
Dikur, zulmëmadh, sot, strukur “një dorë” nën Melesin!…
Pas Arrave të famshme buzë rrugës automobilistike Korçë-Përmet dhe pas një kthese të fortë, rruga të çon në qendër të qytetit Leskovikut. Aty, në çdo orë të ditës dhe të natës “të pret” një rrap, që e ka kaluar shekullin, dhe rreth tij lokale të shumtë, siç janë kudo në Shqipëri në qendrat e qyteteve të tillë të vegjël.
Për ata që vijnë për herë të parë në këto vende, pamje të tilla të ngjallin emocione. Ka diçka të veçantë, virgjine, në këta qytete provincialë, të cilët “flasin” në heshtje. Mijëra sy të vëzhgojnë si një të ardhur nga tjetër planet dhe mijëra zemra dëshirojnë të hysh në derën e tyre të hapur.
Është fatlum “pronari” i këtij lokali ku u ulëm për të pirë kafen e parë në këtë qytet. I shkëlqejnë sytë dhe fërkon duart nga gëzimi, jo për 100-lekshin tonë, pasi ai është gati të paguajë vetë dhjetëfish, por për faktin që zgjodhëm lokalin e tij, të cilit në këtë mënyrë i kemi shtuar një yll shërbimi e mikpritjeje, të paktën për disa ditë sa të vinë disa miq të tjerë, që, për fat të mirë apo të keq, këtu janë të rrallë.
Sot, Leskoviku nuk e ka famën e dikurshme. Rrugët e Jugut, të Konicës, Janinës dhe Selanikut, që u prenë aq dhunshëm më 1913, për kushtet e reja që kanë lindur, endé nuk janë lidhur si duhet. I mbetur në një “cep të Shqipërisë së Poshtme”, siç thoshte Kuteli, Leskoviku i ngjan një zogu pa krahë. Reformat, të quajtura administrative, që nga koha e Mbretit Zogu e deri te ajo e fundit, vetëm e kanë mpakur dhe zvogëluar, duke e “ngrënë”, Përmeti në njërën anë dhe Erseka në anën tjetër.
Leskoviku sot është si të gjithë qytetet provincialë shqiptarë, me një infrastrukturë të modelit socialist, pa ndërtime të reja, pa rrugë të reja, por edhe pa një jetë të re. Ai, më vjen keq ta them, i ngjan një fosileje gjeo-historike të thatë, të egër, të gurtë nën Melesin. Por më vjen mirë të them edhe këtë tjetrën, që, këtë fosil, po e gërvishte fare pak, brenda i xixëllin floriri!
Qyteti i Leskovikut ka qenë një qendër e lashtë. Këtë e vërtetojnë gjetjet arkeologjike, kultet, dhe një dokumentacion i pasur nga periudha më të hershme, sidomos në Mesjetë. Ai njihet si qendër qytetare banimi në fillimet e viteve 1800. U krijua si qendër pushimi e verimi nga pushtetarët otomanë të asaj kohe. Gradualisht kaloi në qendër kazaje dhe deri qendër sanxhaku (sipas “Kamus Ul Alam” të Sami Frashërit). Si njësi administrative ka pasur në varësi krahinën e Leskovikut, Përmetit e Pogonit.
Në Muzeun e Luvrit në Paris është vendosur busti i luftëtarit shqiptar kundër pushtimit otoman, Zylyftar Podës, një nga objektet e rralla shqiptare në këtë muze. Zylyftar Poda, apo siç ka qenë emri i vërtetë i tij, Iljaz, (Zylyftar i ka mbetur nga fjala turke, Silihqidar, që do të thotë “mbajtës i armëve të Sulltanit”), lindi rreth vitit 1768, në fshatin Podë të Kolonjës, i cili ndodhet edhe sot në të dalë të qytetit të Ersekës, afër urës së Shalësit, në të djathtë të rrugës që të shpie në Leskovik.
Zylyftari, apo Iljazi, siç është emri i tij i vërtetë, mësimet e para dhe ato të shkollës së mesme i mori në Janinë dhe Manastir. Ai u bë i njohur duke qenë krahu i djathtë i Ali Pashë Tepelenës dhe më pas në Kryengritjen e Tanzimatit. U vra në përpjekje me turqit i rrethuar në malin e Melesinit mbi Leskovik. Edhe sot në Kolonjë dhe Përmet këndohet kënga kushtuar atij: “Melesini maja-maja/ E rreh topi, kumbaraja…/Zylyftar Mustaqeverdhë, /prit nizamët se t’u derdhë./ Le të vinë, mirë se të vine/te pusi e kam Mersinë…!”
