Gëzuar Ditëlindjen Poet!

Më 1 mars të këtij viti, poeti i mirënjohur, akademik emeritus, Xhevahir Spahiu mbushi plot 77 vjeç. 

Veç urimit, me këtë rast, patjetër me lejen e autorit, shkëputëm disa poezi të shkurtra nga vëllimi më i fundit i tij, “Vetëtima”, pak të njohura për lexuesin.

 

 

O GUR I MULLIRIT

 

Te shtëpia e De Radës

Bluaj e bluaj

500 vjet;

ullinj 

dhe të zitë e ullirit;

tani bluan eshtrat e fjalëve plaka,

bluan veten, 

o gur i mullirit

 

 

***

 

Natë pa pyll.

Humbellë pa skaj.

Zot, si rri fill?

Qaj.

 

 

***

 

A ka gjëkund ndonjë shitore

A ka ndonjë tezgë kot më kot

Të ble me disa qindarka qorre, 

Jo bukë, por pak durim, o zot? 

NË TEATËR

 

 

Gëzim Kame

U nda nga turma

Një pëllumb i bardhë,

Theu xhamin me krahë

E hyri

Në ngrehinën bojë hiri.

Doli sakaq, 

I përgjakur.

Kish parë

Një dramë të Shekspirit.

 

 

VERBANI

Fati s’ka sy

seç i qesh të zezës

seç ngërdhesh të bardhën

fati s’është në vete

megjithëse i verbër

Homerit s’i ngjan

qan kur qesh

qesh kur qan.

 

 

SHQIPËRIMI I FJALËS “POLITIKË”

 

o

l

i

th

k

ë

(pa datë)

 

 

ZHBURGIMI

 

Jetën e ngrysi me një lepur në bark;

Vdekja një ditë i trokiti në prag.

Kur lepurin pyetën:

– Ku ke qenë, ore mik?

-Sa dola nga burgu – ua ktheu pa frikë!

198 (?)

 

 

KUFIRI I SHPIFUR

 

Kjo arë me grurë

E ndarë më dysh: 

një vatër diellore atje në Qaf’Morinë.

Ngroh dheun dhe zemrën.

Shkruan fjalë të mbara:

Të ndahet buka,

Pa u ndarë fara!

JETIMËRI

Rruga “Miqësia”.

Miqësi, po me kë?

Asgjëja e asgjësë, 

Asgjë.

1982