Voskopoja, “Troja shqiptare”, e ringjallur si Feniksi

Voskopoja, “Troja shqiptare”, e ringjallur si Feniksi

 

 Nëse ka një vend në Shqipëri që meriton vëmendje të veçantë; shtetërore, sociale, historike, turistike, biologjike, mjedisore, ekologjike etj., besoj se është Voskopoja. Është i përligjur shqetësimi i voskopojarëve anekënd Shqipërisë, të larguar dhunshëm nga vendlindja, të dinë se ç’po ndodh me trojet e tyre, atje ku ata kanë eshtrat e të parëve.

 

 

Dhe ajo që po ndodh është se ka përpjekje për t’i dhënë Voskopojës famën e dikurshme, në mos kulturore e tregtare, siç e ka pasur, të paktën – historike e turistike.

 

 

A janë hapat e duhur? Kjo është e lidhur kryesisht me zhvillimet politike, por e vërteta është se përpjekje, si në të gjithë Shqipërinë edhe këtu po bëhen. Megjithatë, për t’u njohur me Voskopojën, më poshtë po japim disa të dhëna historike e mediatike të grumbulluara në kohë dhe botime të ndryshme, të hershme dhe bashkëkohore.

 

 

Histori, art dhe natyrë

 

 

Ashtu si Troja e lashtë, edhe Voskopoja është djegur, madje tri herë në periudha të ndryshme historike. Por, ndërsa Troja u zhduk një herë e përgjithmonë, Voskopoja mbijetoi. Sidoqë e dëmtuar rëndë, ajo përsëri është atje. Ka ende gjurmë dhe objekte të vjetra që të çojnë në kohën e shkëlqimit të dikurshëm.

 

 

Për themelimin, zhvillimin dhe shkatërrimin disa herë të Voskopojës flasin arkivat. Për të janë shkruar studime, libra historike të shoqëruara me një dokumentacion të pasur referues, romane dhe deri shkrime mbresëlënëse e mjaft befasuese, që vijnë nga të gjitha anët, nga jashtë dhe nga brenda Shqipërisë, nga studiues tepër seriozë. Nga një qytet madhështor, i pasur dhe me gjithë ato institucione kulturore; akademi, bibliotekë, muze etj., sot ka mbetur një fshat që po ngrihet me vështirësi, por po ngrihet përsëri më këmbë!…

 

 

Kjo është Voskopoja, në juglindje të Shqipërisë, më pak se 20 kilometra në perëndim të Korçës. Në kulmin e zhvillimit të saj Voskopoja kishte 15 000 shtëpi dhe, sipas mendimeve të hedhura, në ato kohë kishte 30 – 50 dhe deri 70 mijë banorë, me 24 apo 34 kisha, një pjesë e të cilave janë akoma më këmbë. Ka pas qënë qyteti më i madh në Ballkan. Ia kalonte vetëm Stambolli. Kishte një shkollë të nivelit të lartë e quajtur Akademia e Re. Ishte i vetmi qytet me shtypshkronjë në Ballkan. Kishte një bibliotekë të pasur dhe muze.

 

 

Nga ky qytet dolën filozofë, si Theodhor Kavalioti, poetë si Konstandin Çekani etj., të cilët bënë emër në botën e atëhershme; dolën ekonomistë e tregtarë të mëdhenj edhe për Europën, si Baron Sina, Aleksandër dhe Eugen Mocioni; diplomatë të rangut europian, si Konstandin Graf Von Dumba, teologë, si Jaosaf Voskopojari, kryepeshkopi i Shën Naumit, ushtarakë të përmendur në Europë dhe shumë të tjerë, që, me dijet dhe kapitalet e tyre, u bënë të famshëm.

 

 

Voskopoja në Mesjetë u bë qyteti i lakmuar i piktorëve, që erdhën aty të derdhnin talentin e tyre të ikonografisë; u bë qendra e vëmendjes së tregtarëve të kohës, si qyteti më fitimprurës e më i pasur, me një tregti të zhvilluar fuqishëm. Aty lindi bërthama e një kulture paraindustriale, prijëse në të gjithë Ballkanin e asaj kohe.

