
Zjarri i pashuar i Laskë Ujanikut
Ujaniku. Nuk kam lënë fshat të Skraparit pa shkelur, në disa edhe me dhjetra herë, por më ka ngelur në mend Ujaniku, një fshat i vendosur në shpat të Tomorrit, 950 – 1000 metra mbi nivelin e detit. Unik në krahasim me fshatrat e tjerë, ku i gjithë fshati mban të njëjtin mbiemër, Musabelliu, por unik edhe i veçantë në kulturën baritore të jetesës dhe në histori.
Laska, Xhaferri dhe Qemali
Dhe jetën e veçantë e bëjnë burrat. Ujaniku ka patur burra me gjurmë, që kanë bërë histori, në mos më shumë, historinë e vetvetes e kanë dinjitoze.
Le të të njihemi më poshtë me historinë e pinjojve të një familjeje të njohur të këtij fshati, të Laskë Ujanikut:
Foto e vitit 1956. Familja e dy vëllezërve Laskë dhe Xhaferr Ujanikut, Gjylua, Heke Pasha. Halit Leshnja, Xhaferri, Laska, Fatimeja, Elmazi, Bujari, Tana, Hedija, Yraetja, Luftari, Shkelqim, Aferdita, Maksimi (i vogli). Poshtë, ulur: Fatmiri dhe Sheqerja
Q e m a l i
Qemali, shpirtbehar, hokatar dhe shakaxhi deri te ai e kthehu prapa. Sentencat e humorit të Qemalit, të leëshuara ashtu, natyrshëm dhe pa teklif, qarkullojnë edhe sot mes njerëzve që e kanë njohur në Skrapar.
Mëngjeseve, kur vinte në punë, nga veshja, këmisha e bardhë, kostumi, gjithmonë gri, këpucët xixë, të jepte përshtypjen se punonte në një nga zyrat e institucioneve apo ndërmarrjeve lokale të qytetit.
Por jo, ai ishte thjesht një marangos, zanatçi që riparonte arka perimesh në magazinat e ndërmarrjes tregtare(!).
Kishte qenë partizan në Brigadën e Parë Sulmuese, por pak e dinin, vetëm kur e shihnin në përvjetorë me shallin e kuq, se ai nuk mburrej asnjë herë.
Një ditë, aty nga viti 1991, kur sapo kishin filluar proceset demokratike të ndërrimeve të sistemeve, Qemali doli nëpër rrugët e qytetit me një taç të bardhë dervishi Bektashi(!).
U çuditën të gjithë: të shkonte deri aty shakaja!?…
Po enigma u zgjidh shpejt.
Në ditët e reja që kishin ardhur, të rehabilitimit dhe ringriitjes së faltoreve të prishura dhunshëm në vitin 1967, në krye u vunë njerëz të familjeve që kishin patur pjesëtarë apo të afërm të atyre klerikëve që kishin shërbyer në këto teqe, mekame, tyrbe etj.
Askush nuk e dinte që Qemali ishte një besimtar besnik i pandreqshëm i teqesë së Dervish Iljazit në Kulmak, por edhe që kishte shërbyer që i vogël atje.
Gjithashtu askush nuk e dinte se ai kishte një lidhje gjaku me Dervish Ilazin, që ishte nip e dajo me themelin e gjyshit të tij në Ujanik.
Ndaj “vetëshpallja Baba” e Qemalt, qe aq e përligjur, sa askush nuk tha një fjalë, por, përkundrazi, u respektua dhe u nderua si i tillë derisa vdiq.
S h e z o j a
Natyrën gazmore dhe humorin e hollë, djemtë e Laskë Ujanikut, si duket e paskan patur në zinxhirin gjenetik, sepse kështu, si Qemali, si Shezaiu, ishin edhe Njaziu, Bujari, Luftari, madje edhe Tana e Halitit, fytyrëqeshur, qejfpaprishur me këdo, të bënin mik në rrugë.
Edhe Shezoja, nuk kishte ndonjë profesion kushedi, ishte thjesht një këpucar, por këpucar i vërteë, ama, këpucar me sqimë, jo mballomaxhi.
