Rikthim në kohë

Rikthim në kohë

 

Sefedin Çela

 

Kam filluar të harroj ca si shpesh. Qesh me veten e them se do të harroja dhe kokën diku nëse nuk do t’a kisha të ngjitur me qafën. Merre me mend, mbaj shënime për të mos harruar shënime!

 

 

Po nxitoj të lë të shkruara ato që më kanë ndodhur e kam bërë në jetë, jo se kam bërë hatanë e kam thyer kazmën në punë, por se duket kam qënë i pajisur me diçka që shumëkush e kërkon e nuk e gjen, me zarën e fatit, shpesh rënë  për mirë, pasi disa herë në fëmijëri  rënë për keq.

 

 

Do të hedh në letër të vërtetat e mia, ashtu si i di unë, për gjëra që kam bërë  mirë a keq, sepse jo çdo gjë që nis për mirë del mirë.

 

 

Jetojmë, shpesh dhe nxitimthi, shohim ëndrra, pikturojmë me ngjyra. Pse e bëjmë? Se duam një jetë më të mirë. Ato që nuk i kemi i shohim në ëndërr,  artisti i hedh në telajo, poeti në vargje. Me aq ngjyra sa gjen brenda vetes.

 

 

Në fshatin tim dielli çdo mëngjez shkrepte në Galinë e njëherësh me të fekste  fytyra e tim eti. Nuk e shquaja qartë nga rrezet e diellit, po e dija që çdo ditë ishte aty për mua. Prej tij kisha vetëm emrin, bashkëmoshatarët e tjerë baballarët  i kishin prej vërteti në shtëpi. Ai imi fekste sa lindte  dita, si e kisha parë natën në ëndërr.

 

 

Polena ime ishte e vogël, me 13 shtëpi afër e afër, askush nuk kërkonte nuse në fshat se ndiheshin si kushërinj. Të gjithë bluanin  në të njëjtin mulli. Kush teshtinte në Polenë  shëndet thoshin në Kalanjasin ngjitur, lagur nga  i njëjti  përrua.

 

 

Në Polenë kam parë ëndrra fantastike symbyllur e syhapur, sikur kaloja tre klasa njëherësh në një vit,  nga që nuk më pritej t’i mësoja sa më shpejt ato që nuk dija, sikur  merrja tri fletë lavdërimi në një vit, të zbukuruara me kallëza gruri, sikur  gjinkallat  pëllcisnin së kënduari e jo prej vapës,   sikur Gjysmagjeli i përrallës bënte vërtet vezë të arta e jo glasa, si bënin gjelat  gjumashë  të fshatit  që kapardiseshin  kot  e  këndonin në mes të ditës.

 

 

Ëndërr  do të thotë të kesh gjithçka edhe pa patur asgjë.

 

 

Kur rritesh sheh se bota është ajo që është, jo ashtu si doje të ishte. Tërë gardhe , leqe e mure; nuk bën të përplasesh  njëherësh gjithandej, duhet të gjesh rrugën të ecësh me sa më pak humbje, pa mbajtur anë. Të jesh me të drejtën nuk është anësi, je në rrugën e duhur. Ki durim e prit  edhe nëse lodhesh duke pritur, po mos shkel mbi veten tënde. Dinjiteti është te secili, nëse e do. Askujt nuk mund t’i marrësh diçka nëse nuk do t’a japë.

 

 

Nuk e kam patur të lehtë rrugëtimin tim, po them me bindje se ka qënë më  i bukur se ëndërrat që kam parë, se ka qënë i vërtetë, vuajtjet më kanë argasur lëkurën, dhimbjet e humbjeve i kam ndjerë,  nga gjunjët e vrarë e plagët ka rrjedhur gjak e jo ujë. Disa prej tyre kanë lënë vragë e të tjera ende  nuk janë mbyllur.

 

 

Por kam patur edhe çaste të mrekullueshme lumturie, me pika vërtet, po prandaj quhet lumturi, se është me pakicë, si kokrrizat e arit ,e konsumohet në doza të vogla, si ilaç.

Gjyshja ime, që na ushqente si zogj me fara të zjera kungulli, edhe  nëna ime, me nga njëmijë halle secila, edhe për ëndërrat thoshin “nuk janë të gjitha për ne, bir!  Shumica janë për zengjinë!”. Kjo  do të thosh se nëse sheh shumë gjëra afër, mos zgjat dorën t’i marrësh , se nuk janë për ty.

 

 

Por them se rastësitë e ajo zara e fatit kanë qënë ca si shpesh në anën time. Nuk e kisha menduar ndonjëherë që lapsi i gazetarit,  që mësova si t’a përdor, tej Polenës, do të më njihte  me gjithë Shqipërinë, në të katër anët e horizontit, do të më njihte me personazhe  të vërtetë, prej mishi e gjaku, jo thjesht  krijesa fantazish.

 

 

Mësova se të dish të shkruash do të thotë të dish të duash.

 

Një ditë do të më duhej të merresha me probleme të menaxhimit të kulturës  e të artit, do të kisha nderin të njihja e të punoja me artistë  të fjalës së shkruar, të filmit, të artit skenik, të muzikës, të telajos, restaurues monumentesh. Se një ditë do të kisha mik e do të pija kafe me autorin e Gjysmagjelit që bënte vezë të arta prej përralle e se ai i kishte rrënjët në Zaloshnjë,  tre orë larg  në këmbë nga Polena ime!

 

 

Një ditë tjetër do të isha  unë e jo dikush tjetër në krye të Rtsh, në të vetmin e më të  madhin  institucion  të  këtij lloji në vend.  Në një kohë lëvizjesh tektonike, përmbysjeje të sistemit  zara e fatit të hedh në qëndër të ciklonit,  në një provë  si pritë,  që nuk do të zgjidhje t’a kishe në  jetë.  Në kohë të tilla “ngrysesh piperkë e gdhihesh patëllxhane”. Të zë frika t’a mendosh, çfarë sillte çasti nuk kishte sjellë java e muaji. Duhet të vendosje, pa qënë i sigurt në  bëje mirë a keq? Jo thjesht për vete.

 

 

Rasti a zara e fatit më vuri mua para kësaj prove.

 

Kam shumë ngjarje, personazhe, karaktere, që nuk mund t’i harroj. Janë pjesë e jetës time, tej ëndrrës së fëmijërisë. Janë mundimet e gëzimet e mia, e vërteta ime është jeta ime.

 

 

Duhet të vrapoj, edhe pse kam problem  me këmbët. Duhet t’i shkruaj, të lë dëshminë time  për të bërat e të pathënat, për ato që di, për ato që kam parë e për ato që që kam bërë e si i kam bërë

 

 

Në jetë nuk kam patur pika plani, nga ato që nuk i realizon kurrë, nuk kam mbajtur ditar, nuk saktësoj data e  rend kronologjik, nuk kam arkiv me shkresa të protokolluara,  nuk citoj bibliografi. Nuk di e nuk dua të bëj  shkencë, as letërsi.

 

 

Do të shkruaj për gjëra që kam bërë me dashuri, për njerëz që kam patur në krah, që i kam dashur e i dua. Do të them gjithçka që nuk e kam thënë deri tani.

 

 

Gjërat e mira  që nuk harrohen  duan njëfarë stazhi për të kuptuar pse nuk harrohen, si verës  i duhet  vjetërsia për t’u bërë verë e mire

 

 

Të duash do të thotë të ndjesh mungesën e atyre që do . Ato që ke dashur e do e nuk thuhen, –  nuk quhen!