 

 

Elita e qytetit ishte shtresa kapitaliste, zejtare, tregtare, por edhe mësuesit e Akademisë, piktorët zbukurues, autorët e afreskeve të lakmueshme nga të gjithë. Aty jetuan Davidi, Kavaljoti, Grigori, sikurse vinin për të jetuar të gjithë të rinjtë e zonave përreth e më larg, se e shihnin Voskopojën si tokën e premtuar. Voskopoja ishte një fenomen për kohën, një copëz Evrope në mes të obskurantizmit aziatik, shkruajnë historianët…

 

 

U lind, lulëzoi e u shua, duke lënë pas pikëpyetje pa fund në kokat e studiuesve, historianëve, kureshtarëve e adhuruesve të saj për shekuj me radhë.

 

 

 

Familje historike voskopojare

 

 

Kavalioti. Kjo familje u shqua me pinjollin e saj të shquar, Teodor Kavalioti, personalitet me famë ballkanike në fushën e arsimit dhe të pedagogjisë. Në vitin 1748, kur ishte 30 vjeç, Teodor Kavalioti u bë rektor i Akademisë. Ai shkroi tekste shkollore si: “Logjika”, “Fizika”, “Metafizika” etj. Përktheu “Dhjatën e Re” në gjuhën shqipe dhe botoi në Venecia të Italisë fjalorin e parë trigjuhësh, greqisht – vllahisht – shqip me 1070 fjalë, të cilin e ribotoi dhe në Leipzig të gjermanisë vite më pas.

 

 

Jeta akademike e tij është e pasqyruar në kodikët e Manastirit të Shën Prodhomit, ndër kishat më të vjetra të Voskopojës në fillimet e shkëlqimit të saj në shekullin e XVII-të.

 

 

Sina. Ishte një tjetër familje fisnike voskopojare, që u shqua në fushën tregtare dhe të biznesit me përfaqësues Gjergj Sinën dhe më past të birin e tij, Simon Sinën. Në vitin 1782, kjo familje braktis Voskopojën e djegur e të shkatërruar dhe u vendos në Nish të Serbisë dhe më pas në Vjenë të Austrisë. Ku krijoi një ndërmarrje të madhe tregtare dhe një bankë. Në vitin 1822, Simon Sina vdiq në moshën 69 vjeçare, duke lënë pas një pasuri të madhe dhe një karrierë me emër.

 

 

Këtë famë e pasuri i trashëguan dy djemtë e tij, të cilët morën titullin Baron. Ekzistonte një listë e tërë objektesh e biznesesh në pronësi të familjes Sina në Vjenë, e cila përmbante midis të tjerave dhe 12 pallate dhe një sërë trojesh në qendër të Vjenës, ku bënte ndërtime.

 

 

Dumba. Një tjetër familje e shquar voskopojare në Vjenë të Austrisë, ishte dhe familja e Sterio Dumbës. Ajo u shqua veçanërisht në kohën e pasardhësit të saj, Nikola Dumba. Nikola shumë shpejt u bë një bizesmen i fuqishëm, që financoi dhe mbrojti vlerat e artit botëror në Vjenë. Ai mbante kontakte me shumë artistë të mëdhenj të asaj kohe, siç ishin kompozitorët: Wagner, Shtraus, Shubert, Herbeck e të tjerë, si dhe me njerëz të shquar të financave. Si mecenat arti, ai shpëtoi nga zhdukja pasurinë artistike të Shubertit, financoi i ndërtimin e sallës së Koncerteve të Vitit të Ri të Vjenës, si dhe godinën e Parlamentit Austriak. Nikola Dumba u zgjodh disa vjet me radhë deputet i parlamentit austriak. Vdiq më 23 mars 1900.

 

 

 

Si u shkatërrua Voskopoja?…

 

 

Nuk e shkatërruan vetëm shërbestarët e Osmanëve. Për shumë e shumë vjet Voskopoja ishte pronë e Valide Sulltanit. Nga ky qytet nxirreshin të ardhura të mëdha, të cilat derdheshin direkt në sarajet e Top-Kapisë në Stamboll. Sapo që Perandoria turke filloi të dobësohej, rrjedhojë e përplasjeve ushtarake me Rusinë, ky qytet në vitin 1769 u bë pre e bejlerëve dhe spahinjve vendas. U shkatërrua nga shqiptarët thjesht për ta grabitur dhe sunduar për interesat e tyre. Ky ishte shkatërrimi i parë.