Bënte vetëm të këpucë të reja me kallëp, këpucë që binin në sy që atje tej dhe që nami i kishte vajtur deri në Tiranë. I vinin porosi nga Udhëheqja e lartë Partisë. Dhe Shezai u i qante!
Nuk e hoqi kurrë kollaren e kuqe nga gryka. Kur punonte e varte në dollap, dhe kur dilte nga puna dilte si zotni. Vrapin e zinte te Verori në verë apo Dimërori në dimër, e ndiqte shumë atë të shkretën, pinte dhe dëndej, pa e humbur mendjen, duke ngritur një oktavë më lartë zërin, zemrën dhe humorin e tij karakteristik.
Duke lundruar në internet dhe rrjetet sociale ndesha disa vargje brilante në formë epigami për të. I kishte postuar i biri, Juli.
Ja vargjet:
Nxihu, o Kulmak
Qaj o Ujanik
Na ka ikur Shezua
Ka ikur nje mik!
Iku me i miri
Iku Shezaiu
Vajti te Dervish Iliazi
Vajti te Daiu!
Desha të flisja edhe për vëllezërit e tjerë, Njaziun, Bujarin, Luftarin (Lukon) se janë njerëz me vlera, por kam pak njohje dhe kam frikë se nuk do të them dot atë që duhet thënë për ta.
Luftari
Mund të flas diçka më tepër për Maksin, djalin e madh të Qemalit, se është bashkëkohësi im dhe ajo ura në qendër të Çorovodës na bënte të shkëmbeheshim, në mos dy herë në ditë, të paktën një herë në dy ditë.
D o k t o r M a k s i
Doktor Maksi ka qenë dhe mbetet një ndër krenaritë intelektuale të Çorovodës, si dhe një qytetar i dorës së parë në të gjitha aspektet: në formimin kulturor, në formimin profesional, si dhe në atë civil – shoqëror dhe njerëzor.
Në vitin 1973 përfundoi fakultetin e stomatologjisë. U emërua në klinikën dentare të Gjerbësit, ku punoi për 8 vjet me radhë, deri në vitin 1981. Ai ishte mjeku i dytë stomatolog, pas Shkëlqim Hebibasit, me origjinë nga Skrapari, pasi deri atëhere stomatolgët vinin nga rrethet e tjerë.
Edhe pse në klinikë fshati, ambicioz, pasionant në profesion, futi metoda mjekimi moderne të kirurgjisë faciale, hapi protetikën, por bëri edhe një punë të jashtëzakonshme profilaktike me fshatarët dhe nxënësit në të gjitha shkollat e zonës.
Në vitin 1981 emërohet shef i klinikës dentare të Çorovodës dhe i shërbimit stomatologjik të rrethit.
Në vitet 1990 u specializua për kirurgji maksilo-faciale.
1994 filloi stomatolog privat në Çorovodë. Më pas transferohet në Tiranë, ku punon ende në klinikën e tij.
Diplomën me rezultate shkëlqyera në mbarimin e fakultetit të Stomatologjisë ai e pasuroi dhe e “mbushi” me një punë të admirueshme shkencore, me artikujt e botuar në revistën mjekësore “Punime Stomatologjike”, me tema studimore shkencore të referuara në disa sesione shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare të Stomatologjisë të organizuara në Tiranë dhe në rrethe të tjerë.
Është dekoruar nga Presidium ii Kuvendit Popullor të kohës, medalje për “punë të shkëlqyer në shërbim të popullit”.
Qe neglizhenca, indifrentizmi, sedra provinciale, modestia e tepëruar apo të gjitha së bashku, që ai nuk bëri formalitetin e duhur për të marrë letrën e gradës “Dr. prof.”, “Dr. prof. i Assoc”, se, si titull e kishte marrë me kohë me studimet dhe punën e tij të pavarur shkencore.
Jetën me Hyrijen, një zonjë grua, e ka ndarë në dy role: si bashkëshorte dhe si asistente teknike, aq sa Hyria e gjorë nuk di kur t’i thotë “shef” dhe kur t’i thotë “burrë”!…(Z. Hoxha).