç zyrave të kooperativës kishte zyra shtëtrore si: postë- telegrafë, gjendje civile komandë policie etj.
Pra kishte jetë, frymë, histori. (Z. Hoxha)