
Erdhi ujku, erdhi miku, erdhi Izet Ujaniku!…
Izet Musabelliu (Ujaniku) ka qenë një personazh i njohur në Skrapar në vitet ’70 të të shekullit të kaluar deri sa ndërroi jetë para disa kohësh.
Kishte punuar si instruktor në Komitetin e Partisë të Rrethit; kryetar në një ndër kooperativat bujqësore më në zë të Tomorricës, Zhepës dhe, së fundmi, deri sa doli në pension, drejtor i Ndërmarrjes së Ujrave, pozicione shtetërore zyrtare jo të parëndësishme për kohën, që ai përballoi me sukses.
Edhe pse tregoi aftësi të rralla drejtuese në punët dhe detyrat që pati, Izeti nuk do të mbahet mend për këto, por për një anë tjetër të personalitetit të tij, si një figurë e njohur popullore: babaxhan burrë, i zakonit, i muhabetit, i lezetit, dashuronjës i rakisë, i dollisë, i miqëisisë dhe shoqërisë.
Ai ishte dhe mbeti në kujtesën e njerëzve si një dorëlëshuar dhe ovardar i pandreqshëm, një “Omer Khajam i vërtet i sofrave dhe lokaleve të Skraparit”, që, edhe pse xhepshpuar e fukara, nuk i pati kujt borxh, nuk piu asnjë gotë të vetme qyl, që edhe sot, pas kaq viteve, t’ia zërë njeri në gojë.
Më poshtë po botojmë një poezi të shkrimtarit dhe poetit shumë të njohur dhe shumë të vlerësuar nga bota letrare shqiptare, por, fatkeqësisht, pak të njohur nga skrapallinjtë, edhe ata të lexuar, Shkëlqim Çela, me origjinë nga Vërzhezha dhe banim në Amerikë, kushtuar Izet Musabelliut:
IZET MUSABELLIUT (UJANIKUT)
Shkëlqim Çela
Erdhi ujku, erdhi miku,
erdhi Izet Ujaniku
(Popullore e Skraparit)
U mblodh buk’ e vjetër, u nis zijafeti,
Në krye në qoshe, mban dolli Izeti.
Drithmë një duhan, ndizma me stërrall,
Miqtë që na erdhë nuk janë miqë për dhallë.
Të kam gjetur Zalo, me dhjetëra dollira,
Ti që më gjen mua, ty të gjet e mira.
Ja e shtuna erdhë, e xhumaja iku,
Në dollinë e katërt, nëntë shëndete miku.
Ç’na bërë o Zalo,ç’janë këto taksirate,
Kjo shejtane qënka njëzete dy gradëshe.
Njezetekatër gradë, apo janë karate,
O shkumë rruazë, nxjerë me nasihate.
Pikë e parë kulluar, ja për miq të rrallë,
Për Izet me halle, jo çanak me dhallë.
I kemi me funt, hile mo na bëni,
Shkunde pra të shkretën, luaje nga vëndi.
Pa dollinë e shtatë, me trembëdhjetë miku,
Stamo Dumo s’jemi, Izet Ujaniku.
Dhoma ngjan e vogël, tavanet e vjetra,
Nxehur xijafeti, se s’po rruajmë rretra.
Ja shkoji e xhumaja, dhe pak u gdhi,
Të paçim Izet nuri, o Musabelli.