Popullsia maksimale e Leskovikut ka arritur në vitet 1900 me rreth 10.000 banorë kur ka pasur 11 lagje. Njihej si pika më e fuqishme doganore me Greqinë deri në këtë periudhë. Në të kalonte një nga segmentet rrugorë më të përdorura me Greqinë e më tej Turqinë. Pika e Tre Urave ishte nyja lidhëse. Gjatë viteve 1930-1940 ka zhvilluar një aktivitet të fuqishëm tregtar. Deri në vitin 1956, Leskoviku ka qenë njësi administrative “Rreth”. Socializmi, për arsye të fesë dhe marrëdhënieve me shtetin grek, në vitin 1956 e shkriu si njësi administrative dhe e kaloi në varësi të rrethit Kolonjë. Aktualisht është një qytet i vogël me popullsi prej 4000 banorësh.
Qyteti i Leskovikut ishte qendër turistike, ku vinin e pushonin në verë pasanikë, të cilët veç klimës shfrytëzonin edhe banjat aq të dëgjuara të Sarandaporit dhe banjat me avull të Postenanit. Turizmi i dha atij shkëlqim e rriti dhe i shtoi rrjetin tregtar.
Ishin të dëgjuar qiraxhinjtë dhe tregtarët e tij, që bënin rrugët nga Follorina deri në Janinë, Sarandë e më tej. Një pasuri e madhe e asaj krahine janë edhe traditat folklorike dhe etnografike. Bukuria e valleve dhe këngëve leskoviqare, sazet e dëgjuara të Hafize e Selim Leskovikut, violinisti virtuoz Mitre Jorgo, klarinetisti Vangjel Janushi e Gaqo Lena përcollën më shumë art meloditë lirike të asaj krahine, që pushtuan skenat e Gjirokastrës, Beratit dhe të krahinave të tjera brenda dhe jashtë vendit.
Leskoviku mburrej me vreshtat e veta, me rakinë dhe verën e famshme, me pasuritë e tij mbi e nëntokësore. Janë të dëgjuara vreshtat e Postenanit, Radovës, Shqerisë, Çarçovës etj. Një nga pasuritë e mëdha të krahinës janë pyjet, që shtrihen që nga Arrëza dhe vazhdojnë me Shelegurin, Vashën dhe më tej matanë Postenanit deri në Munushtir e gjetkë. Në kohën e komunizmit u zbuluan edhe rezerva mineralesh të kromit dhe alabastrit etj.
Burim i rëndësishëm të ardhurash për banorët e krahinës. Janë të dëgjuara qershitë e Radovës, fiqtë dhe rrushi i Gropës së Zogut, arrat e Vrepckës dhe shumë vende të asaj zone. Akoma më të mira janë reçelërat dhe glikotë.
Kjo krahinë i dha Rilindjes Kombëtare figura të shquara që luftuan me pushkë e penë për Mëmëdheun. U dalluan figura të tilla si Jani Vreto, Faik Konica, Stefan Postenani, Muço Qulli, Teki Glina, etj. që i dhanë tonin Rilindjes. Andartët grekë vranë e prenë shumë njerëz, dogjën 650 shtëpi dhe shkretuan vreshtat e zonës. Ishte një gjenocid i vërtetë, për të cilin Greqia nuk ka denjuar të kërkojë falje. Por, leskoviqarët e rindërtuan qytetin më të bukur se më parë.
Për të mos e zgjatur më tej dhe për të mos iu “dhënëmë ujë” përshkrimeve nostalgjike, Leskoviku është po aty ku ka qenë, me plot vlera njerëzore, historike, natyrore dhe turistike, të cilat duhet shfrytëzuar. Është hapësirë e bukur dhe e begatë në Shqipërinë e jugut, por edhe krahina me historinë më të madhe dhe më të bukur të Shqipërisë.
————–
Zylyftar Hoxha: “Udhëtime nëpër Shqipëri, guidë kulturore dhe historike”, Tiranë 2019, faqe 90 – 97