 

 

Pas njëzet vjetësh filloi të rimëkëmbej, por nuk arriti nivelin e mëparshëm, pasi përsëri e shkatërruan hordhitë e Ali Pashë Tepelenës gjatë fushatës së tyre kundër Ibrahim Pashë Beratit. Kjo ndodhi në vitin 1789. Porsi Feniksi që rilindi nga hiri i vetë, pas 137 vjetësh, u ringrit edhe Voskopoja.

 

 

Në vitin 1916 arriti të ketë 500 shtëpi me rreth tre mijë banorë. Përsëri një qytet, i cili për atë kohë ishte i konsiderueshëm për numrin e shtëpive dhe të banorëve.

 

 

Lufta e Parë Botërore dhe lakmia e disa çetave pa vizione të qarta atdhetare, mbështetur dhe armatosur nga Blloku austro-hungarez, i cili luftonte kundër Antantës, e varrosën përsëri. E dogjën dhe e shkatërruan deri në themele me një egërsi të paparë.

 

 

 

Ringjallje

 

Një vend afro 1300 metra mbi nivelin e detit. Rrafshnaltë midis kodrave të buta. Rrethuar me pyje të dendur pishe dhe nga të tri anët përshkuar me lumenj të vegjël. Ajri aty është gjithnjë i freskët. Kur dielli në verë fillon të djegë, afër mesditës, nis një erë e lehtë, fllad i freskët, i cili vazhdon deri sa vapa tulatet. Mandej nuk lëviz asnjë gjethe, deri të nesërmen afër mesditës.

 

 

Kur në Tiranë e vende të tjera të Shqipërisë temperaturat shkojnë në maksimum, në Voskopojë me padurim pret të dalë dielli për t’u ngrohur sadopak.

 

 

Një vend i bekuar, i jashtëzakonshëm për pastërtinë e ajrit pa lagështirë. Lëkura të rri e thatë, pa djersë dhe syri të sheh vetëm gjelbërim. Voskopoja po ringrihet shumë më e bukur. Nuk të vjen keq dhe nuk ka arsye se po ndryshon përbërja etnike e fshatit. Më duket se kjo është një nga anët më pozitive. Ata që jetojnë aty janë përpjekur të ndërtojnë një qytetrim tjetër, gjithësesi larg atij të dikurshmit, por, gjithaq, mikpritës.

 

 

Voskopoja ka një trashëgimi të pasur kulturore e monumentale. Këtë e tregon prania e shtatë kishave dhe manastiri i Shën Prodhomit.  Kishat dhe manastiret e saj, që tashmë kurohen me dashuri  nga kujdestarë ortodoksë  tentojnë të reflektojnë diçka nga shkëlqimi i dikurshëm.

 

 

Ajo ka ka trashëguar një infrastrukturë të njohur me rrugë me kalldrëm, me shtëpi karakteristike me gurë të gdhendur, me ura, çezme etj. Voskopoja është zonë e mbrojtur dhe është shpallur nga qeveria zonë natyrore, historike dhe turistike. Vlerësimi i trashëgimisë i ka dhënë mundësi njohjeje edhe zhvillimit të këtij territori.

 

 

Voskopoja ka një pistë skish, për të mos e lënë dimrin të jetë vetëm një kënaqësi ndanë oxhakut të ndezur, por edhe një vend plot jetë, ku zhvillohen aktivitete e kampionate. Ka amvisa të mrekullueshme dhe me fantazi, të cilat, me perimet e stinës dhe të vendit, gatuajnë ushqime sipas recetave të shumta. Këto amvisa shquhen për gatimin e lakrorit me dy petë, e mishit të pjekur, e petullave të fshira etj.

 

 

Sot ka një numër të konsiderueshëm familjesh që merren me turizëm dhe ka një rrjet hotelesh, shtëpi të turizmit familjar, kafe e restorante, njësi shërbimi për turistët që së bashku përbëjnë një kapacitet pritës për turistët. Është ngritur infrastruktura e orientimit dhe e informimit me sinjalistikë, harta, guida etj,. Ka një fluks në rritje të turisteve nga viti në vit.

 

 

————

Zylyftar Hoxha: “Udhëtime nëpër Shqipëri, guidë kulturore dhe historike”, Tiranë 2022, faqe 48 – 55